Panairi i Turizmit në Berlin nis nga Shqipëria, e cila është pritësja e nderit në këtë panair, më i madhi në botë në sektorin e turizmit. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, sot përmes një postimi në rrjetet sociale ndau pamje nga dita e parë e panairit të turizmit në kryeqytetin e Gjermanisë.
“”ITB Berlin 2025” fillon nga Shqipëria! Bashkë me kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Bashkisë së Berlinit Kai Wegner, Sekretarin e Përgjithshëm të UN Tourism Zurab Pololikashvili dhe Presidentin e “Messe Berlin” Mario Tobias premë shiritin e hapjes së Panairit “ITB Berlin 2025″ duke nisur zyrtarisht një udhëtim treditor në një stendë gjigante shoqëruar nga një spektakël performancash dhe përvojash interaktiveqë të ftojnë të zbulosh Shqipërinë”, shkruan Kumbaro.
“Na shkoftë mbarë dhe qoftë një ogur i mbarë për turizmin e 2025”, thekson Kumbaro.
Stenda shqiptare në “ITB Berlin 2025” shquhet për hapësirën gjigante dhe spektaklin e performancave kulturore, muzikës, kuzhinës tradicionale dhe eksperiencave dixhitale, që ftojnë vizitorët të zbulojnë bukuritë dhe potencialin turistik të vendit.
Elementet kryesorë të prezantimit të Shqipërisë përfshinë një udhëtim kinematografik nëpër Shqipëri, performanca e drejtpërdrejtë me “Shkodra Elektronike” – përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision 2025 –, muzikë tradicionale të njohur nga UNESCO dhe performanca të vallëzimeve tradicionale shqiptare nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve.
Nën sloganin “Albania All Senses”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të prezantojë buqetën e ofertave turistike të vendit nga data 4 deri më 6 mars 2025.
Përmes një agjende të pasur, Shqipëria do të përpiqet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e këtij panairi që t’i bashkohen një udhëtimi gjithëpërfshirës përmes larmisë së ofertave, një programi të zgjeruar eventesh, performancash dhe aktivitetesh./ATA