Shefi i intelegjencës izraelite Mossad, Yossi Cohen, ka deklaruar se normalizimi i Izraelit me vendet arabe nuk duhet të kushtëzohet me avancimin e negociatave me palestinezët, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Negociatat me palestinezët nuk duhet të jenë kusht ose pengesë përballë kontakteve të vazhdueshme për normalizim me vendet e rajonit”, tha Cohen për Korporatën Izraelite të Transmetimit.
Më herët, mediat izraelite raportuan se Cohen është caktuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu të realizojë kontakte të fshehta me kretët e vendeve arabe.
Së fundmi, Izraeli nënshkroi dy marrëveshje normalizimi me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.
“Marrëveshjet me vendet e Gjirit na japin një intensitet të rëndësishëm strategjik kundër boshtit të së keqes së drejtuar nga Irani. Izraeli shpreson që vendet e tjera të vendosin kontakte zyrtare. Ne jemi në kontakt me disa vende në rajon, si dhe jashtë në Lindjen e Mesme dhe Afrikë”, tha Cohen.
Më 15 shtator, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ranë dakord të krijojnë marrëdhënie të plota diplomatike, kulturore dhe tregtare me Izraelin, pasi nënshkruan marrëveshje të diskutueshme në Shtëpinë e Bardhë.
Marrëveshjet janë kundërshtuar gjerësisht nga palestinezët, të cilët thonë se ato injorojnë të drejtat e tyre dhe të njëjtat nuk i shërbejnë çështjes palestineze.