Avionët izraelitë goditën dy pika të Brigadave Izzedin al-Kasam në qytetin Han Junus në jug të Rripit të bllokuar të Gazës
Gaza
Izraeli bombardoi pikat e krahut ushtarak të Hamasit në Rripin e Gazës, raporton Anadolu Agency (AA).
Avionët izraelitë goditën dy pika të Brigadave Izzedin al-Kasam në qytetin Han Junus në jug të Rripit të bllokuar të Gazës.
Ministra palestineze e Shëndetësisë në Gaza ende nuk ka dhënë deklaratë për viktima të mundshme.
Ndryshe, ushtria izraelite mbrëmë nisi sulme në Gaza pasi shtatë persona u plagosën në mëngjes si pasojë e një rakete që ra në veri të Tel Avivit.
Izraeli i vazhdoi sulmet deri në orët e mëngjesit, edhe pse Hamasi në ora 22:00 njoftoi se është arritur armëpushim me ndërmjetësimin e Egjiptit.
Zyra Mediale e Qeverisë në Gaza sot në mëngjes njoftoi se dhjetë palestinezë janë plagosur nga 50 sulme të avionëve izraelitë në Gaza.
Në mesin e objekteve të bombarduara ishte edhe zyra e shefit të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh.
Koordinatori Special i Procesit të Paqes në Lindjen e Mesme i Kombeve të Bashkuara (OKB), Nickolay Mladenov, shprehu shqetësime se tensionet në Gaza mund të çojnë në pasoja katastrofike.
Duke folur në Keshillin e Sigurimit të OKB-së, Mladenov tha se përplasja e re në Gaza nuk do të jetë në interes të asnjërës palë dhe paralajmëroi Palestinën dhe Izraelin se konflikti do të krijojë “pasoja shkatërruese” në rajon.
“Mund të përballemi me një tension të rrezikshëm që mund të rezultojë edhe një herë me një katastrofë në Gaza. Ngjarjet në dy ditët e fundit treguan se sa jemi afër pragut të luftës”, tha Mladenov, duke bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë.
Mladenov theksoi nevojën për ndalimin e raketave të shkrepura nga Gaza në drejtim të Izraelit, ndërsa po ashtu u bëri thirrje forcave izraelite të përmbahen.
Ndryshe, qeveria izraelite mbylli dy porta kufitare të Gazës pasi shtatë persona u plagosën dje në mëngjes si pasojë e një rakete që ra në veri të Tel Avivit.
Presidenti amerikan Donald Trump dje firmosi një dekret që “zyrtarisht njeh sovranitetin izraelit mbi Lartësirat e Golanit”, përkundër rezolutës 497 të OKB-së të miratuar në vitin 1981, e cila e cilëson si të paligshëm pushtimin izraelit të këtij rajoni.
Izraeli prej vitit 1967 mban nën pushtim Lartësirat e Golanit, të cilat janë rajon i Sirisë.