Izraeli po mban zgjedhjet e dyta parlamentare në pesë muaj dhe votuesit do të vendosin nëse kryeministri me shërbimin më të gjatë në vend, Benjamin Netanyahu do të mbetet edhe më tej në pushtet.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rreth 6.4 milionë votues të regjistruar mund të hedhin votën e tyre në 10 mijë e 788 vendvotime.
Anketat e fundit flasin për një konkurrencë të ngushtë ndërmjet Partisë Likud të Benjamin Netanyahut, që mund të fitojë rreth 32 vende në parlamentin 120 vendesh dhe rivalit të tij kryesor, ish shefit të ushtrisë, Benny Gantz, që mund të fitojë një numër të ngjashëm vendesh në Knesset.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen pas dështimit të zotit Netanyahu për të ngritur nje koalicion qeverisës pas zgjedhjeve të muajit prill.
Pas zgjedhjeve të prillit, ai u përfshi në disa afera korruptive me aktakuza të mundshme, kështu që fushata e tij kësaj radhe ishte ngjyrosur me manovrime për të siguruar imunitet.
Ofer Kenig, një analist politik i Institutit të Demokracisë në Izrael, tha se situata juridike e zotit Netanyahu është e ndryshme. “Ai është shumë më i brishtë sesa ishte në muajin prill”, tha ai.
Lista e përbashkët arabe, mund të luaj rol historik në ngritjen e një koalicioni qeverisës, nëse arabët, që përgjithësisht nuk votojnë, vendosin megjithatë të marrin pjesë në zgjedhje.
Partia e së djathtës ekstreme “Izraeli – Shtëpia jonë” e drejtuar nga ish ministri i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, mund të dyfishojë numrin e vendeve në parlament dhe të luaj një rol vendimtar për të ardhmen politike të zotit Netanyahu./voa