Kompania izraelite që operon në sektorin e prodhimit të sistemeve të navigimit për industrinë automotive, NNG Grup ka shprehur interes për të hyrë edhe në Shqipëri. Pavarësisht orientimit të saj tradicional duket se në marrëdhënie me Shqipërinë janë parë me interes edhe sektorë të tjerë. Vetë Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve bëri me dije se kompania NNG Group ka shprehur interes për të hyrë në tregun shqiptar duke investuar në sektorë potencialë si infrastruktura, energjia, turizmi elitar si dhe krijimi i qendrave industriale dhe ato të start-up.
“Përveç investimeve direkte në fushën e aktivitetit të saj, kompania mundëson lobime të ndryshme me kompani të tjera izraelite për të investuar në sektorët e sipërpërmendur, me preferencë në projekte investimesh të mëdha në vlerën e mbi 50 milion Dollarë. Kompania me qendër (seli) në Izrael, ka një shtrirje të gjerë të investimeve në vende të ndryshme të botës, si SHBA, Kinë, Rusi, Hungari, Austri, Zvicër, etj. dhe së fundmi ka nisur të investojë edhe në rajonin e Ballkanit, si në Kroaci dhe në Malin e Zi. Presidenti i kompanisë NNG Group, zoti David Wiernik, ka planifikuar të vizitojë Shqipërinë gjatë muajit Maj 2018” nënvizohet nga AIDA e cila u ka bërë thirrje investitorëve vendas që duan të kenë bashkëpunime të paraqesin projektet e tyre.
Kompania NNG Group sipas faqes së saj zyrtare është një furnizues global softwaresh për industrinë automotive. Kjo lidhet me navigimin hibrid, sigurinë kibernetike. Orientimi kyç i saj është ajo e bashkëpunimit me industrinë automotive, e cila së fundmi po merr një vëmendje të veçantë edhe në vendin tonë për shkak se tashmë janë disa kompani që operojnë në industrinë mbështetëse. Të tillë janë gjermanët e Forschner që aktualisht kanë tre fabrika aktive si dhe PSZ Albania.
Së fundmi, industrisë i janë shtuar edhe francezët e “Delmon Group”, me një fabrikë në Elbasan, kurse koreanët e “Yura” gjatë këtij viti pritet të vendosen në Fier./monitor