EKSKLUZIVISHT PËR ARGUMENTUM
Nga Dr. Jorgji KOTE*
Sipas të dhënave nga burime zyrtare dhe publike të kohës, ideja për ngritjen e Murit të Berlinit u miratua qysh në Mars 1961 në Moskë, gjatë një mbledhjeje të Traktatit të Varshavës. Gjithsesi, në një Konferencë Shtypi më 15 Qershor 1961, në përgjigje të pyetjes së Anna Marie Doherr, korrespondente e të përditshmes prestigjioze gjermane “ Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ish-kreu i RDGJ-së së asaj kohe, Ulbricht pati deklaruar se “ askush nuk synonte ngritjen e ndonjë muri”.
Ajo që ndodhi më vonë e përgështroi haptazi Ulbrichtin. Historiani gjerman Mathias Uhl, pas kërkimeve në arkivat ruse, ka gjetur të zbardhur Protokollin e bisedës sekrete telefonike ndërmjet Hrushovit dhe Ulbrichtit, zhvilluar më 1 Gusht 1961, as 2 javë përpara ngritjes së Murit. Eshtë një bisedë 75 minutëshe, e botuar në Librin e tij më më 2009 “ Die Teilung Deutschlands ( Ndarja e Gjermanisë). Në atë bisedë janë trajtuar aspektet politike, gjendja në RDGJ, prapambetja ekonomike, motivet justifikuese, efektet dhe pasojat e ngritjes së Murit në jetën politike të të dy Gjermanive e më tej. Ulbrichti ka kërkuar ndihmë me krah pune edhe nga Bullgaria dhe Polonia, ndërkohë që Hrushovi u tregua i gatshëm për të dërguar të rinj komsomolas, si “ ndihmë për RDGJ-në”.
Gjatë asaj bisede u miratua edhe justifikimi për fabrikimin e Murit monstruoz, që Ulbrichti pas dy javësh do ta quante “ mburojë mbrojtëse antifashiste”
Kështu, pas miratimit sovjetik, të dielën e 13 Gushtit 1961, saktësisht në orën 01:54, me mijra trupa të policisë dhe milicisë gjermanolindore, të mbështetura nga një arsenal i tërë makinerish dhe tankesh, të rreshtuara të gjitha në vijën e ndarjes, filluan ngritjen e Murit të Berlinit. Brenda natës, në një gjatësi prej 46 km brenda qytetit dhe 110 km ndërmjet tij dhe pjesës perendimore gjermane, me gardhe dhe tela me gjemba, filloi të bëhej izolimi i pjesës lindore nga ajo perendimore; me 18.200 shtylla betoni, mbi 150 ton tela me gjëmba, etj.
Ngritja e këtij Muri lidhet drejtpërsëdrejti me arritjet e mëdha e në një kohë rekord të Gjermanisë Perendimore të realizuara në periudha dhe situata të tendosura, kur ish-Bashkimi Sovjetik bënte çmos pë ta penalizuar dhe paralizuar demokracinë e atjeshme.
E kundërta po ndodhte në pjesën lindore. Në vend të pretendimit për një Gjermani më të mirë, nën sundimin e 1 milion trupave ushtarake ruse, atje po instalohej me shpejtësi marramendëse një tjetër diktaturë e egër, e kuqe; ishin kufizuar të drejtat dhe liritë themelore; vendi po varfërohej si rrjedhojë e papunësisë në rritje; për ndjekjen, përgjimin dhe persekutimin e atyre që mendonin ndryshe ishte ngritur një aparat gjigand me një emër të tmerrshëm STASI të drejtuar nga njeriu më i frikshëm dhe i urryer i të gjithë gjermanëve, Erich Rielke. Pakënaqësia rritej dita ditës, duke arritur kulmin me rebelimin antikomunist të 17 Qershorit 1953. Rregjimi gjermanolindor po dëshmonte pohimet e disa rretheve marksiste në Ish – RDGJ-në se atje në fakt kishte “ socializëm për pushtetarët, por jo për masat” Megjithë ndërrimin e kupolës së kuqe gjermanolindore, pakënaqësitë dhe dështimet ndiqnin njeri tjetrin.
Edhe pse RDGJ-ja përfaqësonte vendin më të zhvilluar të Lindjes komuniste, duke pretenduar të kthehej në një “ Prusi të Kuqe”, sërish njerëzit po e kërkonin lumturinë në pjesën perendimore. Gjatë periudhës 1949 – 1961, numri i atyre që kishin kaluar në perëndim kapi shifrën e 2,5 milion vetëve. Vetëm gjatë periudhës Janar – Gusht 1961, në pjesën perendimore kaluan 160.000 refugjatë lindorë! Shkurt, Berlini Lindor nuk arriti të bëhej “ vitrina” e socializmit fitimtar dhe model për pjesën perendimore, por “ kafazi” i turpit. Kjo kishte një domethënie të madhe politike, pasi Berlini përfaqësonte vijën e demarkacionit ndërmjet dy botëve dhe sistemeve, Lindjes dhe Perendimit, kapitalizmit dhe komunizmit, hapjes dhe mbylljes, të kaluarës dhe të ardhmes, izolimit dhe integrimit.
Ja, pse, pikërisht në këto momente, u ideua dhe u ndërtua ky Mur, si rrugëdalje nga gjendja pa rrugëdalje ku ndodhej RDGJ-ja dhe lindja komuniste në përgjithësi.
Për ngritjen dhe funksionimin e tij u vu në përdorim një makineri gjigande e sofistikuar, duke e kthyer Murin e Berlinit në një impiant të vërtetë vdekjeprurës. Në fakt, plotësimi dhe perfeksionimi i tij vazhdoi deri në vitin 1964. Ndërsa sofistikimi i mëtejshëm teknologjik deri në fillim të viteve 80. Fillimisht, gjatësia e tij përbëhej nga 12 km pllaka betoni dhe 137 km tela me gjemba; por, pas vitit 1964, ai u kthye në një kufi të vërtetë, me të gjitha pajisjet e nevojshme.
Në fazën përfundimtare, Muri i Berlinit përbëhej nga 4 breza të përforcuar. Brezi i parë ishte 4 metra i lartë, me blloqe betoni; brezi i dytë ishte një zonë e ndriçuar me prozhektorë ose “zona e vdekjes”, me gjatësi prej 20-100 m; quhej kështu pasi kushdo që do të tentonte të hynte në atë zonë, vritej në vend; brezi i tretë përbëhej nga kanale dhe transhe për të penguar depërtimin e automjeteve; ndërsa brezi i katërt, ishte një trase e patrulluar, me kordonë me roje të shumtë, me 302 kulla vrojtimi, nga të cilat 32 ndodheshin brenda qytetit të ndarë dhe 20 bunkerë.
Ngritja e Murit frenoi ndjeshëm numrin e tentativave për kapërcimin e kufirit, i cili u reduktua deri në 5.000 vetë deri në vitin 1989. Gjithsesi, dëshira për të shkuar në anën tjetër të kufirit, urrejtja për rregjimin dhe shpresa se një ditë ai Mur do të shkërmoqej fermentuan dhe më shumë ndjenjën e lirisë dhe të demokracisë te miliona gjermanolindorë.
Të dhënat për numrin e viktimave janë të ndryshme, por sipas një studimi të fundit, mendohet se janë 136 të vrarë. Dëshmori i parë i Murit, i riu 18 vjeçar, Peter Fechter ra 1 vit pas ngritjes së tij, më 17 Gusht 1962. Në vendin ku ai u vra nga rojet policore në përpjekje për t’u larguar për në perëndim, në “Bernauer Strasse” në Berlin, është ngritur një Memorial, ku çdo vit përfaqësues të klasës politike dhe mijra e mijra njerëz të thjeshtë shkojnë dhe përulen me nderimin dhe respektin më të madh para kujtimit të tij dhe gjithë martirëve të tjerë të mëvonshëm të Murit. Ndërsa viktima e fundit e Murit ishte 20 vjeçari Christian Gueffray i cili u vra më 5 Shkurt 1989, diku pranë qendrës së Berlinit.
Nga ana tjetër, pranohet gjerësisht se ngritja e Murit ishte një katastrofë për imazhin dhe propagandën komuniste gjermano-lindore dhe në përgjithësi për kampin e lindjes. Arratisjet për në pjesën perendimore filluan qysh ditën e tretë të ngritjes së Murit. Pikërisht ato ditë, “ fotoja që bëri xhiron e botës” e Peter Leibing, e cila u bë menjëherë simbol i Luftës së Ftohtë, ishte arratija spektakulare e një roje kufitare, nga pjesa lindore e Berlinit në atë perendimore, i ndihmuar nga një makinë policie perendimore, nën thirrjet “ hajde këtu” Ishte 19 vjeçari Conrad Schumman, i cili kaloi në sektorin francez e pastaj u vendos në Bavari. Siç do të shprehej dhe gati 30 vjet më vonë, “ jeta e tij u bë plotësisht e lirë vetëm pas shembjes së Murit”
Krahas tentativave të shumta për arrati në pjesën perendimore, për plagosjet dhe vrasjet gjatë tyre, me mijra e miliona dëshmimtarë tregojnë edhe për brengat dhe vuajtjet e tyre shpirtërore të shkaktuara nga Muri. Ato janë të përshkruara në libra, poezi, drama, ekspozita, shfaqje teatrale dhe filma mbresëlënës. Në to, ashtu si dhe në albumet e shumta me fotografi të atyre periudhave sheh psh, çifte të reja që martoheshin dhe vinin tek Muri në përpjekje për të parë e përshëndetur krushqit, vëllezërit apo motrat përtej Murit; sheh prindër që bien fëmijtë dhe i mbajnë hopa, duke u munduar t’u tregojnë se ku janë gjyshërit, hallat apo dajat e tyre; apo fëmijë që luajnë të mërzitur me top, të penguar nga hapësirat e ngushta të Murit, që pyesin të habitur ushtarët se çfarë ruajnë ashtu me automatik tek dora, familjarë që ndahen me lot ndër sy, kur ndahen për të shkuar në dy anët e Berlinit, dhjetra linja hekurudhore, metro, etj të ndërprera nga Muri, etj, etj.
Ngritja e Murit përshkallëzoi më tej shqetësimin e madh në kancelaritë perendimore, në atë situatë ndërkombëtare edhe ashtu tejet të ndërlikuar e kërcënuese. Po atë vit, më 27 Tetor 1961, në pikën e famshme të kontrollit “ Checkpoint Charlie”, në qendër të Berlinit, gati sa nuk kishte shpërthyer një betejë me pasoja të paparashikueshme ndërmjet tankeve sovjetike dhe amerikane. Hrushovi, qysh në vitin 1958 kishte kërkuar çmilitarizimin e Berlinit Perendimor, që ai të mbetej qytet asnjanjës. Këtë kërkesë ai ia kishte përsëritur Kenedit në bisedimet e tyre në Vjenë, më 4 Qershor 1961. Por, me këmbënguljen e Kancelarit gjerman Konrad Adenauer, Kenedi e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë. Hija e një lufte të mundshme atomike po kërcënonte mbarë njerëzimin.
Të shumta janë debatet dhe diskutimet, madje dhe kritikat mbi reagimin, sipas tyre jo të mjaftueshëm të kancelarive perendimore, e sidomos Administratës së Kenedit lidhur me ngritjen e Murit te Berlinit, që u bë kryengjarja e botës në atë kohë. Por, duket se në këto diskutime dhe debatet hera herës të nxehta, nuk merret sa duhet parasysh, për të mos thënë se nënvleftësohet roli i madh i binomit jetik kosto – alternativë në politikë, sidomos në të tilla raste. Harrohet se pranimi i sfidës dhe provokimeve sovjetike për një ballafaqim të ri ushtarak do të kishte një kosto të pallogaritshme për të gjitha palët. Ajo do të krijonte një situatë “ lose – lose”, pra ku të gjithë do të ishin humbësa. Për më tepër kur, siç dëshmoi përvoja e mëvonshme, perëndimi pati dhe përdori alternativa më të mira, me më pak rreziqe dhe me një çmim më të arsyeshëm politik dhe njerëzor. Këtë ka patur parasysh Kenedi atë mëngjes të 13 Gushtit, kur e njoftuan se po ngrihej Muri i Berlinit, e ai u përgjigj me gjakftohtësi se më mirë një Mur se një luftë.
Gjithsesi, një gjë është e sigurt dhe ndihmon për të sqaruar pozicionin amerikan të asaj kohe; pavarësisht nga ngritja e Murit të Berlinit, tre parimet e saj thelbësore në Berlin nuk ishin prekur: prania e trupave aleate; aksesi i lirë në Berlin dhe ekzistenca e Berlinit Perendimor. Për këtë Kenedi kishte dhënë garancitë e tij më 25 Korrik 1961, pra vetëm tre javë para ngritjes së Murit, në një fjalim televiziv. Ndërsa, vetëm pak ditë pas ngritjes së Murit, Kenedi dërgoi në Berlin zëvendësin e tij, Presidentin e ardhshëm, Lindon Johnson dhe gjeneralin e famshëm Clay; ky i fundit kishte drejtuar sektorin amerikan në Berlin pas lufte. Mbi të gjitha, Presidenti Kenedi bëri vizitën e tij historike në Berlinin Perendimor më 26 Qershor 1963 me fjalimin e tij, mes egzaltimit të mbi gjysëm milionë vetëve që nisi dhe u mbyll me pohimin emblematik “ Ich bin ein Berliner:” – Unë jam Berlinez » Ishte goditja e parë që e tronditi nga themelet atë Mur, i cili u shemb 28 vite më vonë.
*Ky fragment është shkëputur me shkurtime nga libri i autorit “ Berlini pa mure”
© 2022 Argumentum