Nga data 23 deri më 30 Prill, zemra e kryeqytetit shqiptar do të pulsojë në ritmet e kulturës së pasur të Maqedonisë së Veriut, përmes edicionit të ri të Javës Kulturore të Maqedonisë së Veriut. Ky aktivitet i shumëpritur vjen si një festë ndërkulturore, që ndërthur traditën dhe bashkëkohoren, artin, muzikën, teatrin dhe gastronominë, duke ofruar një përvojë unike për të gjithë dashamirësit e kulturës.
Java Kulturore organizohet nga Qendra Kulturore dhe Informative e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë dhe Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, si dhe Bashkisë së Tiranës.
Një kalendar i pasur aktivitetesh kulturore
Në kuadër të kësaj jave të veçantë, publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një sërë aktivitetesh që pasqyrojnë identitetin dhe kreativitetin e Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë:

- Koncerte novatore, si “Eyes to the Future”, një bashkëpunim artistik i pazakontë midis pianistes maqedonase Ema Popivoda dhe DJ-së shqiptare Rea Lemnusha. Ky performim unik bashkon pianon klasike, pianon elektronike dhe DJ-në në një sintezë të fuqishme të ritmit dhe harmonisë – një metaforë muzikore për shpresën, optimizmin dhe bashkëpunimin ndërkulturor në Europën e sotme.
- Ekspozita kostumesh tradicionale, ku vizitorët do të kenë mundësinë të zbulojnë trashëgiminë etnografike dhe mjeshtërinë e artizanëve maqedonas nëpërmjet veshjeve që tregojnë historinë dhe bukurinë e rajonit.
- Degustime verërash autentike, nga kantinat më të njohura të Maqedonisë së Veriut. Vizitorët do të mund të shijojnë verërat më cilësore, të prodhuara në një vend me një traditë të hershme në kultivimin e rrushit dhe artin e verës.

Një urë mes dy vendeve dhe shumë zemrave
Java Kulturore e Maqedonisë së Veriut në Tiranë nuk është vetëm një festë artistike, por një ftesë për të forcuar lidhjet kulturore dhe miqësinë mes dy vendeve. Ajo vjen si një mundësi për të ndërtuar ura përmes artit, për të promovuar bashkëpunimin rajonal dhe për të ndarë me publikun vlerat, historinë dhe kreativitetin që Maqedonia e Veriut sjell në skenën kulturore ballkanike dhe europiane.
Ejani të festojmë së bashku! Një javë plot ritëm, ngjyra, shije dhe emocione ju pret në Tiranë! Zbuloni kalendarin e plotë të aktiviteteve dhe bëhuni pjesë e kësaj feste të vërtetë kulturore që shtrihet përtej kufijve dhe fton të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e një përvoje të paharrueshme.
Kujtojmë se “Javët Kulturore Ndërkombëtare” është një platformë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që sjell një seri eventesh, të cilat kanë si qëllim njohjen dhe përqafimin nga publiku të kulturave të ndryshme botërore, për të krijuar një të ardhme sa më frymëzuese që na bashkon në diversitet.
Çdo javë i dedikohet një kulture të caktuar botërore që afrohet në sofrën mikpritëse shqiptare nëpërmjet aktiviteteve që përcjellin më së miri pasurinë e këtyre kulturave përmes filmave, melodive, arkitekturës, kostumeve, kulinarisë dhe trashëgimisë.
Fokusi kryesor i kësaj nisme është krijimi i urave lidhëse, nxitja e kreativitetit dhe shkëmbimit kulturor me sytë drejt inovacionit, si një mjet i domosdoshëm për t’i dhënë zgjidhje dhe alternativa sfidave të përbashkëta që bota po kalon, përmes qasjeve të reja artistike e kulturore.
© 2025 Argumentum