Tiranë – Java Kulturore Polake 2025 fillon të hënën, me një aktivitet hapjeje në mbrëmje tek instalacioni “Reja”. Ansambli Polak i Këngëve dhe Valleve “Silezia” do të interpretojë valle tradicionale polake dhe do të përfshijë publikun në një kërcim spontan “Polonez”, pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore të Njerëzimit të UNESCO-s. Në skenë, atyre do t’ju bashkohet edhe Ansambli i Këngëve të Valleve Popullore (AKVP). Të nesërmen, do të ofrohet një seancë mësimore e vallëzimeve tradicionale polake për studentët e Fakultetit të Kërcimit në Akademinë e Arteve.
Monika Filipina, një autore dhe ilustruese polake e librave për fëmijë, e vlerësuar me çmime, do të zhvillojë Workshope Arti për fëmijët në Teatrin e Kukullave. Monika Filipina ka shkruar dhe ilustruar mbi 50 libra të botuar në mbarë botën, në më shumë se 20 gjuhë. Ajo do të takojë gjithashtu fëmijë, prindër dhe edukatorë, në Shtëpinë e Evropës, për të shpjeguar se si lindin tregimet dhe për të paraqitur një përzgjedhje të veprave të saj.
Shfaqja e dy filmave polakë, në Akademinë e Arteve, do t’i ofrojë publikut një mundësi për t’u përfshirë në bashkëbisedim me regjisoren e filmit fitues të çmimeve ndërkombëtare, Joanna Kos-Krauze, mbi tema sa individuale, aq edhe universale. “Papusza” (Papusha – në gjuhën rome) tregon një histori unike të një poeteje rome (cigane), poezia e së cilës, e zbuluar rastësisht, tregon diversitetin e kulturave në Poloni. “Birds Are Singing in Kigali” (alb. “Zogjtë po këndojnë në Kigali”) trajton përvojën e krijimit dhe transmetimit të traumës. Pas shfaqjeve, znj. Kos-Krazue do të zhvillojë një seancë mësimore me studentët e Fakultetit të Teatrit dhe Filmit, në Universitetin e Arteve.
Dy trajnerë profesionistë të Federatës Polake të Volejbollit do të zhvillojnë seanca stërvitore me një grup të rinjsh shqiptarë të shkollës “Ismail Qemali”. Gjatë stërvitjeve do të përzgjidhen ekipe lojtarësh, për të luajtur një ndeshje finale me ekipet e trajnuara nga Federata Shqiptare e Volejbollit, në shkollën fillore “Vasil Shanto”.
Javën kulturore polake do ta mbyllin koncertet e grupit polak të xhazit JAH Trio, si pjesë e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit në Shqipëri. Grupi do të performojë në Tiranë dhe Shkodër, në formacionin e tij të plotë: Jan Jarecki – piano, Michał Aftyka – kontrabas, Marcin Sojka – bateri. Michał Aftyka është fitues i çmimit “Fryderyki”, që është vlerësimi më i rëndësishëm në industrinë muzikore polake.
/Argumentum.al