Jean-Marie Le Pen, themeluesi i partisë së ekstremit të djathtë të Frontit Kombëtar të Francës, i cili tronditi vendin kur arriti në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në 2002, ka vdekur në moshën 96-vjeçare.
Ish-parashutisti, i cili udhëhoqi partinë nga viti 1972 deri në 2011, u dënua vazhdimisht për komentet në lidhje me Holokaustin, të cilin ai dikur e hodhi poshtë si “thjesht një detaj historie”.
Vajza e tij Marine Le Pen mori udhëheqjen e partisë në vitin 2011 dhe e përjashtoi atë katër vjet më vonë, duke kërkuar të distancojë lëvizjen nga reputacioni i tij ekstremist. Partia që atëherë është riemërtuar Tubimi Kombëtar (RN).
Familja e Le Pen tha në një deklaratë se ai kishte qenë në një institucion kujdesi për disa javë dhe ai vdiq në mesditë të së martës “i rrethuar nga të dashurit e tij”.
Le Pen, një mohues i Holokaustit dhe kundërshtar i zëshëm i imigracionit, racës dhe gjinisë, e themeloi partinë e ekstremit të djathtë në vitin 1972.
Në vitin 2002, ai shkoi në balotazh në zgjedhjet presidenciale ku humbi ndaj Jacques Chirac.
Jean-Marie Le Pen, i dënuar disa herë për antisemitizëm dhe i akuzuar rregullisht për ksenofobi dhe racizëm, mbrohej shpesh duke pretenduar se ishte thjesht një patriot që mbronte identitetin e “Francës së përjetshme”.
Kohët e fundit, Le Pen u përjashtua nga ndjekja penale për arsye shëndetësore në një gjyq të profilit të lartë që filloi në shtator, ku partia e tij dyshohej për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropian. Autoritetet gjyqësore franceze e vendosën Le Penin nën kujdestari ligjore në shkurt, me kërkesë të familjes së tij, pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, raportuan mediat franceze.
Ai kishte qenë me shëndet të dobët për një kohë të gjatë.
Le Pen u dënua në vitin 1990 për një deklaratë të bërë në radio në vitin 1987, ku ai i quajti dhomat naziste të gazit “thjesht një detaj në historinë e Luftës së Dytë Botërore”.