Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht dha dorëheqjen nga qeveria e kancelarit Olaf Scholz të hënën, pika kulmore e shqetësimeve për aftësinë e saj për të drejtuar forcat e armatosura të Gjermanisë në një kohë kur vazhdon lufta në Ukrainë.
Dorëheqja e saj vjen në një kohë kur Gjermania është nën presion për të miratuar rritjen e mbështetjes ushtarake ndërkombëtare për Kievin dhe aftësitë mbrojtëse të Gjermanisë janë vënë në pikëpyetje pasi disa tanke këmbësorie Puma dolën jashtë shërbimit gjatë një stërvitjeje të fundit ushtarake.
Trynia për të emëruar një ministër të ri është edhe më e madhe pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin pritet të vizitojë Berlinin të enjten dhe do të marrë pjesë në një konferencë të premten në bazën ushtarake amerikane në Ramstein, për të diskutuar për mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën, përfshirë nëse do të dërgohen tanke të prodhimit gjerman.
Kancelari Scholz e pranoi dorëheqjen dhe do të propozojë shumë shpejt emnrin e pasardhësit të zonjës Lambrecht, tha një zëdhënës i qeverisë.
Zoti Scholz ka premtuar se kabineti i tij do të ketë një numër të barabartë burrash dhe grash. Nëse ministri i ardhshëm i mbrojtjes është burrë, kjo mund të rezultojë në riorganizim të mëtejshëm të qeverisë.
Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung tha duke cituar burime qeveritare, se emri i ministrit të ardhshëm do të shpallet të martën.