Editorial
Ky citat i njohur biblik gjen sot një rezonancë të veçantë në realitetin politik shqiptar, veçanërisht në figurën e liderit historik të Partisë Demokratike, z. Sali Berisha. Pas një periudhe të gjatë betejash të vështira – jo vetëm me drejtësinë dhe barrën e rëndë të shpalljes “non grata” nga SHBA, por edhe me ndjenjën e tradhtisë brenda vetë partisë që ai themeloi dhe drejtoi për dekada, ky rikthim është më shumë se një betejë politike.
Kur Sali Berisha deklaroi tërheqjen e tij nga skena aktive politike pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, askush nuk do të mendonte se, pikërisht ai, që dha dorëheqjen bindshëm, do të kthehej pas 12 vitesh, madje më i bindur dhe më i vendosur për të rikthyer pushtetin dhe për të sjellë një rrotacion politik në Shqipëri.
Ndërsa Sali Berisha ngjitet në podiumin e sheshit “Nënë Tereza” për fushatën e tij elektorale përpara zgjedhjeve të 11 majit, është e pamundur të mos vihet re forca, energjia, bindja dhe qëndrueshmëria që ai transmeton përpara mijëra mbështetësve. I gatshëm për të nisur një betejë të re politike, Berisha – tashmë 81 vjeç – nuk ndalet.
Z. Berisha vërtetë kaloi përmes përjashtimesh dhe ndarjesh brenda familjes së tij politike por mbështetja e fuqishme që ai ka sot nga një pjesë e madhe e demokratëve tregon se, për shumëkënd, ai mbetet ende simbol i frymës dhe identitetit të Partisë Demokratike. Ky nuk është thjesht një rikthim në politikë, por një ringritje ndaj padrejtësive që, sipas tij dhe mbështetësve të tij, janë shkaktuar në emër të interesave të ngushta nga kundërshtari i tij politik.
Por përtej këtij katër vjeçari jo të lehtë për z.Berisha, historia politike e tij dëshmoi edhe një herë se figura të tilla nuk zhbëhen lehtë. Berisha nuk zgjodhi të heshtë. Ai u rikthye në garë, u përball me akuzat, mori mbështetjen e një pjese të madhe të anëtarësisë, dhe sot kërkon të marrë sërish drejtimin e vendit.
Ky rikthim nuk është thjesht një përplasje mes figurash apo një luftë për poste. Është një përballje për legjitimitet, për identitetin e së djathtës, dhe për të drejtën që ai kërkon si themelues, udhëheqës dhe simbol i një epoke pluraliste në politikën shqiptare.
Nga ana tjetër kemi Lulzim Bashën, i cili ndërmori vendimin për të distancuar veten nga ish-kryetari i PD-së pas shpalljes “non grata” të tij nga SHBA. Basha e përjashtoi Berishën nga partia, një akt që u cilësua si tradhti nga shumë demokratë. Ky veprim solli përçarje të thellë brenda PD-së, duke krijuar një ndasi të fortë mes anëtarësisë dhe duke ndikuar negativisht në forcën e opozitës.
Pavarësisht se Basha u gjend përballë një furie të madhe dhe të justifikuar të elektoratit demokrat, ai nuk mori përgjegjësinë për të dalë dhe për t’u përballur me ta. Në vend që të shpjegonte arsyet e tij për vendimin e ndërmarrë, ishte vetë z. Berisha ai që ndërmori një tur në çdo qytet të Shqipërisë, nga veriu në jug, për të folur drejtpërdrejt me demokratët dhe qytetarët. Në çdo takim, ai shpjegoi arsyet pse e konsideronte largimin e tij si një puç, jo vetëm ndaj tij personalisht, por ndaj vetë Partisë Demokratike dhe demokracisë shqiptare. Ai e paraqiti këtë proces si të ndikuar nga faktorë të jashtëm dhe interesa që synonin të dobësonin opozitën.
Ky tur i tij u kthye në një mobilizim të fortë politik dhe emocional për shumë demokratë. Mbështetja e bazës në terren, rikthimi në qendër të debatit publik dhe organizimi i strukturave të reja i dhanë një hov të ri levizjes që ai e udhëhoqi drejt ringritjes së tij dhe këtij rikthimi në krye të Partisë Demokratike dhe betejës për pushtet.
Pavarësisht se kaloi gati një vit nën arrest shtëpie, z. Berisha arriti të mbante gjallë elektoratin demokrat dhe qytetarët shqiptarë. Ai krijoi, një miting të përditshëm që mbante aktiv mbështetësit e tij. Kjo forcë e cila mund të dukej e pamundur për shkak të moshës biologjike të z. Berisha, është një pasqyrim i vendosmërisë së tij për të çuar përpara atë që ai e konsideron një puç të organizuar kundër tij, një padrejtësi e orkestruar nga George Soros dhe qeveria në pushtet, për të eliminuar opozitën shqiptare.
Le ti rikthehemi vendimit “non ngrata” ndaj Berishës nga SHBA.
Kujtojmë se Sali Berisha, ish-kryeministër i Shqipërisë dhe lider i Partisë Demokratike, u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 19 maj 2021, për shkak të akuzave për korrupsion që, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, dëmtonin demokracinë në Shqipëri. Ky vendim erdhi pak pasi Edi Rama mori mandatin e tij të tretë në zgjedhjet parlamentare. Vendimi ishte i papritur, duke pasur parasysh faktin se Berisha nuk ishte më në krye të Partisë Demokratike, por vazhdonte të ishte deputet i Parlamentit shqiptar, i tërhequr nga politika aktive.
Sigurisht, jetëgjatësia politike e zotit Berisha si president dhe kryeministër e Shqipërisë ka dritë-hijet e saj. Në këndvështrimin tim, vitet e para të pluralizmit ishin jashtëzakonisht të vështira për vendin, jo vetëm për shkak të hapjes përballë ndryshimeve pas rënies së komunizmit, por edhe për keqmenaxhimin politik dhe qeverisjen e dobët që çoi në krizë të njëpasnjëshme, nga kriza ekonomike te ngjarjet tragjike si kriza e firmave piramidale dhe lufta civile e vitit 1997. Në këtë kontekst, dy momente të errëta të Shqipërisë pas komunizmit i atribuohen zotit Berisha si funksionari më i lartë i shtetit.
Megjithatë, edhe kur ai ishte në opozitë, nga viti 1997 deri në vitin 2005, nuk pati asnjë vendim “non grata” nga SHBA për Berishën. Në fakt, nëse Berisha kishte apo jo përgjegjësi për shkatërrimin e vendit gjatë periudhës 1995-1998 dhe krizat që përmenda, këto çështje janë çështje që i takojnë drejtësisë dhe, po ashtu, SHBA-së. Kjo sepse Berisha ishte aleat i rëndësishëm i SHBA-së në Shqipëri.
Fakti që ai arriti të kthehej në pushtet në vitin 2005 është, për mua, një formë amnistie që SHBA-ja bëri ndaj Berishës për krizën e mëparshme dhe periudhën e kaluar nën qeverisjen e tij.
Periudha e dytë e qeverisjes së Shqipërisë nga Partia Demokratike, me në krye z. Sali Berisha, ka padyshim arritjet e veta. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria mori statusin e Asocim- Stabilizimit, u anëtarësua në NATO, priti presidentin amerikan George Bush, i cili nga Tirana shpalli hapur mbështetje për pavarsinë e Kosovës. U liberalizuan vizat dhe pati një rritje të investimeve në infrastrukturë, etj.
Megjithatë, ka edhe dy momente që e shënojnë negativisht këtë qeverisje tetëvjeçare të Berishës. Njëra është tragjedia e 15 marsit në Gërdec, ku ende nuk janë vënë para drejtësisë ata që mbajnë përgjegjësi për këtë ngjarje tragjike. Po ashtu, një tjetër moment i rëndë ishte protesta e 21 janarit 2011, ku fatkeqësisht humbën jetën katër protestues. Kjo protestë u thirr nga opozita socialiste, për shkak të aferës korruptive ku akuzohej z. Ilir Meta që ishte në koalicion bashkëqeverisje me z. Berisha.
Por dhe kjo protestë e 21 janarit 2011 u sfumua, duke pasur parasysh se Ilir Meta u rikthye në koalicion me Edi Ramën, duke e bërë që Rama ta “amnistonte” Metën. Ai harroi protestën që kishte thirrur vetë, dhe më vonë, si kryeministër, Rama shpalli “dëshmorë” katër protestuesit. Sigurisht, familjeve të tyre iu dha një kompensim financiar, ndërkohë që çdo 21 janar i fton ata në kryeministri, hedh karafila në vendin ku ata u vranë në bulevard dhe i përcjell me një kafe e premtime se drejtësia do të shkojë në vend.
Pra, parë në retrospektivë, këto mosmarrëveshje politike, veprimet dhe manovrat që janë ndërmarrë gjatë qeverisjes së Z. Berisha tregojnë se Sali Berisha ka përfituar një formë ‘amnistie’ si nga SHBA-të, ashtu edhe nga Partia Socialiste.
Ndaj sa i përket vendimit të 19 majit 2021 nga Departamenti amerikan i shtetit ku Berisha shpallej “non ngrata” pas largimit të tij nga pozitat kryesore të Partisë Demokratike dhe pas daljes nga politika aktive, ku ai nuk kishte më një rol të drejtpërdrejtë në qeverisjen e vendit duket si një masë që, në fakt, nuk kishte më efekt të drejtpërdrejtë në jetën politike të Shqipërisë, Kjo shpallje “non grata” u duk më shumë si një masë ndëshkuese e pavlerë, duke marrë parasysh pra se Berisha tashmë nuk ishte në vijën e parë të politikës.
Ndaj, ky rikthim i Berishës është më shumë një çështje morale. Ai e mori përsëri në dorë Partinë Demokratike, i riktheu figurat që ishin përjashtuar nga kryetari, Lulzim Basha, dhe duket se ka konsoliduar bazën e partisë, sigurisht me besnikët e tij në krye. Ndonëse kriza që pësoi Partia Demokratike pas vitit 2021 solli krijimin e dy partive të reja, që dalin si degë të Partisë Demokratike, dhe kjo do të dobësojë dhe fragmentojë votën e elektoratit demokrat në këto zgjedhje. Por duhet theksuar se Berisha, pavarësisht këtyre sfidave, doli më i fortë.
A do të fitojë Berisha në 11 maj, kjo mbetet për t’u parë, por ai ka fituar tashmë shumë në aspektin politik. Një zotëri 81-vjeçar, duket se është i aftë të bëjë për vete, të bashkojë dhe të riorganizojë elektoratin demokrat, duke i dhënë besim dhe shpresë, si një lider i vërtetë. Lidershipi i Berishës, qëndrueshmëria dhe forca e tij janë ato që i takojnë këtij “Çezari”, që ka mbajtur një rol të rëndësishëm në politikën shqiptare për tre dekada.
© 2025 Argumentum