Rrjeti social TikTok do të heqë përgjithmonë funksionin e shpërblimeve të përdoruesve në aplikacionin e përdorur në Francë dhe Spanjë, pas presionit nga rregullatorët evropianë, thanë të hënën Bashkimi Evropian (BE) dhe kompania kineze.
Platforma TikTok Lite mbërriti në Francë dhe Spanjë – të vetmet vende të BE-së ku është e disponueshme – në prill të këtij viti. Përdoruesit mbi 18 vjeç mund të fitojnë pikë për shikimin dhe pëlqimin e videove, të cilat i shkëmbejnë me mallra si kuponë ose karta dhuratash (gift card) përmes një programi shpërblimi.
“Ne ia dolëm të tërhiqnim përgjithmonë programin TikTok Lite Rewards, i cili mund të kishte efekte të varësisë”, tha komisionari evropian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton.
TikTok Lite është një version më i vogël i aplikacionit popullor TikTok, i cili merr më pak memorie në telefonin tuaj të mençur dhe është krijuar për të punuar me një lidhje më të ngadaltë interneti.
TikTok u zotua ta heqë programin nga blloku 27-vendesh dhe të mos ekzekutojë “asnjë program tjetër që do të anashkalonte tërheqjen”, tha Komisioni Evropian në një deklaratë.
Është fitorja e parë e madhe për Aktin e Bashkimit Evropian për Shërbimet Digjitale (DSA), një ligj i ri gjithëpërfshirës që kërkon që firmat digjitale që operojnë në bllok të monitorojnë në mënyrë efektive përmbajtjen në internet për të mbrojtur përdoruesit nga efektet e dëmshme.
Komisioni nisi një hetim mbi aplikacionin Lite në prill për shqetësimet rreth efekteve “varësi” duke e detyruar TikTok-un të pezullojë përkohësisht programin.
Çështja tani është mbyllur pasi TikTok, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, hyri në angazhime të detyrueshme.