Jo vetëm lajm
Nuk ngjan se i përkasin të njëjtit brez. Por duket se janë në të njëjtën rrugë. “Djelmoshat” e Tiranës zyrtare, ditët e fundit po na sjellin mjaft “aromë” nga Kina e largët, ndërsa po sinjalizojnë gjithmonë e më shumë për futjen e atraksioneve të reja të saj në terrenin shqiptar…
Vetëm pak ditë pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, lancoi nismën e festimeve të Vitit të Ri kinez edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, një tjetër zyrtar i lartë ka përcjellë mesazhe të forcimit të bashkëpunimit me palën kineze.
E kemi fjalën për ministrin shqiptar të deleguar për Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili ka zhvilluar një takim të veçantë me ambasadorin e ri të Kinës në Shqipëri, Zhou Ding. Takim ky që ka pasuar edhe me një tjetër të këtij të fundit me koordinatorin kombëtar të Shqipërisë për marrëdhëniet midis Kinës e vendeve të Europës Qendrore e Lindore, Etjen Xhafaj; por gjithashtu edhe me zv.ministren shqiptare për çështjet shumëpalëshe, Artemis Dralo.
Sic bëhet me dije nga këto takime, ambasadori Zhou vlerësoi lart zhvillimin e marrëdhënieve kino-shqiptare dhe tha se sivjet është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, por edhe s
Sipas tij, Kina dëshiron të bëjë përpjekje së bashku me palën shqiptare për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat në kornizën e nismës “Një brez, një rrugë” e të mekanizmit të “Bashkëpunimit 16+1” midis Kinës e vendeve të Europës Qendrore e Lindore, si dhe për të forcuar shkëmbimet shumëpalëshe, duke i bërë marrëdhëniet tradicionale miqësore kino-shqiptare të kenë pandërprerë rezultate të reja.
Kurse kryediplomati shqiptar, Gent Cakaj mësohet se i ka shprehur atij vlerësimin mbi lart sukseset e zhvillimit të arritura nga Kina dhe faktin se Kina është mike dhe partnere e sinqertë e Shqipërisë. Por edhe se Shqipëria përkrah dhe do të vazhdojë të marrë pjesë aktivisht në zbatimin e nismës “Një brez, një rrugë” e të mekanizmit “Bashkëpunimi 16+1”. Gjithashtu, një mesazh tjetër i përcjellë në këto takime ishte dhe ai se Ministria e Europës dhe e Punëve të Jashtme e Shqipërisë dëshiron të ruajë shkëmbimet e ngushta me Kinën në çështjet dypalëshe e shumëpalëshe, për të nxitur shkëmbimet e bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat dhe me qëllim që 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të jetë një viti i arritjeve të pasura për marrëdhëniet shqiptaro-kineze.
Por çfarë është nisma “Një brez, një rrugë”?
Nisma e krijuar në vitin 2013 përfshin miliarda dollarë investime nga Kina për të përmirësuar infrastrukturën rrugore në vendet përgjatë Rrugës së Mëndafshit, e cila e lidh atë me Europën. Kina i bie të shpenzojë kështu 150 miliardë dollarë në vit në 68 vende që kanë nënshkruar për këtë skemë.Një nismë e vlefshme kjo për të treguar synimin e Kinës për të udhëhequr botën në ekonomi dhe që synon të kthejë Euroazinë, një zonë tregtare dhe ekonomike që mund të konkurrojë transatlantiken, ku mbizotëron Amerika.
Viti i ri kinez, tashmë festime edhe në Tiranë
Në prag të festës së viti të ri kinez, 1 shkurt, arti dhe kultura e këtij vendi kanë zbritur në Tiranë. Sheshi “Skënderbej” është pushtuar nga personazhet karakteristike të kulturës kineze. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim edhe me Ambasadën kineze kanë menduar për të sjellë një atmosferë fantastike në shesh, ndërsa nuk do të mungojë spektakli me drita dhe me muzikë karakteristike kineze. Festimet zgjasin 15 ditë dhe përfundojnë me festën e fenerëve kur fëmijët kalojnë me dritat shumëngjyrëshe në një paradë tradicionale që korrenspondon me hënën e plotë.