Kryeministri britanik, Boris Johnson, është paralajmëruar për trazira civile në Uells nëse ai do të largonte Mbretërinë e Bashkuar nga Bashkimi Evropian (BE) pa një marrëveshje, raporton Anadolu Agency (AA).
Në vizitën e tij të parë zyrtare si kryeministër në Uells, Johnson u takua me ministrin e parë Mark Drakeford dhe realizoi bisedime në lidhje me Brexit-in, ndikimet e saj dhe mundësitë e supozuara që ka për Uellsin. Johnson po ashtu u takua me fermerët në Uells të cilët dhanë një paralajmrim të ashpër të ndikimeve të paraqitura nga një Brexit pa marrëveshje.
“Mendoj se unioni që është Mbretëria e Bashkuar është më shumë në rrezik sot sesa në çdo kohë në jetën time politike”, tha Drakeford në një deklaratë, duke shtuar se “kryeministri duhet të mendojë për të ardhmen e Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë serioze”.
Gjatë takimit, Drakeford paralajmëroi Johnson-in për dëmin e rëndë që një Brexit pa marrëveshje do t’ia bënte bujqësisë së Uellsit dhe jetës rurale të fermerëve dhe komuniteteve të saj. Për më tepër, një Brexit pa marrëveshje do të provokonte mosbindje civile nga ata që varen prej saj.
“Ne nuk po flasim thjesht për një ekonomi këtu. Ne po flasim për një mënyrë të tërë të jetës që ekziston me shekuj dhe që do të vihet në rrezik në një mënyrë që ajo kurrë më parë nuk është vënë”, tha lideri i Uellsit.
Drakeford foli për një çështje demokratike me të cilën Johnson përballet me atë se një Brexit pa marrëveshje kurrë nuk ishte një opsion në fletët e votimit të referendumit për dalje nga BE-ja në vitin 2016 dhe si i tillë nuk ka popullaritet në Uells si kudo tjetër në Mbretërinë e Bashkuar. Për më tepër, Partia Konservatore në pushtet nuk ka asnjë shumicë në Uells dhe si e tillë axhenda e saj nuk pranohet.
Gjatë vizitës së tij, kryeministri britanik vizitoi edhe fermat ku fermerët e Uellsit paralajmëruan atë që të përgatitet për trazira masive civile nëse do të miratonte një Brexit pa marrëveshje dhe se një përfundim i tillë do të kishte ndikim katastrofik në bujqësinë e Uellsit.
Sindikatat bujqësore të Uellsit javën e kaluar paralajmëruan se protestat do të shpërthejnë nëse Mbretëria e Bashkuar largohet nga BE-ja pa një marrëveshje dhe se ata do të zhvillojnë një fushatë për të ndaluar Brexit-in tërësisht, me qëllim për të parandaluar kolapsin e afërt të bujqësisë së Uellsit.
Të hënën, Johnson vizitoi Skocinë dhe zhvilloi bisedime me ministren e parë skoceze, Nicola Sturgeon, e cila i tha kryeministrit se Skocia nuk votoi për Brexit-in dhe paralajmëroi se pavarësia skoceze ishte alternativë e vetme për një Brexit pa marrrëveshje.
Johnson u zgjodh kryeministër më 23 korrik nga anëtarësia e Partisë Konservatore pasi mori 92.153 vota. Ai vazhdimisht ka thënë se është në favor të largimit nga BE-ja pa marrëveshje dhe se Mbretëria e Bashkuar do të përparojë në një skenar të tillë.