Në një përgjigje të dhënë për Gazetën Express nga zyra e kryediplomatit të BE-së, Josep Borell, thuhet se nisma të tilla rajonale duhet të përfshijnë të gjithë rajonin.
Përgjigja përmend edhe samitet për Ballkanin Perëndimor që do të organizohen nën patronazhin e BE-së gjatë 2020-tës si një mundësi e mirë për të avancuar axhendën e integrimit ekonomik të rajonit.
“Bashkëpunimi rajonal është një element kyc për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e gjashtë marrëveshjeve të arritura në kuadër të Stabilizim Asociimit. Është e rëndësishme që iniciativat rajonale të përfshijnë të gjithë partnerët në rajon, dhe të bazohen tek rregullat e Bashkimit Europian, të mbështetura mbi përgjegjësitë e marra më herët. Liderët tashmë kanë një mundësi të shkëlqyer për të zhvilluar një axjendë ambicioze mbi të ardhmen e integrimit ekonomik rajonal, në funksion të Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb”, citohet të ketë thënë një zëdhënës i BE-së.
Të pyetur edhe përse shefi I diplomacisë europiane nuk mori pjesë në samitin e fundit të organizuar në Tiranë, nga BE sqaruan se në “Shqipëri janë përfaqësuar nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor.”
Ne gjithmonë ndjekim nga afër Samitet e Ballkanit Perëndimor si dhe zhvillimet që ndërlidhen me iniciativat rajonale në Ballkanin Perëndimor”, ishte përgjigja e zyrës së Borell.