Eksluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Stefani NOVA
“2019-ta është një numër i mangët. Dhe për rrjedhojë, nuk është një numër perfekt”… Këtë shpjegim jep kabalistika për kodin numerik të vitit që po përmbyllim. E njohur si shkenca antike, që aplikonin kryesisht hebrenjtë ortodoksë, ajo merr përspër të analizojë pikërisht ndikimin e një kodi numerik në periudha të caktuara të fatit. E mesa duket, ata që në hershmëri nuk paskëshin qenë aspak optimistë për kodin “na ra për pjesë” ta mbanim në kalendarin tonë jetësor plot 365 ditë me radhë…
“2019-ta është një numër i mangët. Dhe për rrjedhojë, nuk është një numër perfekt”… Këtë shpjegim jep kabalistika për kodin numerik të vitit që po përmbyllim. E njohur si shkenca antike, që aplikonin kryesisht hebrenjtë ortodoksë, ajo merr përspër të analizojë pikërisht ndikimin e një kodi numerik në periudha të caktuara të fatit. E mesa duket, ata që në hershmëri nuk paskëshin qenë aspak optimistë për kodin “na ra për pjesë” ta mbanim në kalendarin tonë jetësor plot 365 ditë me radhë…
Dhe jo vetëm… Mosperfeksioni kabalistik i 2019-tës duket se u përshfaq jo vetëm në jetët tona individuale, por edhe në atë të një rajoni të tërë. Ballkani, perëndimorësinë gjeografike të të cilit e zëmë edhe ne si qytetarë të Shqipërisë në mënyrë modeste, nën këtë kod numerik mund të thuhet se kaloi një vit aspak të lehtë. Me thëngjij të kuq nën hi vatre, që nëse do t’u hidheshin ca shkarpa sipër, me siguri që do ta ndiznin një zjarr. Pse jo. Që mbeten ende të tillë dhe vitin e ardhshëm. Edhe pse gjithmonë sipas kabalistikës, ai ka për të qenë me siguri i mbarë, pasi hebrenjtë ortodoksë kanë vlerësuar qëkur se 2020-ta është një kod numerik “ëngjëllor”. Le ta shpresojmë këtë pra edhe për Ballkanin, i cili po përmbyll një vit aspak të lehtë.
***
1. 2019-ta ka qenë viti kur papritur u sendërtua një konflikt i ri mes Serbisë dhe Kosovës. Këtë herë, për shkëmbimet e territoreve. Një temë mjaft sensistive kjo, e shfaqur në mënyrë të beftë plot dy dekada pas pretendimit se mes këtyre vendeve lufta kishte marrë fund njëherë e mirë. Por ja që avionët e NATO-s mbi qiellin e Begradit nuk kanë mjaftuar për ta shuar mërinë mes dy popujve, e cila mesa duket do të zgjasë. Edhe pse këtë vit, me mjaft honore u përkujtua 20-vjetori i këtyre bombardimeve, si një shenjë lavdie e Perëndimit se arriti të përmbyllë një epokë ballkanase gjaku.
Kujtojmë se sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të NATO-s filluan më 24 mars të vitit 1999, pak para orës 20:00, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana dhe u mbyllën më 12 qershor më dorëzimin zyrtar të Serbisë, duke firmosur humbjen. Të paktën kështu u komentua atëherë, por ja që Serbia sot nuk shfaqet edhe aq humbëse. Madje, ajo ka gjetur më në fund edhe kurajon të jetë pretenduese: Të shkëmbejë me Kosovën territore, të papëmbyllura mirë sipas saj gjatë marrëveshjeve të pas-luftës. Një pretendim ky që shkaktoi përgjatë gjithë këtij viti një katrahurë të vërtetë diplomatike dhe politike, zhurma e së cilës shkoi deri në korridoret e Uashingtonit dhe të Kremlinit zyrtar. Por që nuk mbeti pa përfshirë as edhe Shqipërinë, pas mbështetjes së një aksioni të tillë nga qeveria e saj. Konkluzioni? Ende asgjë konkrete dhe një frikë permanente e Kosovës se kjo gjë po realizohet në vitin e ardhshëm.
2. Që 2019-ta nuk ka qenë një vit aspak i mbarë ballkanik, mund ta vërtetojmë edhe me protestat që përfshinë kryesisht gjatë nisjes së tij mjaft vende të tij. Nga janari deri në pranverë, Shqipëria u përball me bomba molotov, zjarre dhe dhunë in extremis para institucioneve kyçe të saj, Kuvend dhe Qeveri. Një valë çmendarake, e cila duket se u fashit bashkë me qetsinë e valëve të detit dhe pushimeve të zgjatura të politikës. Po protestat në Serbi i harruat? Ato që i drejtoheshin ashpërsisht presidentit aktual, Aleksandar Vuçiç, i cili edhe sot që po flasim, zotëron hijerëndë pushtetin e kreut të shtetit serb… Edhe këto, protesta të mangëta, pa aritur të finalizojnë qëllimin e tyre kryesor: Rrëzimin e protagonistëve drejt të cilëve ishin ngritur! Edhe këtu mund të themi se ka vlerë shpjegimi kabalistik i 2019-tës?! Pse jo, njësoj si edhe në rastin e Rumanisë, që gjithashtu u përfshi nga një valë e thelluar protestash, pa arritur ama që të ndryshojë realitetin e saj politik, edhe pse me një palë zgjedhje presidenciale që arritën ta ndryshojnë kreun aktual të shtetit, një përfaqësues ky i pakicës gjermane. Por Rumania duket se mbetet sërish e njëjta. Me të njëjtat kriza dhe sfida. Edhe pse pikërisht këtë dhjetor përkujtoi 30-vjetorin e rrëzimit të regjimit të ish-diktatorit të saj komunist, Nikolai Çausheshku. Po. Rumania atëherë e rrëzoi, madje edhe e pushkatoi si qen, së bashku me të shoqen. Por a ia doli vallë?!
3. Dhe meqë dolëm tek përvjetorët. Ky vit ka patur shumë të tillë në Ballkan e jo vetëm. Mjafton të kujtojmë 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, që u kremtua me aq pompozitet. Natyrisht, një ngjarje historike kjo, nga e cila u ndikua atëherë mjaft edhe Ballkani, për të mos thënë që gjithçka ndodhi pas saj në rajonin e tij ka qenë pasojë vetëm e saj. Rrëzim i komunizmit dhe hapje me Perëndimin. Hapje kjo, nga e cila duket se përfitoi e para Sllovenia, e më pas pretenduan të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë…
4. Të flasësh për 2019-tën dhe Ballkanin, nuk mund të mos të të sillen ndërmend edhe qeveritë e reja të krjuara në disa prej vendeve të tij, disa të shoqëruara edhe me mjaft surpriza, siç është ajo e re e Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit të ri Albin Kurti, i ardhur në këtë detyrë pas fitores së partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje dhe mënjanimit të të njohurve nga të gjithë si “gjeneralë të luftës”, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, apo Hashim Thaçi. Tasmë Kosova pritet të drejtohet nga “gjeneralë të post-luftës”, duke sjellë kështu një risi politike për këtë vend i cili sivjet kremtoi pa asnjë lavdi, si deri dje, 12-vjetorin e pavarësisë së saj.
5. Po negociatat me Bashkimin Evropian i harruat? Ato me të cilat edhe gjatë këtij viti kancelaritë e Perëndimit na rokanisën kokat tona të lodhura dhe të nxehta ballkanike? Rezultati? Nuk ia hapën sërish askujt. As Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut. As në qershor dhe as në tetor. As nuk i kishin plotësuar kushtet sërish medemek….
6. Meqë ra fjala tek Maqedonia e Veriut. Nuk e quanin të tillë në fakt në fillim të këtij viti. Por tani në fund ama, po… Dhe kjo, falë marrëveshjes së Prespës, e sponsorizuar me aq kujdes nga Perëndimi, sipas të cilës ky vend dhet të ndryshonte identitetin e vend, për hir të integrimit drejt strukturave euro-atlantike. Integrim edhe ky i mangët, njësoj si kabalistika e këtij viti, teksa e pranuan vetëm në Aleancën e Atlantikut me të drejta të plota, por aspak në portën hyrëse të Bashkimit Evropian…
E ndërsa ditët, javët dhe muajt ikin, Maqedonia e Veriut pret me ankth çeljen e negociatave me BE-në, qoftë edhe duke e thënë hapur se në këtë rrugë kërkon të jetë e vetme, pa Shqipërinë, e cila sipas saj edhe mund ta ketë penguar…
“Gër-vër”-i i radhës mes dy ballkanasve, njësoj si ai i ditëve të fundit që ka shpërthyer mes serbëve dhe malazezëve, deri edhe me thirrjet për luftë, për hir të ligjit të ri të lirive fetare, i cili përcakton rregulla të reja për kishat sebe në tokën e Malit të Zi…
Që të gjitha, përplasje dhe konflikte që na kujtojnë se jetojmë gjithmonë në Ballkan, “land of fire and war”… Në çdo sekondë, çdo ditë dhe çdo vit. Madje edhe në ata që sipas kabalistikës, duhet të jenë vite ëngjëllore, si 2020-ta qëpo troket në derë… Të urojmë që JO!/argumentum.al/
*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Argumentum.al
© 2019 Argumentum