Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga DR. JORGJI KOTE
Të tilla mund të quhen pa asnjë tepërim zgjedhjet e zhvilluara më 6 – 9 Qershor në 27 vendet anëtare të BE-së. Rezultatet e tyre me fitoret tronditëse të partive të ekstremit të djathtë shkaktuan tërmete të forta politike, sidomos në Francë, Gjermani, Belgjikë, Holandë dhe Austri ku dualën të parët dhe me diferencë kundrejt forcave të tjera, ndëra në Gjermani AfD-ja doli e dyta. Ndërkohë që partitë tradicionale social-demokrate, të gjelbërit dhe liberalët pësuan katastrofa politike. I pari që dëgjoi kumbimin alarmant të këtyre kambanave ishte humbësi më i madh i tyre, Presidenti francez Macron; i poshtëruar me as 15 për qind nga ”Tubimi Kombëtar” i Le Pen me 31,5 për qind të votave, Macron shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare brenda një muaji! Edhe Kryeministri belg Aleksander De Croo paraqiti dorëheqjen më 10 Qershor, mbas disfatës së partisë së tij liberale me 9 për qind, e sfiduar nga ekstremi i djathte në rajonin e Flandrës! Priten në vijim reagimet nga Berlini, Vjena, Praga dhe metropole të tjera europiane.
Po flitet shumë për ” kamnbana alarmi, tërmet politik, katastrofë, triumf” etj sepse momenti gjeopolitik i zgjedhjeve europiane ishte historik për fatet e Europës dhe më gjerë. Ato u zhvilluan mbi 27 muaj mbas agresionit rus kundër Ukrainës, një sfidë e hapur dhe për vetë BE-në. Mbi të gjitha, kur aleatja e saj e madhe, SHBA-të, ndodhen në prag të provës së zjarrit me zgjedhjet presidenciale të 5 Nëntorit me plot të papritura dhe paqartësi.
Datat 6 – 9 Qershori ishin përcaktuese për ripërtëritjen e tribunës më të fuqishme morale dhe politike në botë – Parlamenti Europian dhe tetë grupet e tij politike, për BE-në dhe të ardhmen e saj. Kjo sepse krahas Parlamentit Europian në javët e ardhëshme do të fillojë ristrukturimi i instancave më të larta drejtuese në të tria institucionet kryesore të BE-së – Komision, Këshill dhe Shërbimin e Jashtëm. Do të zëvendësohen të gjitha ekipet drejtuese, me shpresë për një fillim të ri dhe ndryshim cilësor në strategjitë dhe planet e deritanishme të veprimit; këtu përfshihet dhe zgjerimi drejt Ballkanit Perendimor, dialogu Prishtinë – Beograd, etj.
Këto zgjedhje u pritën me vëmendjen dhe interesin më të madh sidomos në rrethanat e intensifikimit të ofensivës së përgjithshme të forcave populiste dhe të ekstremit të djathtë, i cili synonte rritjen e pranisë së tij dhe pse jo më vonë të ”shtrohet këmbëkryq” dhe në Europarlament. Këtë synim e shprehu hapur Kryeministrja italiane, Meloni kur pohonte se ” duam ta bëjmë Brukselin si Roma!” Dhe ky ishte rasti dhe momenti më i mirë për ta dëshmuar këtë synim. Ndaj Meloni u investua vetë si kandidate në këto zgjedhje, për të shtuar shanset zgjedhore dhe ia arriti qëllimit.
Nga ana tjetër, në 10 vitet e fundit, dyshja politike tradicionale që ”ka bërë ligjin” në Parlamentin Europian në Bruksel, Grupimi i Partive Popullore të djathta dhe ai Socialist dhe Social – demokrat e humbën supremacinë e tyre vendimmarrëse në zgjedhjet e vitit 2019, për shkak të “firove” të mëdha dhe rritjes së ndjeshme të peshës dhe numrave të të Gjelbërve, Liberalëve dhe ekstremit të djathtë. Për pasojë, tani kërkohen vazhdimisht aleanca dhe koalicione mes katër grupeve kryesore, sfidë që bëhet dhe më e vështirë mbas rritjes së numrave të ekstremit të djathtë dhe në vendet më të mëdha të BE-së.
Rëndësia e zgjedhjeve europiane shpjegohet dhe me faktin se rezultatet e tyre, ashtu siç priteshin, u kthyen dhe në një votëbesim për performancën e qeverive europiane, sidomos në Francë, Gjermani, Spanjë, Itali dhe Austri; ato mund të konsiderohen dhe si ” prova të përgjithshme” për betejat e ardhëshme politike, duke filluar tani në Francë, më 2025 apo dhe më herët në Gjermani, Çeki, Austri dhe gjetkë.
Këto zgjedhje vërtetuan gërryrjet e mëdha të demokracisë liberale kudo në Europë cila jo vetëm që është venë në dyshim, por dhe e rrezikuar. Dhe kjo jo vetëm në vende relativisht të vogla por me tradita të shquara demokratike, si Finlanda, Suedia, Slovenia, Slovakia, etj, ku ekstremi i djathtë ka ardhur në pushtet duke spostuar partitë tradicionale të majta, por dhe për vende bashkëthemeluese të BE-së, Holanda, Austria, Belgjika, deri te Italia dhe ” boshti/motorri ” i BE-së, Franca dhe Gjermania, ku mbas 9 Qershorit Tubimi Kombëtar dhe AfD-ja synojnë të fitojnë dhe pushtetin qendror. Këtu qëndron dhe rreziku më i madh, te shtetet që qeverisen prej tyre e që vendosin realisht në BE dhe jo në rritjen e numrave në Europarlament ku megjithë rritjen e ndjeshme, ekstremi i djathtë nuk ka ende peshë të konsiderueshme, pa hyrë pastaj në përçarjet brenda tij.
Me përfundimin e këtyre zgjedhjeve, po pritet me interes të madh periudha mbas tyre, si një sfidë tjetër e madhe e funksionimit të demokracisë në BE, duke filluar nga zgjedhja/emërimi i drejtuesve më të lartë të Parlamentit Europian, grupimeve dhe komiteteve të tij të shumta. Për të kaluar pastaj te emërimi i drejtuesve më të lartë të BE-së.
Kryesori këtu është caktimi i Presidentit të ri të Komisionit Europian, ku Von der Leyen kërkon rikonfirmimin në këtë post. Rezultati i kënaqshëm i Grupimit të Partive të djathta Popullore Europiane ( PPE) i cili e ka zgjedhur atë si kandidaten kryesore për atë post është një garanci e fortë dhe e rritur për rizgjedhjen e saj. Gjithsesi, asgjë nuk është ende e sigurt pa kaluar dy instanca madhore vendimtare.
Pengesa dhe sfida e parë e madhe do të jetë Parlamenti i ri Europian që ka dalë nga këto zgjedhje, ku PPE-ja ka vetëm 186 vota nga 361 të nevojshme për miratimin e kësaj kandidature.Ndaj do të duhen detyrimisht marrëveshje dhe kompromise, me çmime të larta me grupimet e tjera politike; Von der Leyen filloi menjëherë takimet me Liberalët dhe të Gjelbërit, për të vijuar me liderët e grupeve të tjera, në përpjekje për të siguruar shumicën e nevojshme Europarlamentare.
Mirëpo si socialistët ashtu dhe liberalët e të gjelbërit janë kategorikisht kundër çdo aleance me radiakalët e djathtë, sepse kjo do ta largonte BE-në dhe më shumë nga parimet dhe vlerate saj themelore, shteti i të drejtës dhe demokracia liberale, do të dobësonte mbështetjen ndaj Ukrainës, politikat e azilit, të mjedisit, etj. Përcaktues këtu do të jetë grupi i Partive Social – Demokrate, i dyti më i madh me 140 vende; mirëpo ata deri tani duket se nuk janë të gatshëm të japin konsensusin; kjo për shkak të qëndrimit të Von der Leyen pro Izraelit mbas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe së fundi gafës së saj të panevojshme lidhur me mundësinë e një koalicioni me ” Vëllezërit e Italisë” të Melonit, edhe pse kjo e fundit e kishte konfirmuar mbështetjen e saj.
Nga ana e tyre, të Gjelbërit e kanë demonizuar Von der leyen për marrëveshjen “ Green deal” e cila u krijoi shumë telashe me fermerët që mbushën rrugët dhe sheshet dhe i vunë zjarrin metropoleve kryesore europiane, duke ndikuar në rezultatin e tyre të mjerueshëm. Ndërsa liberalët e konsiderojnë Leyen si burokraten më të madhe të Brukselit. Edhe populistët dhe ekstremistët, sidomos Le Pen me përjashtim të “Vëllezërve të Italisë” të Melonit e ndonjë tjetri pritet të mos jenë dhe aq të predispozuar sa duken tani, megjithë ndikimin e Melonit te ta.
Kësisoj, nëse Von der Leyen, në pamundësi të një marrëveshjeje me këto grupime do të mundohet ”të flirtojë” dhe të fitojë shumicën e nevojshme me ekstremin e djathtë kjo do të dëmtojë vehten e saj, besueshmërinë dhe efektivitetin e BE-së.
Instanca e dytë dhe vendimtare që do t’i vejë kapakun“ kandidaturës në fjalë është Këshilli Europian. Sepse fjalën e fundit e kanë krerët e 27 Vendeve Anëtare të BE-së në konsensus të plotë. Dhe këtu e djathta ka avantazh me shumicën dërmuese të liderëve, ndërsa e majta ka vetëm 4 të tillë, por dhe ata tejet të dobësuar, edhe pse me peshë, si Macron, Scholz, Sanchez dhe Frederiksen.
Nëse për arsye të ndryshme ky konsensus nuk do të arrihet në Këshill për kandidaturën e Von der Leyen, atëhere loja politike do të nisë nga fillimi me pazaret, lëshimet dhe kompromiset e rastit derisa në Bruksel të dalë “ tymi i bardhë”! Kështu ndodhi dhe më 2019, kur Manfred Weber, Presidenti i PPE-së, ndonëse ishte fituesi i qartë dhe kandidati kryesor i të djathtës europiane për President i Komisionit nuk e kapërceu dot me sukses “murin“ e Këshillit Europian, për shkak të kundërshtimit nga 2 – 3 liderë. Përfundimisht, u emërua Von der Leyen e cila nuk ishte në garë.
Mirëpo, ky skenar i favorshëm, duket se nuk është dhe aq i lehtë këtë radhë, pavarësisht se Von der Leyen ka shumë përparësi. Më konkretisht, Presidenti francez Macron, i cili e promovoi atë më 2019, nuk është më në pozita mbizotëruese si atëhere. Kryesorja, Macron nuk ka më asnjë interes të mbështësë prapë një gjerman(e) në krye të Komisionit Europian. Po ashtu, Kancelari gjerman Scholz, si social – demokrat në pozita tejet të lëkundura ka interes të forcojë pozitat e partisë së vet dhe kandidaturës social – demokrate dhe jo të Von der Leyen.
Në këto kushte, nëse liderëve të BE-së “ do t’u ngecë sharra në gozhdë“ atëhere ata do të propozojnë disa kandidatura rezervë, emra të mirënjohur në politikën dhe ekonominë ndërkombëtare. Midis tyre janë Presidentja e Bankës Qendrore Europiane francezja Christine Lagarde, ajo e FMN-së, emblematiku Mario Draghi, ish drejtori i BQE-së dhe ish Kryeministri i Italisë, etj.
Gjithashtu kandidatë të mundshëm janë dhe Kryeministri grek Mitsotakis, me ndikim të madh te e djathta europiane, Presidenti rumun Johanis dhe kryeministri kroat Andrea Plenkovic. Këta janë të përshtatshëm nëse do të vijë puna për të parapëlqyer drejtues politikë. Ndërkohë, ata mund t’i ndihmojë fati dhe fakti se nga Europa Qendrore dhe Lindore, përfshirë Ballkanin, 20 vjet mbas pranimit të tyre në BE, ende nuk ka patur asnjë president në institucionet më të larta europiane, ndaj pse jo tani?
Madje në “rast rreziku” nuk përjashtohet as Presidentja e tanishme 45 vjeçare e Parlamentit Europian, maltezja Roberta Metzola, edhe pse nuk ka përvojë qeveritare, por shquhet për karizmën dhe oratorinë e saj.
Por, le ta theksojmë që nëse do të ndodhë sërish kështu me “ pazarin politik europian, kjo do të jetë tregues i faktit se megjithë premtimet për demokratizimin e kësaj procedure nëpërmjet të famshmëve “kandidatë kryesorë“ BE-ja nuk e ka mbajtur premtimin e saj. Për pasojë, edhe zgjedhja e komisionerëve, Presidentit të Këshillit, Parlamentit dhe Shërbimit të Jashtëm ka shumë të ngjarë të bëhet prapë nëpërmjet pazareve të ngjashme politike, sipas parimit “më jep të jap“, çka mund ta dobësojë më tej rolin dhe efektivitetin e BE-së.
Mesazhi tjetër negativ në këtë rast do të jetë se që të bëhesh lider fitues europian duhet ta “kesh grurë“ me të gjithë, pra të mos kritikosh dhe kur dikush në BE “bën namin“ dhe “shkel me të dyja këmbët” vlerat dhe parimet themelore, të drejtat e njeriut, median e lirë, shoqërinë civile; më tej, kjo do të thotë që “të zesh me dyllë njerin vesh dhe të mbyllësh njerin sy“ përpara autokratëve dhe diktatorëve të rinj eurokratë, ndryshe ata të hakmerren dhe nuk të japin votën.
Mirëpo, pasojat e këtyre pazareve europiane pasqyrohen në të gjitha kapilarët dhe qelizat e tjera të BE-së deri te titullarët e përfaqësive diplomatike europiane në Ballkan, sipas parimit “ urt e butë dhe plot tiganin” e tyre në dëm të demokracisë. Humbësit më të mëdhenj këtu do të jenë e ardhmja e shtetit të së drejtës, demokracia liberale, zgjerimi drejt Ballkanit Perendimor, të cilat do të duken kujtime muzeale tejet të largëta, të para 30 viteve, të mira sa për të shembur komunizmin, duke lëkundur më tej besimin e popujve te BE-ja dhe idealet e saj; të spostuara “ prapa liste” nga realpolitika dhe interesat pragmatiste, tregtare, etj.
© 2024 Argumentum