Kancelari Olaf Scholz shprehu të dielën shqetësim për ndërhyrjet e miliarderit të teknologjisë Elon Musk në fushatën elektorale gjermane.
“Ajo që duhet të na shqetësojë me të vërtetë është se një njeri si Elon Musk, i cili ka fuqi të madhe mediatike, po mbështet partitë e krahut të djathtë ekstrem në Evropë, për shembull në Mbretërinë e Bashkuar, në Gjermani dhe në shumë vende të tjera,” tha Scholz gjatë një tubim zgjedhor në Schwalbach am Taunus, pranë qytetit perëndimor të Frankfurtit.
“Kjo duhet kritikuar”, shtoi ai. Gjermania shkon në zgjedhjet e parakohshme të 23 shkurtit.
Musk ka lavdëruar Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë si “partinë e vetme që mund ta shpëtojë Gjermaninë” dhe së fundmi zhvilloi një bisedë live në platformën e tij X me lideren e AfD Alice Weidel.
Ai ka qenë gjithashtu shumë kritik ndaj Scholz-it dhe presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier.
Scholz tha se Musk nuk ishte konservatori i parë i pasur që u përpoq të përdorte ndikimin e tij gjatë një fushate zgjedhore.
“Fakti që pronarët e mediave konservatore po bëjnë fushata të ashpra kundër politikanëve socialdemokratë nuk është asgjë e re”, tha Scholz. “Ata gjithmonë janë lejuar ta bëjnë këtë.”
“Fakti që po ndodh nga jashtë është i ri, por mbulohet edhe nga liria e shprehjes”, shtoi ai.
Aleanca konservatore CDU/CSU, e cila aktualisht është në opozitë, kryeson në sondazhet gjermane me rreth 30%, e ndjekur nga AfD me rreth 20%. SPD e qendrës së majtë të Scholz është pas me 16%, e ndjekur nga të Gjelbërit, partneri i tij i koalicionit, me 13%./dpa-argumentum.al