Intervistë Ekskluzive për ARGUMENTUM.al me Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët dhe kandidatin për president i koalicionit “VLEN” në Maqedoni të Veriut, Z. Arben Taravari
Intervistoi: Marjana Doda
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për president i koalicionit VLEN në Maqedoni të Veriut, Z. Arben Taravari në një interviste ekskluzive për Argumentum.al flet për bashkimin e opozitës shqiptare dhe propozimin që u bë nga ky koalicion si kandidat për president i Maqedonisë së Veriut.
“Bashkimi i opozitës shqiptare ishte një fenomen që po ndodhte për herë të parë në vend. Duke qënë pjesë e këtij bashkimi historik vendosa të pranoj propozimin e opozitës pra të VLEN-it për të qënë kandidat i tyre. Propozim i VLEN-it është ofertë të cilën populli e mirëpret”, thotë z. Taravari
Lidhur me përçarjet brenda partisë Aleanca për Shqiptarët, dhe konkretisht bashkimin e Zijadin Seles me koaliconin e BDI-së, Z. Taravari e quan një lëvizje befasuese dhe të trishtuar të ndërmarrë nga Zijadini. “Ishte e vështirë të shikoja mikun e bashkëpartiakun tim, Kryetarin historik të Aleancës që u krijua dhe madhështua pikërisht se donte çlirimin e pushtetit dhe shtetit nga duart e BDI-së t’i bashkohet bash BDI-së”.
Si kandidat për president në krye të shtetit maqedonas, Z. Taravari thotë se një nga pikat prioritare të agjendës presidenciale është distancimi nga “Ballkani i Hapur” “”Ballkani Hapur”, de facto në esencë të tij ka mendësinë e njê Ballkani të Mbyllur deri dhe të rrezikshëm”, shprehet ai.
Sa i përket përfshirjes së mundshme të kryeministrit Rama dhe Kurti në zgjedhjet e RMV-së, Z.Taravari e vlerëson si një ndihmë të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duke thënë se z.Kurti është mbështetës i deklaruar publikisht i VLEN-it. Madje ai thekson se z.Kurti është një nga emrat që di të sjellë ndryshime.
I pyetur për koalicionet e mundshme paszgjedhore, me BDI-në apo dhe me VMRO-DPMNE, kandidati i koalicionit “VLEN” thotë se nuk përjashton asgjë që do të jetë në shërbim të Maqedonisë. “Do të krijojmë Qeverinë e Re me atë ose ato parti të cilat do të jenë pjesë e vizionit për një Maqedoni Ndryshe”, thotë Z. Arben Taravari në intervistën e mëposhtme:
-Zoti Taravari, duke ju falënderuar për këtë intervistë, po e nis me një pyetje të drejtpërdrejtë. Pse vendoset të kandidoni për president të Maqedonisë së Veriut? Pse jo për kryeministër dhe çfarë i ofroni elektoratit që po i kërkoni tju votojnë?
Pērshëndetje! Nuk vendosa të kandidoj por pranova propozimin për të qënë kandidat për president. Tingëllon si lojë fjalësh por në fakt është përgjigjja më konkrete për pyetjen tuaj. Dua të them që unë as nuk e kisha ndërmend të isha pjesë e garës presidenciale. Në momentin që ndodheshim politikisht isha totalisht i impenjuar me dinamikat partiake. Ndërkohë bashkimi i opozitës shqiptare ishte një fenomen që po ndodhte për herë të parë në vend. Duke qënë pjesë e këtij bashkimi historik vendosa të pranoj propozimin e opozitës pra të VLEN-it për të qënë kandidat i tyre. Vendosa sepse opozita Shqiptare është shprehëse e vullnetit më të madh të popullit, ndaj mendoj që çdo propozim i VLEN-it është ofertë të cilën populli e mirëpret.
-Është interesant fakti se në këto zgjedhje të dyfishta në Maqedoninë e Veriut, kryefjala janë partitë politike shqiptare. Opozita përballë BDI-së që prej 23 vitesh ka qenë pjesë e pandashme e qeverisë në pushtet herë me LSDM-në dhe herë me VMRO-DPMNE. Duket një beteje e ashpër politike mes shqiptarëve apo jo?
Që BDI-ja është prej tashmë 23 vjetësh( që për jetëgjatësinë e Maqedonisë si shtet përkthehet 230 vjet pushtet), pra fakti që BDI-ja ka arritur të ndajë pushtetin me parti maqedonase për kaq shumë kohë është tregues i qartë i korrupsionit dhe regjimit të kësaj partie. Interesant është fakti se opozita Shqiptare për herë të parë është e bashkuar dhe fituese që në tavolinë. Qytete të mëdha shqiptare me votë përcaktuese si janë Tetova dhe Gostivari, janë dy domene anti-Bdi që e kanë shprehur me votë pozicionin e tyre. Në Shkup terreni sa vjen dhe ju ngushtohet sepse Izet Mexhiti atje është figura politike më e fortë për shqiptarët. Kumanova është surprizë. Struga dhe Dibra po befasojnë, e kështu me radhë çdo qytet, ndaj BDI-ja është në panik, sepse ka filluar bën gati valixhet për të ikur pas kaq shumë vitesh nga pushteti të cilin e keqpërdori.
-Ish-kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, ka vendosur t’i bashkohet koalicionit zgjedhor të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut. Si e vlerësoni këtë zhvillim dhe sa do të ndikojë kjo në votën e elektoratit shqiptar për koalicionin tuaj dhe konkretisht për partinë tuaj?
Kjo është një nga lëvizjet më befasuese dhe më të trishtuara që e kam parë Zijadinin të ndërmarrë. Ishte e vështirë të shikoja mikun e bashkëpartiakun tim, Kryetarin historik të Aleancës që u krijua dhe madhështua pikërisht se donte çlirimin e pushtetit dhe shtetit nga duart e BDI-së t’i bashkohet bash BDI-së. Gjithsesi…Zijadinin e njoh shumë mirë dhe nuk besoj kurrë që e ka bërë me gjithë zemër këtë bashkim. Ky është një moment aspak i mirë në karierën e tij, dhe dua të besoj se nuk do përcaktojë fundin e tij politik. Nga ana tjetër devijimi dhe ikja e tij me BDI-në ishte një motivim dhe shtim i madh i elektoratit tonë. U quajt si tradhëti nga populli dhe ndëshkimi i Ziadinit do të duket në 8 maj sepse vërtet ishte një lëvizje e padrejtë dhe e pamençur e tij.
-Ndarja e Partivë politike shqiptare në dy blloqe të medha, ka zgjuar interesin e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare. Flas për mbështetjen që përflitet se Kryeministri Rama po i jep Ali Ahmetit, dhe Albin Kurti koalicionit tuaj. Duke ditur dhe mospajtimet politike të theksuara ndërmjet dy kryeministrave shqiptarë, a mendoni se këto zgjedhje po kthehen në demonstrim force të Ramës dhe Kurtit në Shkup? Sa i shërben shqiptarëve në RMV kjo përfshirje e tyre në këto zgjedhje?
Sado dallime të mëdha të ketë midis dy kryeministrave shqiptarë Kurti dhe Rama, ato bashkohen nga një gjë që i tejkalon këto dallime, dhe ajo nga është Etnia e Tyre! Mbeten dy përfaqësuesit më të rëndësishëm politik të Kosovës dhe Shqipërisë. Ndihma e tyre është shumë e rëndësishme për ne. Sa i përket situatës aktuale politike z.Kurti është mbështetës i deklaruar publikisht i VLEN-it. Jam i gëzuar që kemi mbështetjen e tij sepse z.Kurti është një nga emrat që di të sjellë ndryshime, dhe në Maqedoni veçse ka filluar Ndryshimi.
Jeni zotuar se në rast të zgjedhjes si president i RMV-se, do t’i propozoni kuvendit daljen nga nisma rajonale “Ballkani i Hapur”, duke ditur se kjo nismë mbështetet gjerësisht nga kryeministri i Shqipërisë dhe kundërshtohet katërcipërisht nga kryeministri i Kosovës. A është ky qëndrim i juaj ndaj Ballkanit të Hapur për shkak të mbështetjes së Kurtit ndaj koalicionit “VLEN”? Cili është mendimi juaj konkretisht për nismën e Ballkanit të Hapur?
Po. Është nga pikat prioritare të agjendës time presidenciale distancimi nga projekti qesharak “Ballkani Hapur” ku de facto në esencë të tij ka mendësinë e njê Ballkani të Mbyllur deri dhe të rrezikshëm. Dihet publikisht se në këtë projekt nuk përfshihet Kosova si shtet sovran dhe i pranuar nga Serbia, dhe kjo mosnjohje tregon se në fakt futemi të pabarabartë dhe me probleme në projekt. Si mund të pretendohet për respekt reciprok kur dikush as nuk të njeh si shtet?! Që të ketë qarkullim të lirë ndërkufitar fillimisht duhet pranuar kufiri i secilit shtet. Rreziku që sjell ky projekt është që Serbia të normalizojë absurditetin e pretendimit të saj në Kosovë.
Qëndrimi im kundër këtij projekti ka qënë i tillë prej momentit të parë që u njoha me të por më vjen mirë që përkon dhe me qëndrimin e z.Kurti të cilin e kemi mbështetës tonin.
-Duke marrë parasysh rezultatin zgjedhjeve lokale të vitit 2021, ku u tronditen veçanërisht dy partitë politike në pushtet LSDM-ja dhe BDI. LSDM me në krye Zoran Zaev humbi Shkupin, ndërsa Ali Ahmeti humbi bastionin e BDI-së, Tetovën. A mendoni që do të përsëritet ky rezultat edhe në zgjedhjet parlamentare të 2024? A është gati koaliconi VLEN të formoje qeveri me VMRO-DPMNE?
Jam i bindur që do të ketë rokadë politike dhe do të krijojmë Qeverinë e Re me atë ose ato parti të cilat do të jenë pjesë e vizionit për një Maqedoni Ndryshe, mikeshë e shtetasve të saj dhe jo armike që i përzë në mërgim.
-Në retrospektivën politike, koalicionet paszgjedhore kanë prodhuar surpriza të mëdha. Përpos retorikës së ashpër që nxit gara elektorale, a është e mundur një bashkim i dy koalicioneve të partive shqiptare ,”VLEN” dhe “ Fronti Europian”për të formuar qeverinë me LSDM-në?
Aktualisht duket një kombinim i vështirë për shkak të mentalitetit që kanë partitë në pushtet, por nuk përjashtoj asgjë që do të jetë në shërbim të Maqedonisë.
-Sa i përket programit tuaj për zgjedhjet parlamentare, si koalicon ju keni shpalosur katër shtylla kryesore nga programi juaj. A mund ti sqaroni me hollësisht se çfarë mund të bëni ju ndryshe nga qeveritë e deritanishme në pushtet sa i përket integrimit të vendit në BE, ndryshimet kushtetuese, shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal?
E para dhe më e rëndësishmja që përbën Ndryshimin Esencial ne do të angazhojmë njerëz profesionistë, ekspertët e seriozë që do të jenë pjesë e funksioneve. Pra, si i gjithë programi që është hartuar nga ekspertë edhe zbatimi i tij do të bëhet nga ekspertë.
Meritokracia është një mungesat flagrante aktuale që ka sjellë largimin e njerëzve nga vendi, dhe deformimin e atyre që paguhen gabimisht. Kjo ka sjellë një shtet të dobët, plot Korrupsion. Ndryshimi i të punësuarve partiakë me profesionistë, do të jetë ndoshta pika ku do të fillojë gjithçka tjetër. Theksoj se ne nuk do të nxjerrim askënd nga puna në shenjë hakmarrje, madje e kundërta, ne do të shtojmë vende pune por duke vendosur secilin aty ku ka mjeshtri dhe aftësi. Do të krijojmë një Sistem Miqësor që do i mbroj dhe ofroj mundësi sa më të mira nënshtetasve të tij.
-Lidhur me bashkepunimin rajonal. Konkretisht si i konsideroni marrëdhëniet aktuale midis RMV-së dhe Shqipërisë, si politikisht dhe ekonomikisht? Dhe çfarë do të beni për të afruar më shumë dy vendet tona nëse do të jeni në krye të shtetit maqedonas?
Shqipëria është një partner shumë i rëndësishëm strategjik i Maqedonisë dhe një aleat sivlla i shqiptarëve pasi jemi një komb. Dy shtetet kanë shumë për t’i ofruar njëri-tjetrit. Sidomos turizmi i Shqipërisë, i cili është në rritje e sipër dhe po kthehet në një nga më të kërkuarit në botë, do të jetë një sektor ku ne do të mundohemi të krijojmë kushte të veçanta dhe të favorshme për qytetarët tanë. Arti dhe kultura ndërkohë është një nga sferat e rëndësishme që do të përqëndrojmë bashkëpunimin tonë sepse ashtu siç dihet gjuha shqipe është një dokument historik i jashtëzakonshëm 6-mijë vjeçar që mban brenda shumë të vërteta që duhen studiuar dhe kuptuar.
-Ndërsa fushata elektorale ka filluar zyrtarisht, vë re sërish një ndarje të kampeve politike në RMV. Kur do vijë koha që partitë politike si shqiptare apo maqedonase të mos lobojnë vetëm si “shqiptarë për shqiptarët ” dhe “maqedonas për maqedonasit”, por duke kërkuar votën të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut pa dallim etnie?
Në fakt mendoj se mentaliteti i shumicës të partive është “vota për pushtet”…kjo ndarja kinse etnike është një truk mê shumë që përdorin për të aktivizuar popullin që ka ndjeshmëri ndaj kombit…do duhet që intelektualisht të ketë ngritje dhe ekonomikisht padyshim, që të krijohet vetdija politike që nuk bërtitet më me nacionalizma e sidomos në një vend si Maqedonia.
-Përpos të gjitha premtimeve elektorale, për ju si qytetar i këtij vendi së pari dhe më pas si politikan, çfarë është sot jetike për Maqedoninë e Veriut dhe për qytetarët e saj?
Ndryshimi i Sistemit. Korrupsioni dhe metastazat e tij kanë 23 vjet që gërryejnë këtë shtet. Largimi i njerëzve nga vendi, shtëpitë që mbyllen çdo ditë e më shumë tregojnë se ka ardhur piku i durimit. Ndryshimi është imperativ i kohës.
Faleminderit!
©️ 2024 Argumentum.