Nga Jorgji KOTE
Sapo është konfirmuar se ministri i jashtëm 61-vjeçar Didier Reyders ka paraqitur me mbështetjen e qeverisë belge kandidaturën si Sekretar i ri i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës (KiE). Natyrisht që ai ka marrë paraprakisht viston e shumicës së vendeve anëtare. Zgjedhja e tij në këtë post të lartë që është vetëm formalitet do të bëhet nga Asambleja Parlamentare e KiE dhe pritet të fillojë detyrën më 1 tetor.
Kësisoj, Belgjika do të drejtojë për herë të parë organizatën më të madhe panevropiane të themeluar 70 vjet më parë në Londër dhe me seli në Strasburg, pika historike e ballafaqimit, pajtimit dhe miqësisë franko-gjermane dhe evropiane. KiE është prej shtatë dekadash në pararojë dhe kampion i mbrojtjes/zhvillimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut; të mishëruara në Konventën e famshme me 200 protokolle dhe anekse të tjera ligjore dhe të garantuar ligjërisht nëpërmjet Gjykatës së saj autoritare të të Drejtave të Njeriut, ku dhe Shqipëria ka prej vitesh gjykatësin e saj.
Siç dihet, Këshilli i Evropës dhe sekretarja e tij e Përgjithshme Katerine Lalumiere u bënë dritë shprese për vendin tonë në agimin e demokracisë. Shqipëria aderoi në KiE në vitin 1995, kur opozita e atëhershme socialiste kreu një akt politik, qytetar dhe emancipues për atë periudhë; pranoi këtë anëtarësim edhe pse lideri i saj Fatos Nano ishte praktikisht i burgosur politik, me shpresë se gjërat do të shkonin më mirë.
Sikurse pohojnë shumë politologë dhe analistë, Didier Reynders e meriton të jetë në krye të Këshillit të Evropës për shumë arsye; në radhë të parë si drejtues i lartë politik dhe shtetëror me përvojë 35 vjeçare i një vendi si Belgjika, bashkëthemelues i KiE-së, NATO-s dhe BE-së, mbrojtës dhe model i respektimit të të drejtave të njeriut, bujar në pritjen dhe integrimin e shtetasve nga 180 kombësi të ndryshme, i multikulturalizmit, ndihmës dhe mbështetës i forcave dhe proceseve demokratike dhe denoncues i atyre despotike. Belgjika ka qenë dhe mbetet në frontin e parë të betejës kundër terrorizmit, diskriminimit, ndërmjetësuese e krizave në Lindjen e Mesme, Ballkan dhe gjetkë. Ajo renditet e gjashta në Evropë për shumën e ndihmave për vendet në zhvillim me 0,64 nga 0,70 për qind të GDP-së si objektivi i OKB-së; krahas kontributit politik, njerëzor dhe ushtarak në vatrat më të nxehta përfshi Kosovën, Belgjika ka kontribuar me mbi 300 milionë euro me ndihma humanitare për Sirinë, Irakun, Afganistanin, Palestinën, etj.
Tipar dallues i këtij shteti federal dhe me shumë vlera në ditët e sotme është toleranca, mirëkuptimi, konsensusi mbipartiak me gjithë luftën e ashpër politike, bashkëjetesa ndërmjet popullsisë, komuniteteve fetare, gjinore, gjuhësore, etj. Vend i rrallë ku kryeqyteti i tij kozmopolit euro-atlantik ndodhet mes veriut me përbërje dhe gjuhë flamande, protestant dhe industrial, ku qeveris tradicionalisht e djathta dhe jugut valon frëngjishtfolës, katolik, bujqësor dhe ku qeveris historikisht qendra e majtë. Pa harruar dhe komunitetin gjerman në lindje të vendit; të gjithë me qeverinë dhe Parlamentin e tyre, veç nivelit federal.
Qysh nga viti 1985, e sidomos në dy dekadat e fundit, në të gjitha këto dhe të tjera fusha ka dhënë ndihmesën e vet të spikatur e të vlerësuar ndërkombëtarisht Didier Reynders, zv.kryeministër dhe ministër Federal i Financave deri në vitin 2011 dhe nga ky vit e në vazhdim ministër i Jashtëm. Edhe si lider i partisë në pushtet « Lëvizja Reformatore » ( MR) gjatë periudhës 2004 – 2011 dhe në vazhdim si një ndër drejtuesit e saj kryesorë dhe deputet në shumë legjislatura.
Gjatë shtatë viteve në krye të diplomacisë belge, Reynders e ka shfaqur dhe më shumë formatin dhe personalitetin e gjerë shumëplanësh, duke fituar admirimin e kolegëve të shumtë.
Në vitin 2014 – 2015 ai drejtoi me shumë vlerësime Presidencën e Këshillit të Evropës mes krizave të shumta, sidomos aneksimin e Ukrainës nga Rusia, terrorizmi, azili, etj. Gjatë asaj periudhe ai u shqua për prononcime dhe qëndrime të qarta si përfaqësues i KiE-së dhe BE-së kudo që shkoi; një mjeshtër i vërtetë i kombinimit të real politikës me diplomacinë etike, d.m.th. mbrojtjen e parimeve dhe idealeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Dy vitet e fundit Reynders drejtoi fushatën e suksesshme lobuese belge, duke u zgjedhur për vitin 2019 – 2020 anëtare jo e përhershme e KS të OKB-së. Por për këtë jo vetëm u paraqitën platforma bindëse, por vetë Reynders ndërmori disa nisma, duke thirrur në Bruksel konferenca ndërkombëtare të nivelit të lartë mbi gjenocidin, terrorizmin, azilin, dhunën ndaj gruas dhe fëmijëve, etj.
Ai ka qenë nismëtar dhe pjesëtar në të gjitha ekipet e kryediplomatëve evropianë me propozime për reformimin cilësor të BE-së, kundërshtar i vendosur i Brexit, populizmit, ekstremizmit dhe « izmave » të tjerë, një evropianist i palëkundur.
Reynders njihet dhe si dashamirës dhe mik i vendit tonë dhe Kosovës, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Belgjika dhe vetë Reynders kanë mbështetur qysh në fillim proceset demokratike në Ballkan dhe në Tiranë; ishte ndër të parat që i tha: “PO” anëtarësimit tonë në OSBE, KiE, NATO, statusit kandidat dhe çeljes së negociatave të anëtarësimit me BE-në.
Duke punuar si Këshilltar dhe Ministër Këshilltar në Ambasadën tonë në Bruksel nga viti 1997 – 2001 dhe 2011 – 2017 i kam parë dhe ndjerë nga afër këto cilësi të Reynders në takime të ndryshme, bisedime qeveritare dhe raste të tjera. Dashamirësinë e tij ndaj vendit tonë e kemi parë të rrezatuar dhe te bashkëpunëtorët e tij më të afërt të cilët i mbajnë përherë hapur dyert për ne, pa protokoll.
Më 15 Shkurt, Reynders shkoi për vizitë zyrtare në Tiranë duke shpurë dhe ndihma humanitare për familjet e përmbytura në Shkodër. Fill pas asaj vizite, me nismën e tij u ftuan në Bruksel për një jave 10 diplomatë dhe punonjës të administratës sonë publike për një trajnim në kuadrin e BE-së.
Reynders ishte ndër të parët Ministra të Jashtëm të BE-së që shkoi në Beograd e në Prishtinë në vitin 2013 dhe 2014 për të nxitur dhe inkurajuar dialogun e Brukselit. Belgjika dhe Reynders janë ndër të parët që njohën pavarësinë e Kosovës dhe kanë mbështetur përherë anëtarësimin e në organizata ndërkombëtare.
Ndaj, zgjedhja e pritshme e Didier Reynders në krye të KiE-së është arritje e re cilësore e politikës/ diplomacisë belge dhe ngjarje e mirëpritur kudo dhe në Shqipëri./gsh/