Ditët e fundit, lajmi që “BE-ja do vendosë viza për turistët amerikanë” është bërë fokusi i mediave amerikane dhe europiane. Për këtë, autoritetet e BE-së shpjegojnë se ky është një keqinterpretim mediatik. Sipas BE-së, prej vitit 2021, shtetasit amerikanë që do të hynë në zonën Schengen, duhet të certifikohen nga Sistemi Europian i Informacionit dhe i Autorizimit Turistik (ETIAS), i cili nuk është një sistem vize, por një “kontroll i rregullt” për turistët ndërkombëtarë, përfshirë ata amerikanë, me qëllim që të përjashtohen rreziqet e mundshme në emigracion dhe terrorizëm. Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi në një deklaratë se certifikimi nga ETIAS-i nuk është aplikim për vizë dhe “çdo vend ka të drejtë të hartojë standardin e hyrjes”. Është e dukshme se në rrethanën e “largimit dita-ditës” nga njëra-tjetra (ShBA-ja dhe Europa), çdo keqkuptim i vogël ka mundësi të ngjallë trazirë të madhe. Kjo tregon gjithashtu se partneriteti ndëratlantik po bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar, delikat dhe i brishtë.
Vitet e fundit, ShBA-ja dhe BE-ja kanë kontradikta e mosmarrëveshje gjithnjë e më të dukshme në politikat e tregtisë, të sigurisë e NATO-s, integrimin e Europës, politikën e refugjatëve dhe të emigracionit si dhe në qeverisjen globale, madje ranë në konflikte të ashpra e të hapura. P.sh., qeveria amerikane u ankua për buxhetin e ulët të mbrojtjes të aleatëve të NATO-s dhe u kërkoi të shtojnë shpenzimet ushtarake në fund të këtij viti, përndryshe, do të pakësojë përkrahjet në fushën e mbrojtjes. Përballë trysnisë së ShBA-së, Franca dhe Gjermania paraqitën me radhë propozimin për krijimin e “një ushtrie të vërtetë europiane”, që të shkëputet nga mbështetja e ShBA-së. Ky propozim u pa si i “pa vlerë” nga ShBA-ja, e cila pretendoi se “ShBA-ja do të jetë pranë Europës përgjithmonë”.
Ndërsa në fushën e tregtisë, pas shtimit të tarifave ndaj produkteve të çelikut dhe të aluminit nga BE-ja qysh nga 1 qershori i vitit të kaluar, në shkurt të këtij viti, Departamenti Amerikan i Tregtisë paraqiti edhe një raport për hetimin e automjeteve të importuara nga Europa sipas nenit 232 të Ligjit të Zgjerimit të Tregtisë të ShBA-së, duke propozuar shtimin e tarifave prej 25% ndaj automjeteve nga BE-ja. Për këtë politikë BE-ja e dënoi ShBA-në duke thënë se kjo masë e detyron bllokun të bëjë lëshime në bisedimet tregtare. Njëkohësisht BE-ja deklaroi se nëse do të vihet në zbatim kjo politikë, BE-ja do të ndërmarrë kundërmasa.
Aleanca Transatlantike Ameriko-Europiane ka rreth 70 vjetë që është krijuar, por tani midis këtyre dy aleatëve është shfaqur një hendek gjithnjë e më i madh dhe përçarje gjithnjë e më të thellë. Kjo, nga njëra anë, ka të bëjë me qeverinë e tanishme amerikane, që synon politikën “Amerika e para”, nuk respekton mendimet e aleatëve europianë dhe shpërfill interesat e aleatëve europianë. Nga ana tjetër, ShBA-ja dhe Europa gjykojnë ndryshëm prirjen e situatës së botës së sotme.
Raporti i forcave ndërkombëtare po ndryshon thellësisht. Vendet e tregjeve të reja dhe shumë vende në zhvillim kanë pasur zhvillim të vrullshëm dhe kanë forcuar pandërprerë forcën ndikuese ndërkombëtare. Qendra e gjeopolitikës po lëviz drejt Lindjes. Përpara situatës së re, ShBA-ja heq dorë nga “globalizmi” dhe thekson “Amerika e para” për të mbrojtur statusin e vetë si superfuqi. Ndërkohë, BE-ja është e mendimit se multilateralizmi, i formuar pas Luftës së Dytë Botërore, përputhet me interesat e veta dhe duhet mbrojtur. Pikërisht këto mosmarrëveshje përçajnë ShBA-në dhe BE-në.
Për BE-në, Aleanca Ndëratlantike është e rëndësishme dhe duhet mbrojtur në të ardhmen. Por mbrotja e këtyre marrëveshjeve mbështetet te “vetëfuqizimi”, jo “kompromisi”. Ashtu siç tha kancelarja gjermane Angela Merkel, “Nëse do të mbrojmë veten, Europa duhet ta kontrollojë vetë fatin e saj”.