REALPOLITIK FLASH NR. 65
1 – 24 Mars 2023
Shkurt dhe shqip mbi 6 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik Dr. JORGJI KOTE
1.“Kartë e Bardhë“ në Shtëpinë e Bardhë ku më 3 Mars Biden dhe Scholz rikonfirmuan miqësinë amerikano-gjermane dhe vazhdimin e mbështetjes “për aq kohë sa të jetë e nevojshme për Ukrainën“, livrimin e armëve më të sofistikuara, si tanket “Leopard dhe Abrams“ etj. Mesazhi i shumëpritur dhe “kartë e bardhë“ e rëndësishme, sidomos tani që në SHBA dhe Gjermani skepticizmi ndaj kësaj përkrahjeje po shtohet.
2. Boll me “Ballkanin e Hapur! Ky ishte mesazhi i takimit Scholz – Rama në Berlin më 7 Mars. Aty u njoftua se Samiti i Procesit të Berlinit do të bëhet në Tiranë në vjeshtë. Këtë radhë as Rama nuk e zuri me gojë “Ballkanin e Hapur“! Se të “zotërit e shtëpisë“ në Berlin e kanë hequr me kohë nga fjalori; Berlini e ka mbyllur Ballkanin e Hapur se “ bie erë“. Eshtë pa kuptim qoftë dhe si “bisht“ dmth njësi zbatuese dhe plotësuese e Berlinit.
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Sekretariati i CEFTA dhe Tregu i Përbashkët Rajonal na dalin dhe na tepërojnë. Një shuplakë e fortë për Tiranën zyrtare kur Rama më 27 Shkurt në Podgoricë i thurte elozhe Ballkanit të Hapur, duke njoftuar se Samiti i tij do të mbahej atje në Qershor! Ndërsa Procesin e Berlinit e anashkaloi si anësor, madje demek atë e kishte mbajtur në këmbë Ballkani i Hapur!
3. Rutinë Euro – Atlantike ishte Takimi i 40 i Këshillit të Stabilizim – Asocimit në Tiranë, më 15 Mars. I vakët, pa lajm, pa interes dhe jehonë publike, me përjashtim të tërheqjes së qeverisë nga pasaportat e arta » që Rama gjithsesi e quajti « pezullim ». Ndërsa dy projekt liget e tjera të shumëdiskutuara mbeten hapur! Tashmë këto takime janë bërë rutinë dhe retorikë europiane!
Megjithë zhurmën e madhe nga opozita, i tillë mbetet dhe Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit, më tepër një proces verbal i ngjarjeve tw vitity 2022. Përderisa atë vështirë se e njohin dhe ata që kanë porositur hartimin e tij dhe që nuk bënë zë kur Kryeministri Rama e etiketoi “copy and paste“! Konfiskimi i dhunshëm më 22 Mars i ”Prestige Resort” ishte sfidë e vërtetë dhe për këtë Raport.
4. “Hallvë e Ftohtë“ konsiderohet “dakordësia“ midis Vuçiç dhe Kurtit në negociatat më 18 Mars në Ohër. Në fakt, klima dhe atmosfera në prag të takimit nuk ishte aspak premtuese. Vetëm prania dhe këmbëngulja e Borrell, Lajcak dhe Escobar shmangu disfatën diplomatike të radhës. “Hallvë e Ftohtë,“ sepse nuk ka bërë vaki të kërkohet nënshkrimi i një aneksi pa marrëveshjen bazë dhe kjo e fundit të zbatohet pa firmë dhe vulë; kur Beogradi s’heq preambulën se Kosova është pjesë e Serbisë, çka zhvleftëson sovranitetin dhe integritetin territorial. Apo kur Vuçiç e thotë ”copë” se nuk nënshkruan me një vend që s’ka ndërmend ta njohë. Pastaj ironia kur kërkohet asociacion pa njohje të Kosovës, ndonëse ajo i respekton të drejtat e pakicave më mirë se disa vende të BE-së. Ndaj, 11 nenet mbeten më tepër “fjalë të mira dhe gurë në trastë”. Natyrisht, të fituarit e kësaj meseleje pa fund janë negociatorët e BE-së dhe të SHBA-ve që mund të mburren se realizuan një dakordësim të vështirë. Jo pak, kur mendon se pak muaj më vonë në SHBA dhe në BE fillojnë ethet zgjedhore. Por asgjë tjetër nuk pritet, veç vazhdimit të refrenit dhe retorikës së zakonshme të fërkimeve, përplasjeve dhe provokimeve, dhe me ndërmjetësuesit duke vrapuar si “zjarrfikësa“ ndërkombëtarë.
Atëhere, ç‘duhet më tepër që dakordësia në Ohër të quhet “hallvë e ftohtë“?
5.Aleancë, jo asnjanjësi! Ky është përfundimi kryesor politik pas vizitës së Presidentit kinez Xi Jinping në Moskë më 20 – 22 Mars. Ndonëse pretendoi se shkoi atje për paqe me Planin 12 pikësh. Por, le ta themi qysh në fillim se Kinës “asnjanjëse” nuk i intereson disfata e Putinit dhe zëvendësimi i tij me një qeveri demokratike Perëndimore. Ky do të ishte zunam politik, ekonomik, dhe ushtarak për objektivin gjeostrategjik kinezo-rus për shkatërrimin e Aleancës Perendimore.
Por dhe një fitore e shpejtë ruse nuk do t’i interesonte Kinës, mbasi epërsia gjeopolitike do të kalonte te Rusia. Kësisoj, versioni më ideal për Kinën nuk është armëpushimi dhe paqja, por shtyrja e luftës në Ukrainë. Kështu, Kina do të shfrytëzonte lidhjet gjeostrategjike me Rusinë, tregtinë e jashtme, furnizimin me armë dhe municione, etj.
Se sa jetike janë Rusia dhe Kina për njera tjetrën qoftë dhe vetëm ekonomikisht, mjafton të përmendim se vëllimi i tyre tregtar në vitin 2022 u rrit 30 për qind, me shifrën rekord 177 Miliard Euro; blerja e naftës ruse nga Kina 45 për qind, e qymyrit 54 për qind, ndërsa blerjet e gazit natyror “fluturuan“ 155 për qind. Veç kësaj, Rusia zëvendëson nëpërmjet Kinës shumë produkte jetike perendimore. Kështu, importi i veturave nga Kina u rrit 45 për qind dhe eksporti i pajisjeve elektronike nga 40 në 95 për qind,
Ndërkohë, pas bllokimit në sistemin e pagesave ndërkombëtare “SWIFT”, Rusia ka zgjeruar ndjeshëm përdorimin e Jenit kinez; nga 1% në Janar, në 48 për qind në Nëntor 2022.
Përfitimi tjetër i madh për Kinën do ishte mbajtja e SHBA-të dhe BE-në të mbërthyer në atë konflikt, me më shumë hapësirë të lirë veprimi në Paqësor.
Ndërsa Plani kinez i Paqes i shërben interesave të saj gjeopolitike, mbasi “me një gur vret jo dy, por më shumë zogj” Ajo u thotë vendeve në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine se ja, “ ne e bëmë tonën, e sollëm dhe Rusinë në tryezë, por SHBA-të dhe Europa nuk na dëgjuan“! Në qafë paçin vehten!” Së fundi, nuk ngjit fare politikisht që Xi Jinpingu këtej hiqet si paqebërës dhe andej e quan Putinin ” mik të ngushtë” Kur atw e ka takuar 40 herë, ndërsa Zelenskin asnjëherë, as dhe me një telefonatë!
6. Piktura dhe gomone! ishte logoja e vizitave të Kryeministrit Rama në Athinë dhe në Londër më 20 – 24 Mars. Me Greqinë demek “ zero” probleme, asgjë e re me Ligjin e luftës, ndërsa Deti Jon “ as në qiell e as në tokë”. Mesa duket, problemi ynë me Athinën tani mbetet vetëm shitja e pikturave. Ndërsa në Londër, kriza e azilantëve shqiptarë, që kalojnë La Manshin me varka, skafe dhe gomone po ulëret për zgjidhje. Megjithatë, mbas zhurmës populiste me akuza ndaj britanikëve, qeveria jonë ka kapitulluar pa kushte. Por, prapë Rama shfryn dhe jep mend e leksione në Londër!!
© 2023 Argumentum