Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë dhe zhvillimin e procesit sipas standarteve ndërkombëtare
Në një njoftim të dërguar për mediat, KASH përshëndet organizimin e zgjedhjeve dhe thekson se ato u mbajtën sipas standarteve më të mira ndërkombëtare. Këshilli mbështet gjetjet e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit, të drejtuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, i cili vlerësoi zgjedhjet si të rregullta, paqësore dhe gjithëpërfshirëse.
Këshilli shprehu bindjen se klasa politike e Kosovës do të vazhdojë të menaxhojë besimin e elektoratit dhe do të angazhohet për forcimin e proceseve demokratike, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe proceset integruese euro-atlantike. Po ashtu, KASH shprehu besimin se këto zgjedhje do të ndihmojnë në forcimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke përfshirë anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.
Njoftimi i plotë nga KASH
Tiranë, 12 Shkurt 2025
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ndoqi me vemendje procesin e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë të dt. 9 shkurt, të nënta në radhë, që mbas krijimit të Shtetit të ri të Republikës së Kosovës.
KASH përshëndet, në veçanti, zhvillimin e këtyre zgjedhjeve sipas standarteve më të mira ndërkombëtare. Ne bashkohemi me gjetjet e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit, nën drejtimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, sipas të cilëve, zgjedhjet ishin të rregullta, paqësore dhe gjithëpërfshirëse.
KASH falënderon të gjitha grupet monitoruese vendore dhe ndërkombëtare, të cilat vëzhguan procesin zgjedhor të 9 Shkurtit në Kosovë dhe vlerësuan pozitivisht realizimin e tyre.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson sjelljen e elektoratit shqiptar, brenda dhe jashtë Kosovës, dhe atyre të pakicave kombëtare, për të përmbushur detyrën qytetare për t’i dhënë Kosovës institucionet demokratike për qeverisjen e vendit.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen se klasa politike e Kosovës do të dijë ta menaxhoje sa më mirë besimin që i dha elektorati i saj për të çuar më tej proceset demokratike në vend, për të forcuar bashkëpunimin e Kosovës me partnerët e saj ndërkombëtarë, për të nxitur proceset integruese euro-atlantike dhe për t’i dhënë Kosovës vendin e merituar në Kombet e Bashkuara.
/Argumentum.al