Katër ish ministrat e jashtëm i janë drejtuar Bashkimit Europian me një apel të përbashkët për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.
Komisioni Evropian prezantoi komunikatën e tij për Politikën e Zgjerimit të BE-së për vitin 2019, me raportet shoqëruese të vendeve, më 29 maj të këtij viti.
Komisioni Evropian përsëriti rekomandimin drejtuar Këshillit për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, bazuar në progresin e kalendarin e miratuar në qershor 2018 nga vetë Këshilli.
Pavarësisht se është ndoshta politika me e suksesshme e transformimit të BE, asnjëherë me parë politika e zgjerimit nuk ka qenë subjekt i kaq shumë kundërshtive brenda vetë BE. Ne i bëjmë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të mbështesin rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Procesi i anëtarësimit në BE rrit mundësitë për të përmirësuar demokracinë dhe zhvillimin socio-ekonomik, për të siguruar të drejtat e qytetarëve në këto vende.
Përmes monitorimit dhe shqyrtimit të progresit të arritur, BE do të asistojë dhe do të veprojë si partner në këtë proces. Rritja socio-ekonomike e Shqipërisë dhe Maqedonië së Veriut në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE do të kontribuojë vendosmërisht për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e një shteti demokratik, drejtësinë dhe lirinë e shprehjes në të dy këto vende. Nevoja për të filluar procesin e anëtarësimit për të dy vendet përkon me kërkesat e shoqërive të tyre, historisë së tyre dhe vetë rajonit. Ajo përkon, megjithatë, me nevojën e vetë Bashkimit Europian. Pranimi i tyre nuk do të thotë ti bësh nder dikujt, por është pasurim i vetë Projektit Europian.
Ne i bëjmë thirrje shteteve anëtare të BE, por kryesisht dy shteteve kryesore, Gjermanisë dhe Francës, të tregojnë përgjegjshmërinë e duhur për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe Europës dhe të përmbushin premtimet e tyre. Ne u bëjmë thirrje të veprojnë me përgjegjshmërinë e duhur dhe të mos shtyjnë rrugën europiane për këto dy vende. Në këtë kontekst, duhet që Këshilli i Europian i qershorit, pa hezitim, të vendosë një datë për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ish-ministrat e Punëve të Jashtme:
Ditmir Bushati, Shqipëri
Daniel Mitov, Bullgari
Jannakis Kasoulidis, Qipro
Nikolaos Kotzias, Greqi
Ky artikull u publikua sot në këto gazeta: Süddeutsche Zeitung, Ethnos, Panorama, Phileleftheros