Nganjëherë ndodh që një diskutim publik është shumë më interesant për atë që nënkupton, sesa për argumentet e përdorura nga ata që përfshihen në të. I tillë është ndoshta debati që po rigjallëron sektorë të caktuar të Kishës dhe të tjerë të lidhur me të. Debati ka të bëjë me dëshirën ose shpresën (ende jo një projekt) për të parë të rilindë një parti katolikësh, këtu në Itali. Arsyet kuptohen. Nga njëra anë, një pakënaqësi e përgjithshme, e cila bashkon shumë katolikë (por jo vetëm ata), për cilësinë e klasës politike italiane në aspekte të ndryshme të saj. Nga ana tjetër, fakti që në Itali ekziston përsëri metoda proporcionale elektorale: në epokën e gjatë e të artë të partisë katolike (e dyta) – Demokracia e krishterë – ishte pikërisht proporcioni. Pse të mos e shfrytëzonim këtë? Le ta themi me maksimumin e mundshëm të respektit: ky debat më duket pa kuptim.
Politika e identitetit katolik është jashtë kohës. Nuk është marrë parasysh sekularizimi: si është e mundur të spekulohet se këtyre kishave që frekuentohen pak dhe seminareve të boshatisura mund t’u korrespondojnë kuti të tejmbushura me vota katolike? A do të kishte kuptim me të vërtetë t’i jepnim jetë një partie katolike prej 4, 5 apo 8 për qind? A nuk do të ishte një mënyrë mjaftueshëm vetëlënduese t’i jepnim peshë zyrtarisht, publikisht, forcës së saj (tashmë të dobët) politike? Duhet mbajtur gjithashtu parasysh fakti se “perëndimi” i politikës me identitetit katolik, megjithatë, u ka dhënë njëfarë avantazhi këtyre të fundit. Sot një udhëheqës politik i aftë mund të marrë pëlqimin e katolikëve dhe jokatolikëve. Vetëm cilësia si lider dhe propozimet që ai hedh ia bëjnë të mundur këtë. Fakti që ai mund të jetë katolik, sigurisht, nuk do t’i ndalojë jobesimtarët ta vlerësojnë dhe ta mbështesin.
Duke thënë këtë, debati për partinë katolike është interesant për atë që nënkupton. E ka prekur këtë temë Ernesto Galli della Loggia në një shkrim për “Corriere della Sera” më 18 janar, mbi rindërtimin e rolit të katolikëve italianë në politikë. Ajo që nënkuptohet ka të bëjë me mënyrën e formimit të klasave politike në Itali. Siç shihet qartë, zhdukja e partive historike politike të fillimit të viteve ‘90, ka zhdukur edhe seli e kanale, përmes të cilave edukoheshin dhe stërviteshin politikanët e ardhshëm.
Është pikërisht kjo “vrima e zezë” nga e cila kanë hyrë amatorët e shumtë, të cilët janë bërë pjesë e jetës publike italiane, duke u ngjitur deri në pozitat më të larta. Ka të paktën një dritëz racionalizmi (kuptohen arsyet), në faktin se dikush mund të ketë menduar: në qoftë se nuk janë më partitë tradicionale ato që formojnë klasa politike, pse të mos u drejtohemi institucioneve kishtare? Me traditën dhe mençurinë e tyre të lashtë, a nuk kanë ato kapacitetin e mjaftueshëm për formimin e klasave drejtuese që nuk janë të pranishme në vende të tjera? Përveç faktit se edhe ato institucione dhe kapaciteti i tyre i lashtë duket se janë përkeqësuar disi kohët e fundit, mbetet fakti se, dhe pse i kuptueshëm, ky arsyetim është i gabuar. Nëse do të ndiqej kjo rrugë, me një goditje të vetme do të dëmtoheshin demokracia italiane (e prekur në laicitetin e saj) dhe Kisha (e tërhequr zvarrë “për flokësh” në betejat partiake).
Por nevoja që nënkupton ky debat mbetet. Si të krijojmë klasa politike cilësore? Meqenëse palët, siç janë sot (për mirë ose për keq) tashmë i kemi njohur ato, nuk janë më të zëvendësueshme në epokën e rrjeteve sociale, çfarë mund të bëjmë? Një rrugë (ndoshta e vetmja e mundur, të paktën në letër) do të ekzistonte. Më duhet të pranoj se ka dy kundërindikacione të rënda. E para është se çdo rezultat i mirë mund të arrihet në terma afatmesëm dhe afatgjatë. E dyta është se nuk do të ketë një mënyrë të besueshme përsa kohë të ashtuquajturat elita do të vazhdojnë të bëjnë sikur nuk dinë gjë apo të kthejnë shpinën (siç kanë bërë gjithmonë), kur dikush e ngre këtë argument.
Kush dëshiron në të ardhmen elita politike me vlerë, duhet të rindërtojë shkollat, të të gjithë urdhrave dhe gradave, të vlerave; duhet të rivendosë në sistemin tonë arsimor në mënyrë rigoroze si “çelës” meritokracinë. Megjithatë duhet bërë kujdes të mos biem në naivitet e të mendojmë se kjo mund të formojë klasa politike të afta (ky është një paragjykim intelektualizmi që nuk i përket atij që i ka shkruar këto radhë). Jo, pasja e shkollave të tilla cilësore sjell si pasojë formimin e një mase kritike “publiku të vëmendshëm”, që nuk do të kishte predispozitën t’u falte politikanëve gabimet dhe pisllëqet.
Një publik i tillë i vëmendshëm, në masë të madhe, i ardhur nga këto shkolla cilësore, kurrë nuk do t’u kishte lejuar politikanëve të pavlerë, për shembull, të nxisnin politika si ajo kundër vaksinave apo të tjera të ngjashme që na e bëjnë më të rëndë “ajrin” e jetës së përditshme.
Përzgjedhja e klasave më të mira politike mund të jetë vetëm një nënprodukt: rezultat i afirmimit të një publiku (minoritar por ende substancial) të përbërë nga njerëz që janë bërë të dobishëm në sajë të një sistemi arsimor cilësor. Shumë njerëz nuk mund ta përmbajnë veten sot, kur shohin se jeta publike është e mbushur me njerëz mediokër. Por nëse ata nuk e kuptojnë sa peshë ka pasur dhe vijon të ketë në këtë aspekt pikërisht degradimi i sistemit arsimor, atëherë kjo do të thotë se edhe ata vetë janë mediokër. Nuk ka rëndësi, sinqerisht, nëse janë apo nuk janë katolikë./respublica