Komisioni Europian njësoj si Ambasada amerikane në vendin tonë thotë se të gjitha kundërshtitë për procesin zgjedhor të 30 qershorit do të mund të adresohen në institucionet e reja të drejtësisë, konkretisht në Gjykatën Kushtetuese.
“Ne besojmë se çdo pikëpamje e ndryshme rreth procesit zgjedhor mund të adresohet së shpejti nga institucionet kompetente në Shqipëri”, thotë KE.
Komisioni nënvizon se zgjedhjet lokale të zhvilluara në Shqipëri të dielën më 30 qershor u zhvilluan në një kontekst të ndarjes politike, por në një mënyrë “përgjithësisht të qetë dhe të rregullt”.
Komisioni Europian apelon sërish që qeveria dhe opozita të tregojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike.
“Si thuhet në mënyrë të përsëritur: qeveria dhe opozita duhet të demonstrojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike”.
Ai thekson gjithashtu se “të gjitha institucionet shqiptare dhe udhëheqësit politikë tani duhet të përqëndrojnë përpjekjet e tyre në zbatimin e vazhdueshëm të procesit të reformës, duke përfshirë rinisjen e reformës së iniciuar më parë të legjislacionit zgjedhor”.