Dr. Jorgji KOTE
Që BE-ja nuk e njeh Balkanin e Hapur, kjo u pa së fundi dhe kur Kryeministri Rama pyeti virtualisht gjatë Samitit të Ballkan i Hapur më 21 Tetor Komisionerin e BE-së, Oliver Verhalyi nëse kishte ndonjë të re lidhur me mbështetjen e saj. Pyetje fare e kotë, mbasi pikërisht më 14 dhe 17 Dhjetor, BE-ja nuk tha asnjë fjalë për Ballkanin e Hapur në dy takimet e saj të nivelit më të lartë në Bruksel.
Eshtw fakt kokëfortë që megjithë marketingun e sforcuar politik të lidershipit të tij, mbi 2 vjet nga lançimi, Ballkani i Hapur ka mbetur vetëm nismë tripalëshe me plot kundërshtira; madje, dhe në Tiranë, Beograd dhe Shkup ka goxha skepticizëm nga opozita, shoqëria civile, ekspertët, etj.
Pavarësisht nga tam tamet dhe pompa propagandistike, është fare e qartë se me përjashtim të prononcimeve të ndonjë zyrtari europian që gjithsesi janë individuale, apo dhe të ndonjë shteti antar i BE-së, (gjysëm) Ballkani i Hapur nuk figuron në fjalorin dhe axhendën zyrtare të BE-së. Dhe pse në këto 26 muaj të Mini-Schengenit që brenda një « nate vere » ndryshoi etiketën në « Ballkan i Hapur, kur sidomos Kryeministri Rama dhe qeveritarë të tjerë nuk kanë lënë samit rajonal, ndërkombëtar e deri në tribunën e lartë të OKB-së pa u përgjëruar për këtë nismë, sipas tyre epokale ! Vetëm në këto 6 muajt e fundit, Ballkani i Hapur ka mbizotëruar në fjalimet e Ramës në 15 samite rajonale dhe ato të BE-së!
Thënë troç, ky përbën një dështim të madh në sigurimin e mbështetjes së vërtetë politike dhe financiare të BE-së, « çelësi i artë » për të bindur tri « vendet rebele » dhe opinionin publik në të gjashtë vendet për leverdinë e Ballkanit të Hapur. Mirëpo, kush ka punuar dhe e njeh diplomacinë i di mirë pasojat negative të mungesës së referencave ndërkombëtare për një nismë të kësaj natyre. Ca më tepër kur bëhet fjalë për një JO të qartë diplomatike të BE-së ndaj Ballkanit të Hapur, por që fatkeqësisht liderët e tij nuk po duan ta shohin dhe dëgjojnë.
Kjo JO e butë europiane u shpreh një vit pas lançimit të Mini- Schengenit, në Samitin e datës 9 Nëntor 2020 në Sofje, në kuadrin e Procesit të Berlinit, nën kryesimin Bullgaro/Maqedonas. Mini-Schengeni nuk u përmend fare në Përfundimet e atij Samiti. Përkundrazi, në Pikën 11 dhe 12 shkruhet shprehimisht se « liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perendimor u dakordësuan lidhur me krijimin e Tregut të Pëerbashkët Rajonal, si gur themeli i bashkëpunimit ekonomik dhe miratuan Planin e Veprimit 2021 – 2029 që bazohet në 4 liritë themelore të BE-së. Ky Plan Veprimi shtrihet dhe në fushën e dixhitalizimit, ekonomisë së gjelbër, novacionit dhe industrisë. Po ashtu, të gjashtë liderët ballkanikë miratuan Planin e Veprimit Shumëvjeçar për Zonën Ekonomike Rajonale. «
Në vijim, Tregu i Përbashkët Rajonal ( Western Balkans Common Regional Market) përmendet në paragrafët 10 dhe 11 dhe të Deklaratës së Samitit të Brdos më 6 Tetor të këtij viti nën Presidencën sllovene të BE-së. Por, asnjë fjalë për Ballkanin e Hapur! Dhe në të dy rastet këto deklarata kanë patur pëlqimin e 6 liderëve të Ballkanit Perendimor ! Tejet e çuditshme se si ata nuk i janë referuar fare këtij fakti, por vazhdojnë « avazin e Mukes »
Dikush mund të thotë se këto dy samite ishin informale e pa vendimarrje. Edhe pse nuk është tamam kështu, sepse atje tatohet pulsi dhe marrin formë vendimet e ardhëshme në forumet zyrtare, le t’i referohemi Takimit të datës 14 Dhjetor Bruksel, ku Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, dmth ministrat e jashtëm të BE-sër rikonfirmoi këtë Jo. Në Deklaratën e tij përfundimtare nuk gjen asnjë fjalë për Ballkanin e Hapur. Ndërsa në Paragrafin 10, Këshilli nënvizon se « fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë elementë thelbësorë të zgjerimit europian dhe stabilizimit në rajon mbi bazën e rregullave dhe normave të BE-së. Këshilli mirëpret përparimin e bërë dhe riafirmon rëndësinë e Tregut të Pëbashkët Rajonal për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nismat e tjera gjithëpërfshirëse. « Çdo koment është i tepërt. Asnjë fjalë nga Rama- Vuçiç- Zaev ndaj këtij forumi të lartë, përfundimet e të cilit u miratuan dhe nga Samiti i BE-së më 17 Dhjetor, vetëm 3 ditë përpara Samitit në Elbasan dhe Tiranë. Ndaj ishte e pakuptimtë pyetja ndaj Komisionerit Verhalyi nëse BE-ja mbështet Ballkanin e Hapur!!!
Le ta ritheksojmë se të tri dokumentat e mësipërme nënvizojnë se këtë nismë e kanë miratuar të gjashtë liderët e rajonit, madje ata duhet të përshpejtojnë punën për zbatimin e Planit të Veprimit 2021 – 2024, i cili le ta themi, përmban të gjitha projektet dhe marrëveshjet për të cilat flet dhe Ballkani i Hapur. Aty qartësohet në detaje Tregu i Përbashkët Rajonal, duke përmendur dhe mbështetjen financiare ndaj tij në kuadrin e Planit të Investimeve prej 30 miliard Euro.
Tani, idhtarët e Ballkanit të Hapur mund të pretendojnë se ky i fundit është njësi/mekanizëm për zbatimin e Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët. Mirëpo, BE-ja në të tre këto samite e ka bërë të qartë se për këtë qëllim ajo mbështet dhe bashkëfinancon fuqishëm me rreth 60 vende të tjera Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal ( RCC) me qendër në Sarajevë që aktualisht drejtohet nga politikanja shqiptare, Majlinda Bregu. Po ashtu nënvizohet roli përcaktues i CEFTA, e krijuar në vitin 1992 e cila ka kontribuar ndjeshëm në antarësimin e jo pak, por 8 vendeve ish – lindore në BE dhe tani aty janë 6 vendet tona. CETA ka dhe sekretariatin e saj me seli në Bruksel, të cilin e kemi kryesuar dhe ne në vitin 2018. Çuditërisht si RCC-ja dhe CETA nuk përmenden pothuajse fare te Ballkani i Hapur, edhe pse drejtuesit e tyre ishin dhe në Tiranë/Elbasan!
Me këtë gjuhë folën në shtator në Tiranë dhe ish Kancelarja Merkel dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Me mirësjelljen e njohur diplomatike të rastit, ato dhe të tjerë thanë se çdo nismë rajonale është e mirëpritur, por me kusht që të jetë gjithëpërfshirëse, siç është Tregu i Përbashkët Rajonal me « anekset » e veta. Karakterin mospërfshirës të Ballkanit të Hapur që e bën atë jofunksional e përmendi dhe Zëvendës Ndihmësi i Departamentit Amerikan, Escobar në një forum rajonal të paradokohshëm. Sa për Komisionerin Verhalyi, personalisht ai e mbështet Ballkanin e Hapur, por kur vjen puna te « letrat », në Raportin e Komisionit Europian mbi Zgjerimin në fund të Tetorit, ai ka nuk ka thënë asnjë fjalë për Ballkanin e Hapur, por vetëm për Tregun e Përbashkët Rajonal!
Po përse BE-ja nuk e njeh dhe nuk e mbështet institucionalisht Ballkanin e Hapur, ndonëse bazat, synimet dhe objektivat janë të njëjta me Tregun e Përbashkët Rajonal? Ja disa shkaqe kryesore mbi bazën dhe të përvojës time diplomatike të gjatë me problematikat rajonale dhe të BE-së, veçanërisht në Berlin dhe Bruksel.
Së pari, sepse Ballkani i Hapur, është e vetmja nga gati 20 nismat e deritanishme rajonale që filloi dhe vazhdon të mos jetë gjithëpërfshirëse për shkak të problematikave të shumta e të nxehta tashmë të trajtuara gjerësisht. Dy vitet e funksionimit të tij kanë treguar se në vend të bëhej pjesë e zgjidhjes dhe lehtësimit të ngërçit ballkanik, ai është kthyer në pjesë të problemit; madje, më keq akoma në një « mollë të madhe sherri » dhe « mes vedi ». Në këto kushte, duke iu shtuar këtij katalogu shpërthyes axhendash, ai bëhet « too much » dhe për vetë BE/SHBA-të. Ja pse në të tria forumet e lartpërmendura theksohet me të madhe se « nismat rajonale duhet të synojnë forcimin e konsensusit dhe kompromisit politik dhe social-ekonomik, duke reflektuar parimin e gjithëpërfshirjes ».
Së dyti, pavarësisht nga fjalët, nuk është fare e vështirë për t’u kuptuar se Ballkani i Hapur lindi dhe vazhdon si një formë e hapur karshillëku ndaj BE-së. Kështu, Samiti i parë i Mini-Schengenit me 10 Tetor 2019 dhe dy të fundit si Ballkan i Hapur më 28 Qershor dhe 29 Korrik 2021 u organizuan fill pas shtyrjes së çeljes së negociatave me ne dhe Maqedoninë e Veriut. Ky fakt, i përforcuar nga disa pohime dhe qortime alla populiste euroskeptike, nuk mund të mos krijonte dyshime, perceptime dhe hamendësime negative lidhur me Ballkanin e Hapur, si një trysni dhe alternativë « nën mëngë »ndaj BE-së. Kjo u pa qartë dhe më 2 Korrik në Samitin e Forumit të Presmës në Ohër, kur Kryeministri Rama e tha pa dorashka se « ne nuk mund të na tregojë BE se çfarë të bëjmë në rajon !!! Po, na e tregon që çke me atë punë, nëse duam të jemi pjesë e saj! Ndërsa Zaev në Samitin e 21 Dhjetorit u shpreh se kur dështon BE-ja duhet në në rajon të veprojmë !
Veç sa sipër, duke e analizuar dhe politikisht problemin, BE-ja e di se përfituesja më e madhe, jo vetëm ekonomike dhe tregtare, por mbi të gjitha politike është Serbia; brenda vendit për marketing politik dhe për të rritur kuotat zgjedhore të Vuçiç, ndërsa jashtë vendit për të pudrosur e zbukuruar imazhin e saj gjoja moderues në dëm të Kosovës. Kësisoj, nuk do shumë mend për të kuptuar se Mini-Schengeni, duke u paraqitur si nismë serbe e pagëzuar në Novi Sad e që nuk ka të krahasuar me fshatin Schengen midis Francës, Gjermanisë dhe Luksemburgut dhe tani Ballkani i Hapur është goxha « kulaç » për Serbinë; edhe pse BE-ja e ka llastuar ca si shumë Beogradin, paçka se ky i fundit nuk e ka për gjë të kullosë veç BE/SHBA-së dhe në livadhe të tjera Euro-Aziatike. Ca më keq, në këmbim, Serbia po tregon sidomos ndaj Kosovës vetëm « kërbaç »
Shkaku tjetër kryesor është se kur BE-ja nuk ka kursyer asgjë për rajonin, megjithë difektet dhe vonesat, politikisht, teknikisht dhe financiarisht, përse duhet të bëhen protagonistë dhe shpëtimtarë në rajon të tjerët e sidomos Serbia, duke sfiduar dhe lenë në hije BE-në ? Kësa i thonë « dhentë dhe dhitë e Zeres, por nami i Hasan Qerres »
Së fundi, të gjithë aktorët dhe faktorët e lartpërmendur, së bashku me dyshimet dhe hamendësimet e njohura që nuk janë kursesi « mite » por realitete dhe sensibilitete strategjike ndikojnë ndjeshëm dhe në mosarritjen e konsensusit të nevojshëm apo qoftë dhe të një shumice të cilësuar që mungon brenda BE-së për « Ballkan i Hapur » Në një kohë kur ky konsensus i plotë ekziston pa asnjë problem për Tregun e Përbashkët Rajonal.
Nisur nga sa sipër, megjithë qëllimet e shpallura dobiprurëse dhe të ngjashme, Ballkani i Hapur është mbivendosje e panevojshme e Tregut të Përbashkët Rajonal; mirëpo, ndryshe nga ky i fundit, ai nuk e ka besueshmërinë dhe konsensusin e nevojshëm si brenda dhe jashtë tij dhe vështirë se do ta ketë dhe në një të ardhme të afërt. Natyrisht ai mund të vijojë dhe kështu si forum tripalësh ; madje Kryeministri Rama njoftoi se në Samitin e ardhshëm do të ftojnë dhe 3 shtete antare të BE-së. Por dhe sikur 13 apo 23 vende të vijnë, sërish ngërçi do të mbetet pa knsensusin e plotë dhe të nevojshëm për njohjen e Ballkan i Hapur. Ndaj, gjëja më e mirë do të ishte shkrirja e natyrshme e tij te Tregu i Përbashkët Rajonal i Ballkanit Perendimor, « pasardhës » shumë më bindës, efektiv dhe i sigurt i Procesit të Berlinit.