Nga Ali Hoxha
-Ballkani nuk është plotësisht imune prej krizave të ardhshme. Parashenjat i gjejmë tek situata politike në Bosnjë e cila rrëzikon të futet në konflikt edhe 25 vjet mbas paqes së arritur prej marrëveshjes së Dejtonit. Udhëheqësi serb në Bosnjë, Milorad Dodik kërcënoi me krijimin e një autonomie të plotë të Republika Serbskas brenda Bosnjës.
Në anën tjetër, dhe disi në kontradiktë strategjike, në mbedhjen e Këshillit për Stabilizim-Asocimi, në Bruksel, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell kërkoi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që Kosova të implementojë ligjshmërisht kërkesën e palës serbe për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Një kërkesë kjo që nuk u mirëprit dhe u kundërshtua nga kryeministri Kurti.
Për të kuptuar polaritetet e mendimeve brenda kërkesës për implementimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, duhet domosdo të elaborojmë çka përshihet brenda kësaj kërkese. Asociacioni i komunave serbe parashesh dhënien e pakicave serbe brenda Kosovës kompetenca ekzekutive ose me fjalë të tjera, pakicave serbe u jepet një pjesë e bashkëqeverisjes brenda Kosovës sipas modelit boshnjak. Bosnia e cila vet rrëzikon të përçahet nga ambiciet e palës serbe, tregon kjartë se çfarë rezultatesh afatëgjate mund të priten nga realizimi i këtij kushti. Asociacioni i komunave serbe mbështetet mbi idenë që Kosova është shtet multietnik dhe si i tillë duhet të punojë drejt integrimit dhe lejimit të bashkëqeverisjes në mes shqiptarëve që paraqesin shumicën e popullsisë (95%) dhe pakicës serbe që përfaqësin afro 1.5 përqind së popullsisë të cilat me grupet tjera etnike përbëjnë bashkarisht 5%. Ky insistim nga Bashkimi Evropian që Kosova të implementojë asociacionin e zhvendos atë nga një ndërmjetëues të paanshëm në një negociator që transmeton kërkesat e njërës pale. Kjo kërkesë rrëzikon të bie ndesh me këndvështrimin politik të qeverisë kosovare që preferon me çdo kusht të parandalojë një skenar të ngjajshëm si Bosnia. Edhe mbas shumë përpjekjeve për të arritur rezultate përmes dialogut Kosovë-Serbi, tutje ekziston një mosbesim i thellë në mes palëve.
Pala serbe e sheh pavarësinë e Kosovës si akt aggressor dhe pjesë të planit për krijimin e një Shqipërie të madhe që parashesh bashkimin e trojeve shqiptare, ndërsa në anën tjetër, Kosova sheh Serbinë si pretenduese të pandalshme të territoreve në Ballkan.
Ideja për asociacionin nuk garanton parandalimin e një skenari në Kosovë sikur në Bosnjë. Ndaj është e vështirë të gjendet arsyeja mbrapa qëndrimit të BE-së kur kërkon implementimin e asocacionit dhe reduktimin e shtetësisë së Kosovë si kusht për liberlizimin të vizave dhe më tutje për integrim në BE. Më problematik është edhe fakti se kjo kërkesë nuk ka kurrfarë baze që mbështetet mbi fakte historike, statistikore, mbi të drejtën ndërkombëtare, ose ndonjë shembull të suksesshëm prakitik që të jenë argumente të mjaftueshme për imponimin ose përmbushjen e saj. Në të kundërt, ajo bie ndesh me kushtetutën dhe integritetin terriorial të shtetit të Kosovës.
A është mundshme që BE-ja është e stërlodhur me përpjekjën e saj ndaj dialogut Kosovë-Serbi dhe bie në një pozitë të transmetojë kërkesat e palës më të fortë vetëm që të arrijë rezultate më të shpejta? A është e nevojshme që SHBA-të si projektues të pavarësisë së Kosovës, të luajnë një rol më udhëheqës në këtë proces? Dërgimi i emisarëve të posaçëm për ballkanin perëndimor janë indikacion i mjaftueshëm se ky regjion ka nevojë për një vëmendje dhe qasje më serioze.
Sistemi i ri bipolar sigurisht që do të vijë me dinamika të reja gjeopolitike dhe globale. Kjo përshinë reformimin e strategjive dhe politikave të jashtme kundrejt parandalimit të konflikteve me pasoja të rënda dhe mbajtjes së një paqeje më të qëndrueshme sidomos në rajonet që janë më të brishta. Ndryshimet gjeopolitike do të sjellin me vete kriza të reja të cilat do të formësojnë aleanca dhe bashkëpunime të reja. Në ndarjen e globit në sfera të dominimit, pra atë amerikan dhe kinez, është e rëndësishme të kuptohet rreshtimi i Rusisë si përkrahëse më e madhe e Serbisë. Serbia në anën tjetër ka luksin dhe kapacitetet të krijojë partneritete me tre sfera të influencës, pa patur nevojë të rrezikojë pozicionin e vet. Kosova rreshtohet në anën e demokracive liberale dhe ka problem me njohjen e shtetësisë së saj nga Rusia dhe Kina.
Për BE-në, Britaninë dhe SHBA-të nuk duhet të jetë çështje se kë nga palët duhet ta përkrahin kur drejtimi i tyre politik është botërisht i njohur. Prandaj është për t’u çuditur taktikat që përdorë BE për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë-Serbi. Cili është motivi shtrohet pyetja? Për të arritur progres në raportin Kosovë-Serbi, koha luan një rol të rëndësishëm. Sa më shpejt që kërkohen rezultate, aq më kontradiktore janë kërkesat. Sa më shumë i lihet kohë palëve, dialogu rrëzikon të zbehet. Pse i kushtëzohet Kosovës reduktimi i integritetit shtetëtor të saj për të dal nga izolimi? Mos të harrojmë se Kosova ende nuk e ka fituar liberalizimin e vizave e mos të flasim për hapat tjera drejt integrimit në BE, ndonëse kushtet paraprake i ka plotësuar me kohë. A nuk duket kërkesa e Borrellit kontradiktore me qëllimin pacifist të perëndimit? Ekzistojnë vetëm dy shpjegime që mund të justifikonin këto veprime diplomatike.
- Perëndimi është i interesuar të favorizojë Serbinë si udhëheqëse dhe garantuese të Ballkanit, duke lënë raportin e saj me Rusinë plotësisht jashtë këtij kontekstit.
- Perëndimi po mundohet të ruajë status quon duke e vënë Kosovën si subjekt të interpretueshëm sipas avantazheve diplomatike të secilës palë për të mos humbur partneritetin me Serbinë.
Pika e tretë do të duhej të ishte diçka që sipas teorisë së sigurisë kolektive do të ishte edhe më e justifikueshme; krijimin e aleancave perëndimore brenda shteteve të ballkanit në terësi dhe forcimin e tyre për të krijuar një ekuilibër të forcave dhe me këtë një paqe të prezervuar, qoftë relative. Në këtë rast, forcimin e lidhjeve në mes Kroacisë, Kosovës, Bullgarisë dhe Shqipërisë për të ruajtur një balancë forcash që do të parandalonte çdo lloj agresioni serb në të ardhmën. Një iniciativë kjo që do të duhej përkrahur nga NATO dhe i gjithe perëndimi.
Për një kohë bukur të gjatë ballkanin perëndimor e ka përcaktuar satus quo-ja. Establishmenti diplomatik në gjithë ballkanin ka punuar dhe investuar që qeverisjet e shteteve të ballkanit perëndimor t’i qëndrojnë besnik status quos si parakushti i vetëm për të prezervuar paqen në rajon. Në raportin Kosovë-Serbi, status quo do të thotë për Kosovën mbajtja e pavarësisë ndonëse bazuar në planin multietnik si koncesion, ndërsa për Serbinë nënkupton njohjën e pavarësisë së Kosovës ndonëse me kompetenca më të larta ekzekutive për pakicën serbe që jeton në të si përparësi. Pra, lëshimi i njërës palë është përparësia e palës tjetër. BE kërkon që Kosova ta japë një pjesë të shtetësisë për t’u “barazuar” me koncesionet e Serbisë të cilat janë agresioni i saj në vitet e 90-ta.
Në regjonet e brishta dhe konfliktuoze ndonjëherë duhet bërë anime në mënyrë që të ruajnë tensionet brenda secilit shtet. Por në këtë rast, shihet një anim i dukshëm i BE-së tek kërkesa e Serbisë që Kosova ta implementojnë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Siç duket perëndimi nuk e ka më problem që Serbia është shteti më besnik sa i përket marrëdhënieve me Rusinë. Apo ndoshta Rusia nuk paraqitet më si pengesë e vlerave perëndimore? Mund spekulojnë gjerë e gjatë rreth kësaj, por përgjigje nuk do të gjejmë. Shpresojmë vetëm që krizat dhe konfliktet të mos shpërfaqen si përgjigje.
Shtetet perëndimore duhet të reflektojnë dhe të kuptojnë cilët janë partnerët më të besueshëm për manovra strategjike. Në këtë kontekst, Kosovën duhet ta nxjerrë nga intepretueshmëria e saj e vazhdueshme që bëhet pastaj argument në dëm të vet Kosovës dhe e zhvendos BE-në nga një ndërmjetësuese në përkrahëse të njërës palë. Në intepretueshmërinë e Kosovës po zhvillohet lufta e vërtetë.
BE duhet të parandalojë të jap kurajo motiveve pushtuese dhe të mos provokojë shpresa të rrejshme. Ndonëse e përfaqësuar nga një gjeneratë e re politikanësh që ndoshta nuk kanë përjetuar gjenocidin e ushtruar nga Serbia gjatë viteve të 90-ta, ajo duhet të mos harrojë kurrë kapitujt e historisë para se të ushtrojë kërkesat tek pala viktimë. Dialogu Kosovë-Serbi, mbi të gjitha mbështetet në ndërmjetësimin e palëve, një gjë që vështirë mund të arrihet kur ndërmjetësuesi nuk krijon mirëbesimin, por favorizon palën që përfaqëson vlera të kundërta me vetën e saj.