Ministrja e Jashtme e Shqipërisë ka shpërndarë për mediet një njoftim në lidhje me kërkimet për naftë në detin Jon.
Duke marrë shkas nga informacione të ndryshme që kanë qarkulluar në rrjetet sociale për shkeljen e hapësirës detare shqiptare, ministria e Jashtme, deklaron se nuk është kryer asnjë aktivitet i tillë që ka shkelur sovranitetin apo të drejtat sovrane të Shqipërisë në hapësirat detare.
Në njoftim ministrja e Jashtme thekson se në bashkëpunim me ministrinë e Jashtme greke është në monitorim të vazhdueshëm të çdo aktiviteti me karakter eksplorues apo të ndonjë natyre tjetër që është duke u kryer në hapësirën detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe jo vetëm, për të parandaluar çdo ndikim negativ që mund të sjellë për interesat e vendit.
Duke mohuar të gjitha lajmet dhe informacionet që kanë dalë gjatë këtyre ditëve, ministria e Jashtme thekson se institucionet shqiptare janë në lartësinë e detyrës për tu ballafaquar me çdo situatë që mund të prekë sadopak interesat e vendit.
Gjatë dy ditëve të fundit ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari është një prej atyre që ka shkruar vazhdimisht se anije greke të kërkimit për naftë kanë shkelur në pjesën e detit Jon që nuk është delimituar dhe kontestohet nga Shqipëria dhe Greqia. Sipas Meçollarit, me lëvizjet e anijes “Vernicos Sifnos” Greqia ka dhunuar të drejtat sovrane të Shqipërisë në shelfin e saj kontinental.
Reagime të tilla, Ministria e Jashtme e Shqipërisë i konsideron lajme të paverifikuara.