Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me debatet për mundësinë e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, të cilat mund të prekin statusin e gjuhës shqipe. Ky shqetësim ka të bëjë jo vetëm me të drejtat e shqiptarëve në këtë shtet, por edhe me ruajtjen e principeve të shtetit multietnik dhe demokratik të Maqedonisë së Veriut.
Në deklaratën e mëposhtme, Këshilli theksoi se gjuha shqipe është më shumë se një çështje gjuhësore; ajo është një simbol i rëndësishëm i identitetit dhe historisë së shqiptarëve, të cilët janë një popull shtet-formues në këtë vend. Vlerësimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, sipas Këshillit, është rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave të mëdha të shqiptarëve për barazi dhe drejtësi.
Këshilli gjithashtu theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje është një test i rëndësishëm për angazhimin e shtetit ndaj parimeve të barazisë dhe respektimit të të drejtave të pakicave etnike. Në këtë kuadër, çdo përpjekje për të zvogëluar rolin e gjuhës shqipe është kundërshtuese me frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund konfliktit të bazuar në etni dhe krijoi bazat për një bashkëjetesë të qëndrueshme dhe paqe.
Deklaratë e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë mbi ndryshimet e mundëshme kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, lidhur me statusin e gjuhës shqipe.
Tiranë, 10.12.2024
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përcjell me vëmendje të veçantë debatin mbi ndryshimet e mundëshme kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, lidhur me statusin e gjuhës shqipe. Vënia në pikëpyetje e këtij statusi cënon jo vetëm të drejtat e shqiptarëve, por edhe vetë themelet e Maqedonisë së Veriut si një shtet multietnik dhe demokratik.
Gjuha shqipe nuk është thjesht një çështje gjuhësore; ajo është një simbol i identitetit, historisë dhe dinjitetit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të cilët janë një popull shtet-formues në këtë vend.
Vlerësimi i saj si gjuhë zyrtare është rezultat i përpjekjeve të gjata dhe sakrificave të mëdha të shqiptarëve për barazi dhe drejtësi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në këtë çështje përbën një provë të rëndësishme për përkushtimin e shtetit ndaj parimeve të barazisë, unitetit dhe respektimit të të drejtave të komuniteteve etnike.
Çdo përpjekje për të zvogëluar rolin e gjuhës shqipe bie ndesh me frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit, një marrëveshje historike që i dha fund konfliktit mbi baza etnike dhe krijoi bazën për bashkëjetesë dhe paqe të qëndrueshme.
Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut, aktorëve politikë dhe juridikë, si dhe partnerëve ndërkombëtarë, që të mbrojnë arritjet e deritanishme dhe të garantojnë respektimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve si një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të vendit.
Maqedonia e Veriut ka mundësinë të dëshmojë se është një model i suksesit të bashkëjetesës multietnike, dhe ruajtja e statusit të gjuhës shqipe është një gurë themeli në këtë drejtim.
/Argumentum.al