Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e thellë mbi situatën e paprecedentë të krijuar në shërbimin diplomatik shqiptar, duke dëmtuar rëndë imazhin e vendit dhe shërbimin ndaj interesave shtetërore të Republikës së Shqipërisë.
Pjesa më e madhe e Ambasadorëve shqiptarë të akredituar në vende të huaja, kanë hyrë ose janë në mbarim të mandatit të tretë diplomatik në të njëjtin vend.
Pothuajse të gjithë Ambasadorët shqiptarë e kanë tejkaluar mandatin tre-vjecar të shërbimit, sikundër e parashikon ligji për shërbimin e jashtëm 23/2015.
Pas ndryshimit të ligjit, i cili uli kohën e mandatit të diplomatëve jashtë vendit nga 4 në 3 vite, në mënyrë të pashpjegueshme dhe të paarsyeshme, një numër shumë i lartë diplomatësh, jo vetëm kanë kapërcyer këtë kufi kohor, por tashmë janë në ushtrim të mandatit të tyre të tretë. Një numër i madh i tyre kanë tejkaluar prej kohësh edhe vitet e daljes në pension.
Kjo sjellje e pajustikuar e qeverisë shqiptare cënon figurën e diplomatëve shqiptarë, pasi jo vetëm shkel ligjin dhe praktikën ndërkombëtare diplomatike, por edhe i vendos ata në pozita të pamerituara denigruese në raport me kolegët e tyre dhe me qendrat vendimmarrëse të diplomacisë.
Në praktikën ndërkombëtare, kohëzgjatja e mandatit diplomatik vlerësohet si tejet e rëndësishme, me qëllim shmangien e familjarizimit të diplomatëve në vendet ku shërbejnë, zhdërvjelltësimin e aktivitetit dhe kontakteve diplomatike por edhe për ruajtjen e një raporti të drejtë të kohës së shërbimit jashtë dhe brenda vendit.
Përjashtime nga kjo praktikë e konsoliduar botërore janë shumë të kufizuara dhe në asnjë rast nuk ndodh në një vend anëtar të NATO-s.
Ajo që po ndodh prej disa kohësh me diplomacinë shqiptare, qoftë në raport me tejkalimin e skajshëm të mandatit, qoftë me rekrutimet jashtë sistemit, qoftë me përfaqësimin e interesave partiake më shumë se sa shtetërore nga diplomatët shqiptarë është e papranueshme dhe e dënueshme.
KASH i bën thirrje Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme, Qeverisë, Komisionit të Jashtëm të Kuvendi si dhe Presidentit të Republikës që të reflektojnë sa më parë ndaj kësaj sjellje të pa përgjegjshme ndaj shërbimit diplomatik shqiptar.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë solidarizohet me të gjithë diplomatët e shkëlqyer të karrierës, përfshirë ata që janë diskriminuar dhe cënuar në karrierë në mënyrë të pamerituar, edhe pse i kanë shërbyer ndër vite me integritet dhe përkushtim vendit të tyre.
Tiranë, 21 Dhjetor 2022
/Argumentum.al