Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) po i përcjell nga afër zhvillimet rreth dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndër-shtetërore në mes tyre.
KASH thekson se, burimi i problemeve dhe tensioneve në marrëdhëniet në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është fakti se, Serbia mban një qëndrim armiqësor dhe agresiv ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit të saj.
KASH shpreh bindjen se, normalizimi i marrëdhënieve ndër-shtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është parakusht për zhvillimin normal të të dyja vendeve dhe në interes të mbarë rajonit.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron të bëjë të qartë se, asnjëherë nuk do të ketë marrëdhënie normale as në mes të Republikës së Shqipërisë me Republikën e Serbisë dhe as në mes të kombit shqiptar dhe atij serb, përderisa Beogradi nuk njeh pavarësinë e Kosovës.
Angazhimi aktiv dhe parimor i BE-së dhe SHBA-së është i domosdoshëm për të përmbyllur me sukses procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndër-shtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Të dy palët në dialog duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe secila palë duhet të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga dialogu.
KASH shpreh qëndrimin se të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut duhet të trajtohen dhe të zbatohen në mënyrë të barabartë.
Është shqetësues fakti se Republika e Serbisë asnjëherë nuk ka zbatuar marrëveshjen për shuarjen e strukturave të saj institucionale ilegale në Kosovë, si dhe disa marrveshje të tjera. Siç jemi dëshmitar në mënyrë të përsëritur, strukturat kriminale të drejtuara nga Serbia në Kosovë kërcënojnë paqen dhe sigurinë në veri të Republikës së Kosovës dhe ushtrojnë presion të vazhdueshëm ndaj të gjithë banorëve të asaj pjese të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie.
Edhe më shqetësues është tolerimi e madje në disa raste edhe mirëkuptimi që qarqe dhe emisarë ndërkombëtarë tregojnë ndaj këtyre strukturave ilegale dhe sponsorëve të tyre në Beograd.
Për sa i përket marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, KASH sjell në vëmendje se themelimi i kësaj Bashkësie ka mbetur çështje e hapur nga viti 2015 dhe kjo ka ndodhur për shkak të druajtjes së arsyeshme në Prishtinë se ai entitet mund të shndërrohet në instrument të Serbisë për të minuar sovranitetin shtetëror dhe funksionalitetin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Për të shmangur një rrezik të tillë, çdo veprim apo proces eventual lidhur me krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë duhet të ketë për bazë tri parime themelore:
Së pari, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk duhet të cënojë parimet themeltare kushtetuese të Republikës së Kosovës, siç është sovraniteti, epërsia e kushtetutës dhe karakteri unitar i Republikës së Kosovës.
Së dyti, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk mund të jetë strukturë një-entike dhe as pushtet i ndërmjetëm në mes të nivelit qëndror dhe komunave të caktuara.
Së treti, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk mund të trajtohet e shkëputur nga marrëveshja përfundimtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy vende sovrane dhe të pavarura që e njohin njëra tjetrën si të tilla.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen e plotë se Republika e Kosovës, si gjithmonë, do të sillet si shtet i përgjegjshëm, që ruan interesat shtetërore dhe aleancat strategjike, i përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe integrime Euro-Atlantike. Ndërkohë që e vlerësojmë si jo parimor dhe kundër produktiv faktin që presioni ndërkombëtar ushtrohet vetëm ndaj Kosovës dhe vetëm lidhur me një marrëveshje, nga më shumë se 30 që janë nënshkruar.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë dhe të ofrojë mbështetje pa rezervë ndaj Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë që të mos qëndrojnë pasive dhe indiferente ndaj proceseve historike nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës dhe populli i saj dhe që kanë ndikim afatgjatë në paqen, sigurinë dhe zhvillimet në të gjithë rajonin tonë.
Tiranë, 4 Shkurt 2023