Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk u vu të premten në rend dite të takimit të Këshillit të Ministrave të këtij mekanizmi, por zyrtarë të kësaj organizate megjithatë thanë se anëtarësimi i Kosovës nuk është çështje se a do të ndodhë apo jo, por kur do të ndodhë. Një pjesë e vendeve anëtare ritheksuan se kusht për përparimin e Kosovës është hedhja e hapave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Përgjatë diskutimeve pati edhe ide që Këshilli i Ministrave të mblidhet më vonë gjatë vitit në një takim të jashtëzakonshëm për këtë çështje, por pa ndonjë vendim.
“Ky qëndrim është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në Opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë”, shkroi në rrjetet sociale ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
Në muajin prill Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm, por çështja e Asociacionit bllokoi procesin.
Qeveria e Kosovës i dërgoi të mërkurën një letër Këshillit të Evropës me zotimin për të hartuar një projekt statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për ta dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj, ndonëse që më parë udhëheqësit kryesorë evropianë e kishin bërë të qartë se një mundësi e tillë nuk është “as e përshtatshme dhe as e zbatueshme”.
“Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, shkroi zonja Gërvalla.
Gjatë një konference për shtyp në kuadër të takimit të përvitshëm të Këshillit të Ministrave, presidentja e tij, Dominique Hasler, tha se anëtarësimi i Kosovës është përmendur disa herë sot në deklarimet e ministrave.
“Ne kemi pranuar letrën nga Asambleja Parlamentare me rekomandim për anëtarësimin e Kosovës dhe kemi bërë gjithçka që kemi mundur në kuadër të presidencës sonë për ta çuar përpara këtë proces, bashkë me të gjitha vendet anëtare. Këshilli i Ministrave tashmë ka nisur diskutimet mbi këtë çështje dhe aktualisht është duke bërë vlerësimin se si duhet të vazhdohet tutje”, tha zonja Hasler, ministre e Jashtme e Lihtenshtajnit, i cili sot përmbylli kryesimin e Këshillit të Ministrave.
Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte, që sot e tutje kryeson Këshillin, tha se anëtarësimi i Kosovës “nuk është çështje se a do të ndodhë apo jo, por kur do të ndodhë”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një reagim në rrjetet sociale se Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës dhe se kjo është “thjesht çështje kohe”.
“Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë”, shkroi presidentja Osmani.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, tha gjatë takimit të Këshillit të Ministrave se Kosova duhet të përmbushë zotimet e saj ndërkombëtare, ndërsa bëri thirrje për një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit për anëtarësimin e saj.
“Këshilli i Ministrave duhet të veprojë në përputhje me rekomandimin e Asamblesë Parlamentare i cili pasqyron misionin thelbësor të organizatës – të mirëpres të gjitha shoqëritë që kanë përzemër vlerat tona. Ndërsa qeveria e Kosovës duhet të përmbush zotimet e saj ndërkombëtare dhe të dëgjoj me kujdes mbështetësit e vendosur të saj, le të mos humbim më shumë kohë për ta korrigjuar këtë gabim duke ftuar një mbledhje tjetër së shpejti për të mirëpritur popullin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha ai
Lënien e Kosovës jashtë agjendës së Këshillit të ministrave e vlerëson mundësi të humbur ish Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian Pierre Mirel.
Në një bisedë me Zërin e Amerikës, zoti Mirel shprehet i befasuar me qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Mendoj se ai kishte një mundësi të jashtëzakonshme që ta bëjë Kosovën për herë të parë pjesë të një organizate ndërkombëtare, në këtë rast Këshillin e Evropës. Ai e humbi këtë mundësi dhe për mendimin tim e humbi për arsye të brendshme politike, të paktën në këndvështrimin tim. Besoj se ai i dha përparësi zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke shpresuar se me moshedhjen e hapave rreth Asociacionit do të përforconte një lloj nacionalizmi dhe do të merrte më shumë vota në zgjedhje”, tha ai.
I dërguari i deritashëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të enjten se mungesa e mbështetjes së Kosovës për projekt propozimin evropian për Asociacionin, ka pamundësuar lobimin amerikan për proceset integruese të Kosovës.
Një marrëveshje e arritur vitin e kaluar ndërmjet palëve për normalizimin e marrëdhënieve, parashihte mes tjerash që Prishtina të fillojë punën për themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Kosova nuk hodhi hapat e kërkuar, ndërsa Serbia u vu në fushatë për të penguar anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.
Përmbushja e marrëveshjeve është kusht për të dyja vendet që të përparojnë drejt integrimeve evropiane./VOA