Këshilli i Lartë i Gjyqësorit ka vendosur të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxha.
Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami u s hpreh në seancën e sotme se KLGJ ka vendosur pranimin e kërkesës së ILD-së për shkarkimin nga detyra të magjistrates.
Në seancën e fundit, që u zhvillua më 11 shkurt, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani kërkoi që gjyqtarja të shkarkohet nga detyra dhe të nisë një procesim disiplinor ndaj saj.
Metani deklaroi se nga ana e gjyqtares janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjmë me mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal.
Sipas Metanit nga Hoxha nuk janë marrë prova vendimtare për zgjidhjen e çështjes së Hekuran Billës duke cenuar parimin e paanësisë së gjykimit.
Enkelejda Hoxha është magjistratja e dytë për të cilën KLGJ ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkim nga detyra, për shkelje të rënda disiplinore lidhur me lirimet para kohe me kusht.
Ndërkohë është e treta magjistrate e shkarkuar nga KLGJ pas një hetimi disiplinor të ILD-së.
Sakaq, disa javë më parë, Gjykata e Apelit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin la në qeli gjyqtaren, Enkelejda Hoxha.
Gjyqtarja u arrestua për korrupsion, pasi ka liruar nga burgu disa persona me të shkuar kriminale.
Bashkë me të në pranga ranë avokati Aldo Tabaku që përfaqësonte të dënuarit dhe sekretarja gjyqësore Emanuela Mallkuçi.