Me 6 vota pro asnjë kundër dhe asnjë abstenim Këshilli i Mandateve ka miratuar kërkesën e SPAK për dhënie autorizimi për arrestimin e Sali Berishës.
Me votat e mazhorancës është bashkuar edhe deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i cili në fjalën e tij tha se “duhet të ketë zero imunitet, jo vetëm për Berishën por për askënd”.
Ndërkohë Këshilli ka caktuar edhe Klotilda Bushkënn si relatore, e cila do të përcaktojë raportin.
Ky raport sipas kryetares së Kuvendit, Linida Nikolla duhet të jetë gati deri ditën e mërkurë në orën 14:00 në mënyrë që t’ia kalojnë Kuvendit në seancën e datës 21 dhjetor.
Në mbledhje, e cila nisi në orën 12:00 ishin të pranishëm dhe prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, ndërkohë që nga opozita mori pjesë vetëm deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, teksa deputetët e tjerë të opozitës munguan. Kujtojmë se në kohën kur nisi mbledhja, paralelisht opozita protestoi.
Ish kryeministri është nën hetim për procedurat e privatizimit të ish Klubit sportiv Partizani, pëmes të cilave dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e truallit ku shtrihej ish klubi e mbi të cilin më pas u ngrit një kompleks pallatesh.
Partia Demokratike ka reaguar lidhur me vendimin e Këshillit të Mandatit për heqjen e imunitetit të Sali Berishës pas kërkesës së bërë nga SPAK. Nëpërmjet një deklarate, zëdhënësja Mirela Karabiono tha se PD ka votuar çdo kërkesë të bërë nga SPAK për heqjen e imunitetit dhe se do të vijojë ta bëjë për të mos u dhënë asnjë mburojë përballë drejtësisë.
Më tej, ajo u shpreh se Berisha lufton vetëm për interesat e tij personale dhe se nuk mund të fshihet më pas mashtrimeve ordinere, duke kërkuar që ky i fundit të paraqitet në SPAK dhe të sqarojë akuzat kundër tij.
Reagimi i plotë:
PD ka kërkuar dhe votuar heqjen e imunitetit të çdo personi që është kërkuar nga SPAK dhe do ta bëjë këtë për çdo kërkesë që do të vijë nga SPAK.
Jo vetëm kaq, po ne kemi dërguar në Parlament kërkesën që çdo deputet të heqë dorë me vullnet të lirë nga imuniteti. Askush nuk mund të ketë asnjë mburojë përballë drejtësisë, as siç po bën Sali Berisha sot, e as siç bëri Arben Ahmetaj që i iku drejtësisë.
Sali Berisha nuk mund të fshihet më pas mashtrimeve ordinere. Ka dy vjet që e mban peng e përçan dhe e sulmon PD, vetëm e vetëm se nuk arriti ta bëjë mburojë të halleve të veta.
Sot është e qartë para çdo shqiptari se për çfarë e luftoi Sali Berisha, Partinë Demokratike; për hallet dhe interesat e tij personale.
Lufta dhe halli i tij nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë halli i PD.
Mashtrimet e financuara me paratë e krimit të korrupsionit, nuk e ndihmojnë dot Sali Berishën. Ai duhet t’i zgjidhë vetë hallet e tij me drejtësinë, të lërë mashtrimet dhe të shkojë të sqarojë akuzat ndaj tij.
Kush i ka shërbyer Edi Ramës është shpërblyer me kullën më të lartë në Ballkan, në mes të Tiranës, me tendera e leje për resorte në bregdet.
PD do të mbështesë pa asnjë hezitim drejtësinë dhe e inkurajon atë të sjellë sa më shpejt kërkesa për imunitetin e zyrtarëve të tjerë të korruptuar, përfshirë dhe Edi Ramën.
Një gjë është e sigurt: Aleanca e kullave nuk do ta mbajë dot peng PD-në.