Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin miratoi sot kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënie autorizimi nga Kuvendi për arrestim/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj.
Në drejtimin e kryetares, Lindita Nikolla, Këshilli vazhdoi mbledhjen me të njëjtin rend dite si në mbledhjen e kaluar, me zhvillimin e dëgjesës me përfaqësuesit ligjor të deputetit, Arben Ahmetaj.
Pas përgjigjeve të pyetjeve Këshilli vazhdoi diskutimet dhe vendosi që raportet të paraqiten brenda ditës së premte, datë 14 korrik ora 12:00 dhe seanca e posaçme plenare do të zhvillohet ditën e hënë, më datë 17 korrik.
Në një prononcim për mediet nga selia e kryesisë së Kuvendit, pas përfundimit të mbledhjes, deputeti i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi deklaroi se Partia Socialiste do të përgatisë një raport që do t’i dërgohet Kryetares së Kuvendit, në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), që kërkon arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj.
“Duhet t’ia dorëzojmë Kryetares së Kuvendit, që pastaj do t’i kalojë seancës plenare. U diskutua dhe besoj Kryetarja do të vendosë që ditën e hënë, në orën 17:00, të kemi një seancë të posaçme, ku do të diskutohet kjo pikë. Duhet të kuptojmë që Këshilli për Mandatet dhe Rregulloren nuk është as gjykatë dhe nuk ka as tagrin që të gjykojë. Ne aty gjykojmë vetëm nëse procedura për dhënien e kësaj të drejte që kërkon organi i akuzës është zbatuar apo jo dhe ka apo nuk ka fakte që vërtetojnë që ndaj kolegut tonë ka ndikime politike apo ka probleme të tjera, për të cilat Kushtetuta i jep atij mbrojtje”, tha Pëllumbi.
Pëllumbi u shpreh se “për sa kohë ne bindemi që procedura është e rregullt dhe nuk ka fakte të cilat të vërtetojnë që ka një tejkalim për heqje imuniteti, sigurisht ne kemi qëndrimin tonë për të mos bërë avokatin e askujt”.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se “Këshilli me votë unanime vendos t’i rekomandojë seancës plenare dhënien e autorizimit për arrestimin dhe kontrollin e banesës për deputetin Arben Ahmetaj”.
“Ajo në të cilën u ndamë ishte koha në të cilën do të duhet seanca plenare të miratojë këtë kërkesë. Opozita depozitoi raportin e saj me shkrim. Kolegët e mazhorancës nuk bënë të njëjtën gjë, duke i dhënë vetes kohë deri të premten për të dorëzuar raportin. Kërkesa jonë ishte që ky raport të dorëzohej ditën e nesërme, ndërkohë që është vendosur në mënyrë arbitrare që kërkesa të zhvillohet të hënën. Çdo vonesë është në dëm të drejtësisë, është pengim i drejtësisë, çdo vonesë ndihmon personin e akuzuar”, theksoi Bardhi.
Avokati mbrojtës i deputetit Ahmetaj, Henrik Ligori tha se “ne mbajtëm një qëndrim krejtësisht të kundërt tek ajo që kërkon prokuroria. Na u dha kohë jo më shumë se 24 orë për të parë 320 faqe material të prokurorisë. Me sa mundëm të lexojmë ne nuk vërejtëm në relacionin që shoqëronte kërkesën e prokurorisë kurrkund asnjë rresht që të justifikonte, të interpretonte, analizonte nevojat se pse prokuroria ka nevojë të bëjë kontroll të banesës së deputetit dhe masë sigurie ndaj tij tashmë në përfundim të hetimeve”.
“Jemi kundër arrestit të një deputeti, për më tepër me atë materie që ka sjellë SPAK”, tha Ligori.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK ka dorëzuar më 10 korrik në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për arrestimin e ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.