Mblidhet Këshilli i Presidencës i Këshillit Ndërfetar në mbledhjen e radhës dhe të parën për vitin 2019.
Në një njoftim zyrtar sot, thuhet se në mbledhjen e zhvilluar, merrnin pjesë krerët e pesë komuniteteve fetare në vend, bashkëdrejtues dhe të KNFSH-së, Kryetari i Këshillit Ndërfetar, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, njëkohësisht dhe kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Mons. George Frendo, kreu i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si dhe Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.
Takimi ndërfetar i mbajtur në Qendrën Sinodike të Kishës Ortodokse është hapur nga Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, i cili këtë vit ka dhe presidencën e radhës të KNFSH-së, i cili ka falenderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë mbledhje. Ai i ka uruar mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve dhe në veçanti kreut të ri të KMSH-së H. Bujar Spahiu, për detyrën e tij pas zgjedhjeve në KMSH, si kryetari i ri i këtij institucioni, si dhe për praninë e tij në këtë takim në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Presidencës.
Gjithashtu kreu i KNFSH-së, si dhe të gjithë krerët e komuniteteve fetare kanë vlerësuar edhe kontributin e ish-kryetarit të KMSH-së H. Skender Bruçaj në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë dhe në dialogun ndërfetar gjatë drejtimit të tij të KMSH-së.
Në këtë takim është diskutuar edhe rreth konsultimeve, që do të zhvillohen në muajt e ardhshëm për sugjerimet dhe propozimet, që do të dërgojë KNFSH në Asamblenë e X-të Botërore të organizatës ndërkombëtare “Religions for Peace”, e cila do të mbahet në gusht 2019 në Gjermani.
Këshilli i Presidencës ka miratuar gjithashtu dhe themelimin e sektorit të Gruas dhe Rinisë në KNFSH, propozuar në mbledhjen e fundit nga Këshilli Ekzekutiv i KNFSH-së. Në këtë takim merrnin pjesë gjithashtu dhe Hirësi Asti dhe z. Agron Hoxha, anëtarë të Këshillit Ekzekutiv të KNFSH-së.