Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mirëpret dhe përshëndet ngrohtësisht miratimin nga Komisioni Europian më 6 Tetor 2020 të Planit gjithpërfshirës Elonomik dhe Investimeve 2021-2027 për vendet e Balkanit Perendimor.
Vlen të theksohet se, tashmë, nuk bëhet fjalë më vetëm për ndihma humanitare dhe zhvillimi.
Ashtu siç e theksoi më 7 Tetor në takimet e tij zyrtare në Tiranë Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, bëhet fjalë për një projekt madhor gjithëpërfshirës në shumën prej 9 Miliard Euro. 10 komponentët e tij jetikë shkojnë nga rimëkëmbja ekonomike, nxitja e investimeve, rritja e punësimit, inkurajimi i dijes, mbështetja e fuqishme për rininë – që në të ardhmen ta shohë vehten në vendin e saj, lidhja dhe ndërveprimi shumë më efikas dhe i shpejtë mes vendeve të rajonit dhe së fundi përshpejtimi i konvergimit ekonomik me BE-në.
KASH konstaton më kënaqësi se të gjitha këto elementë thelbësorë shkojnë në funksion të integrimit politik, social dhe kulturor të rajonit në BE.
Për këtë qëllim, Plani Ekonomik dhe i Investimeve është specifikuar në projekte të mëdha infrastrukturore, transporti, energjitike, tregtare, etj., me një gjeografi gjithëpërfshirëse: Jug – Veri, Lindje – Perëndim, Zonat Bregdetare, etj., me ndërtimin e linjave moderne ndër-rajonale rrugore, hekurudhore, autostradave, porteve dhe aeroporteve, etj.
Veç sa sipër, nisur nga aktualiteti dhe urgjenca e tyre, Plani në fjalë përfshin dhe dy axhenda përcaktuese dhe për të ardhmen e vendeve të rajonit – atë të kalimit drejt Ekonomisë Dixhitale dhe të Gjelbër. Këto të fundit do të prezantohen në Samitin e posaçëm BE – Ballkani Perendimor, në Sofie, në fillim të muajit Nëntor. Të dyja këto axhenda janë komponentë të rinj cilësorë, të cilat do të garantojnë suksesin dhe efektivitetin e projekteve, programeve dhe proceseve të rritjes ekonomike dhe investimeve; ato do t’u japin zgjidhje adekuate sfidave serioze të konkurencës ekonomike, klimës, fatkeqësive natyrore, etj.
KASH konstaton me shumë kënaqësi se Plani Ekonomik i Investimeve konfirmon dhe konsolidon më tej përparësinë absolute që BE-ja po i kushton Ballkanit Perendimor, si pjesë përbërëse vijuese e tre momenteve madhore gjatë këtij viti: Strategjia e re që synon rigjallërimin e procesit të zgjerimit të BE-së drejt rajonit tonë e miratuar në fillim të muajit Shkurt; dhe së dyti, vendimi i Këshillit të BE-së më 25 Mars për çeljen e negociatave të antarësimit me Shqipërinë (me 15 kushtet e njohura) dhe Maqedoninë e Veriut.
KASH i bën thirje qeverisë dhe agjencive zbatuese që ta vlerësojnë drejt këtë moment të ri historik dhe të fillojnë punën për realizimin e këtyre projekteve. Kjo kërkon urgjentisht krijimin aty ku mungojnë dhe zgjerimin e kapaciteteve teknike dhe administrative, rritjen e transparencës publike, eliminimin e informalitetit, korrupsionit bashkë me zvarritje dhe dukuri të tjera negative të njohura.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vëren me shqetësim se këto dobësi, mungesa dhe vonesa përmenden dhe në Progres Raportin 2020, të cilat lipset të analizohen dhe evitohen sa më shpejt.
Për fat të keq, megjithë gjuhën e kujdeshme diplomatike, Raporti në fjalë nuk shprehet për ’’plotësim të kushteve’’…, por vetëm se ’’Shqipëria është pranë plotësimit të kushteve’’ për çeljen e negociatave brenda këtij viti. Ndaj, periudha e mbetur deri në muajin Dhjetor, kur mund të thirret Konferenca e Parë Ndërqeveritare duhet shfrytëzuar për përshpejtimin dhe përfundimin e procedurave për ngritjen e Gjykatës së Lartë, asaj Kushtetuese dhe të reformës zgjedhore, sipas kushteve përkatëse të vendosura nga Këshilli i BE-së.
KASH shpreh besimin se Progres Raporti 2020 dhe në veçanti Plani Ekonomik dhe i Investimeve i Komisionit Europian do të shërbejnë si nxitje për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë në Shqipëri, për të përshpejtuar ritmet, me qëllim që Samiti i ardhshëm i BE-së të vendosë për thirjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE-në, çka do të shënonte dhe çeljen e negociatave të antarësimit. Pengesë në këtë drejtim nuk janë ’’dinamikat e brendshme’’ dhe as ’’nevojat zgjedhore të ndonjë vendi të veçantë’’, por vetëm përplasjet, krizat dhe problemet tona të brendshme politike. Ndaj, si meritën dhe përgjegjësinë për realizimin e këtij objektivi strategjik e ka dhe do ta mbajë klasa jonë politike dhe në veçanti shumica parlamentare dhe qeveria.
Së fundi, KASH shfrytëzon rastin për të falenderuar sërish dhe përshëndetur Komisionin Europian dhe të gjitha vendet antare pa përjashtim për këtë ndihmë dhe mbështetje të gjithanshme për përafrimin e mëtejshëm të rajonit dhe vendit tonë më BE-në.
Tiranë, më 8 Tetor 2020
© Argumentum.