EDITORIAL I ARGUMENTUM
Këtë rrezik potencial e dëshmojnë shumë ndodhi, afera, skandale dhe këto ditët e fundit, kur sapo çelëm negociatat e antarësimit në BE. Atë e nxorri më shumë në pah tragjedia në Himarë kur Jonada e ndjerë, vogëlushja 7 vjeçare u masakrua në breg të detit nga një Komisar Policie me karrierë të dyshimtë. Ishte akti më i freskët makabër që tregon se çndodh kur nuk ka shtet, ose kur ai është vetëm sa për t’u dukur, për show dhe spektakël!
Ky rast i rëndë paraqet një kompleks difektesh serioze dhe mungesë totale qeverisjeje për një vend kandidat i BE-së, që deri dje bërtiste me të madhe se demek i kishte kryer detyrat e shtëpisë! Por që tani duket më shumë sikur po del se sa po hyn në BE!
Problemi i parë dhe i njohur madhor që u shfaq dhe pas kësaj tragjedie është sjellja dhe komunikimi publik tronditës i qeverisë dhe Shefit të saj.
Për këdo që ka jetuar jashtë në vende demokratike, nuk besoj të ketë parë e dëgjuar një kryeministër dhe qeveritarë të tjerë që vetëm sa i “mbajnë iso“ Shefit me një indiferencë, ftohtësi, arrogancë dhe megalomani të shpifur! Madje, duke e transferuar fajin dhe përgjegjësinë te “vampirët mediatikë dhe politikë“, a thua se e shkaktuan ata dhe këtë tragjedi, siç do të keqe tjetër në këtë vend!
Në një vend demokratik, dhe në ndonjë rast të sadopak të ngjashëm me tonin, se nuk ka një të tillë të dytë, Kryeministri do të dilte me qetësi dhe me dhimbje, do të shprehte ngushëllimet për familjen; me angazhimin qeveritar për të analizuar shkaqet dhe arsyet, personat përgjegjës dhe mospërsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen. Më tej, ai do të falenderonte median, shoqërinë civile dhe opozitën për kontributin në sqarimin e çështjes. Me një fjalor dhe gjuhë të zgjedhur me kujdes, me pak fjalë, pa vullgaritet, me higjienë maksimale komunikimi, në respekt e në homazh të viktimës dhe familjarëve! Fatkeqësisht Kryeministri e ka bërë mënyrë pune dhe jetese megalomaninë dhe komunikimin inatçor, me fjalor rruge, duke dhënë një shembull negativ në komunikimin publik në përgjithësi. Sepse njerëzit thonë që kur flet kështu lideri, përse të mos e imitojmë dhe ne?
Shqetësimi i dytë i madh është se tragjedia ndodhi jo se mungojnë, por se nuk zbatohen, madje shkelen “me të dyja këmbët“ ligjet e miratuara. Nuk zbatohen, sepse nuk janë hartuar dhe miratuar aktet nënligjore përkatëse, një sëmundje e lashtë e administratës sonë. Kjo e fundit kënaqet me kopjimin mekanik të një ligji nga BE-ja, por aq; zbatimi i tij lihet në mëshirë të fatit. Dallimi i parë i madh me praktikat e BE-së, ku asnjë ligj nuk miratohet pa patur bashkëlidhur aktet përkatëse nënligjore, dhe në vijim kontrollin e vazhdueshëm dhe funksionimin e administratës në të gjitha hallkat e saj nga poshtë lart!
Në fakt, këto 20 vitet e fundit, ligjet në përgjithësi janë hartuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe të BE-së; mirëpo, “sharra te ne has në gozhdë“ te zbatimi, për shkak dhe të mungesës së kapaciteteve të nevojshme qeverisëse dhe administrative. Ja dhe tani, Policia e Shtetit ka ndaluar për verifikim qindra mjete lundruese, duke shkaktuar telashe të tjera në pikun e sezonit turistik. Lind pyetja: Përse nuk u bë ky kontroll në fillim të sezonit turistik, por u desh të ndodhte kjo mënxyrë?
Mirëpo, e keqja nuk mbaron te kopimi mekanik i ligjeve dhe moszbatimi i tyre. Kohët e fundit disa ligje jetike për fatet e vendit, të promovimit të biznesit, luftës kundër informalizimit të ekonomisë, etj po hartohen dhe kërkohet të miratohen me ngut dhe pa konsulta me BE-në, se me aktorët përkatës vendas as që bëhet fjalë! Janë ligje që formulohen mbi bazë urdhërash partiakë, pa asnjë analizë të kosto – përfitimeve dhe efekteve të dëmshme, pa dëgjuar mendimet dhe oponencën e grupeve të interesit, opozitës, etj. I tillë është projekt ligji mbi amnistinë fiskale dhe ai i legjitimizimti të kanabisit. Megjithë rezervat dhe kundërshtimet e hapura të Komisionit Europian, të dhomave të tregtisë amerikane, gjermane, turke, reagimi qeveritar ishte me arrogancë dhe thirje për të mos na diktuar vendimet tona, se demek ” kemi dhe mendimin e masës” ! Ndonëse shqetësimet kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit pandemik, krimin e organizuar, pastrimin e parave, besueshmërinë te biznesi i huaj, etj. Puna shkon deri aty sa Kryeministri t’i thotë përfaqësuesit të BE-së se ajo duhet vetëm të na ndihmojë dhe të bashkëpunojë, por jo të na tregojë se çduhet të bëjmë! Po, zotëri, ajo ta tregon që çke me të, nëse e ke ndarë vërtet mendjen të hysh në BE! Këto, por jo vetëm, janë projekt ligje që do të kalojnë “në vrimë të gjilpërës“ europiane, me shpresë se do të tërhiqen shpejt nga qeveria, që të mos ndikojnë në vonesa të mëtejshme në procesin e negociatave.
Projekt ligji pezull mbi median është ”molla tjetër e sherrit” dhe ku qeveria duhet të vendosë përfundimisht nëse do të ecë në korsinë e BE-së apo të forcimit të dhunës ndaj medias; siç e pamë Kryeministri arriti sa të ” dërgojë një gazetar për riedukim për tre muaj, vetëm pse i ”prishi humorin” me një pyetje me doza ironie!
Padyshim që funksionaliteti i administratës publike do të jetë një nga aspektet e tjera më të vështira në negociatat me BE-në. Një administratë ku meritokracia dhe profesionalizmi janë “viktimat“ dhe të munguarit e mëdhenj, e tejmbushur me militantë, patronazhistë dhe grumbullues votash, ku pak kush ndihet i sigurt për promovimin dhe qëndrimin në detyrë. Për pasojë, përkohshmëria sjell papërgjegjshmëri me të këqiat e tjera rrjedhëse. Se si është katandisur administrata e tejfryrë publike, kjo nuk ka nevojë për analiza dhe statistika; mjafton të ndjekësh emisionet e përditshme investigative televizive me “male“ dosjesh dhe problemesh që askush në shtet dhe në komunë nuk u del për zot; por që fatmirësisht zgjidhen nga stafet e këtyre emisioneve!.
Nga ana tjetër, drejtësia, ndonëse trumpetohet me të madhe si e reformuar, ka shumë probleme besueshmërie ende pa filluar mirë zbatimi i saj. Ja, edhe komisari kriminel një vit më parë u shpall i pafajshëm dhe u rikthye në rradhët e policisë me rekomandime partiake. Për fat të keq, ”forca e ligjit“ e trumpetuar, praktikisht po zëvendësohet nga “ligji i forcës“
Lista e paudhësive qeveritare vazhdon të shtohet dita ditës. Rasti kryetipik këtu është skandali i inceneratorëve që i ngjan shumë firmave piramidale. Sjellja mospërfillëse, indinjuese dhe neglizhuese e mazhorancës qeverisëse është e patolerueshme përballë qindra fakteve konkrete me emra dhe shifra. Korrupsioni domethënës është eufemizëm, se aktualisht ai është bërë ulëritës dhe nuk ka “non – grata“ që e ndalon! Asnjë prononcim nga qeveria, a thua se nuk ekziston ky skandal. Ndoshta nga frika se “mos i hapen petët lakrorit“, duke e venë dhe drejtësinë përpara një “prove zjarri“
Më tej, në një rast më konkret, ka kohë që në median e përditshme jepen të dhëna faktike mbi dyshime për korrupsion, fshehje pasurie, nepotizëm, etj të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi. Jashtë vendit do të ishte bërë nami në një rast të tillë, por jo te ne; me përjashtim të Kryeministrit i cili herën e parë doli në mbrojtje të drejtorit të tij, duke sulmuar median, edhe pse më vonë bëri një tërheqje të lehtë taktike. Ca më keq akoma, drejtori, në vend të reflektimit dhe të shpjegimeve mbi të vërtetën, siç veprohet në çdo vend të lirë europian, “hidhet në sulm“, duke i justifikuar sulmet mediatike me një gjobë që i paska vënë pronarit mediatik! Nuk na intereson në rastin konkret kjo gjobë, por nëse qëndrojnë faktet mbi drejtorin apo jo.
E njëjta gjë vlen dhe për vlerësimin e kritikave të opozitës. Por ja që atë kemi, nuk na e dhuron dot askush, tjetër! Ideja është që pavarësisht nga niveli i besueshëmrisë së një lideri të saj, për shkak të shpalljes non – grata, nëse kritikat dhe sinjalizimet e tyre qëndrojnë, ato duhen dëgjuar dhe të merren masat për t’u korrigjuar. Dhe diçka tjetër. Pavarësisht nga shpallja e një personi non – grata, qëndron gjithmonë parimi i shenjtë i prezumimit të pafajësisë derisa nuk është shprehur ende gjykata, madje me vendim të formës së prerë dhe të certifikuar nga Gjykata Europiane e të Drejtëve të Njeriut. Ca më tepër, kur një person është zgjedhur në mënyrë demokratike të njohur nga komuniteti ndërkombëtar.
Me një fjalë, gjendja e opozitës shqiptare sot dhe gabimet e saj në të kaluarën, nuk ka pse të shërbejnë si alibi politike për të zhvleftësuar çdo ide dhe mendim të saj, apo ca më keq akoma mazhoranca e sotme të veprojë sipas thënies “gjej shesh, bëj për shesh“.
Aspekti i fundit ka të bëjë me përcaktimin e gabuar dhe të rrezikshëm të Kryeministrit Rama mbi përgjegjësinë e cila, na qënkërka vetëm “ personale“! Gjëpura! Nuk e dimë se ku e ka gjetur një referencë të tillë, mbasi ajo nuk ekziston askund në Europë, as në teori dhe as në praktikë. Në çdo rast, personale është vetëm përgjegjësia penale, dmth kur del përpara drejtësisë, ku secili gjykohet sipas fajit. Përndryshe, përgjegjësia është padyshim politike dhe kolektive për gjithë lidershipin e një force politike, në pushtet ose në opozitë. Partitë politike nuk janë OJF e as shoqata jo qeveritare që nuk vendosin firmë gjëkundi. Ato njihen me Kushtetutë për rolin e tyre dhe falë veprimtarisë së përditshme, brenda dhe jashtë vendit dhe lidhjeve të shumta, simpatisë dhe antarësimit në to i njohin ose duhet t’i njohin “me dhëmbë dhe dhëmballë“ kandidatët që propozojnë në të gjitha instancat partiake, qeveritare, bashkiake dhe parlamentare.
Pastaj, kur ke plot militantë brenda vendit, përse koopton dhe katapulton nga jashtë pa asnjë garanci?
Sido që të jetë, nëse puna shkon keq me një apo disa kanditatura, përgjegjësia është kolektive në aspektin politik dhe moral si dhe penale në aspektin personal. Kjo nuk ka të bëjë fare me praktikat moniste, por me faktin se zgjedhësit do të thonë me të drejtë, zoti Kryetar/Kryeministër, ti na e propozove këtë kandidaturë, na e ngrite në qiell, ne të besuam dhe e votuam, ndërsa tani na vjen e na thua jo po kështu jo ashtu!!! Nëse përgjegjësia politike dhe morale do të mbetej vetëm personale, atëhere një force politike do të humbiste besueshmërinë dhe përgjegjshmërinë, dmth ADN-në e demokracisë!
Së fundi, një përmbledhje domethënëse të dukurive negative në fushën jetike të ekonomisë dhe me pasoja në të gjitha drejtimet e tjera e jep Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e biznesit për vitin 2022. Një kambanë alarmi që e dëgjojnë me siguri dhe në Bruksel e gjetkë. Ai ve gishtin në një seri plagësh dhe të këqiash, ku shquhet korrupsioni galopant në të gjitha aspektet, sidomos në koncensione, tendera dhe PPP-të famëkeqe, ku konkurrenca e ndershme është bërë viktima më e madhe e këtyre plagëve që kanë kapur për zverku ekonominë dhe biznesin tonë, pikërisht tani kur vendi ka nevojë për mbështetje dhe lehtësim të barrës. Mirëpo, me këtë gjendje të ekonomisë nuk dihet se si mund të tentosh të hysh në negociata për t’u bërë pjesë sa më shpejt pjesë e një gjigandi ekonomik si BE-ja. Gjithsesi, le të shpresojmë se me fillimin e negociatave në shtator, për Krishtlindje, nëse jo “kulaç“, të paktën të “mos hamë ndonjë kërbaç“!
© 2022 Argumentum