Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim dhe Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca u takuan sot me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi për të shprehur, përpara zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, mbështetjen për rolin kritik të KQZ-së në administrimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ambasadorja Kim nënvizoi mbështetjen e SHBA-së për të drejtën themelore demokratike të qytetarëve për të votuar sipas vullnetit të tyre, në qetësi, pa kërcënime apo nxitje të panevojshme.
Ajo nxiti KQZ-në që të ushtrojë përgjegjësitë e saj në përputhje me ligjin dhe normat ndërkombëtare, përfshi verifikimin e kualifikimit të kandidatëve.
Kim vuri në dukje përgjegjësinë e udhëheqësve politikë për të siguruar që kualifikimet dhe cilësitë e kandidatëve të tyre të pasqyrojnë respekt për votuesit shqiptarë dhe statusin e Shqipërisë si aleate në NATO dhe aspirante për në BE.
“Shtetet e Bashkuara mbeten mbështetëse të palëkundura të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, ndërsa ata punojnë për një demokraci më të fortë dhe një të ardhme më të begatë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë./ata