Koreja e Veriut konfirmoi se udhëheqësi i saj, Kim Jong Un, do të vizitojë Rusinë “së shpejti”.
Agjencia zyrtare e lajmeve KCNA tha se presidenti rus, Vladimir Putin, e ftoi Kimin në vizitë, por nuk raportoi se kur saktësisht do të ndodhë takimi.
Në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e tij, Kremlini tha se Kim planifikon të vizitojë Rusinë “në gjysmën e dytë të prillit”.
Putin do të qëndrojë në Pekin më 26 dhe 27 prill, në një forum që mbledh udhëheqës të shteteve për të diskutuar ndërtimin e rrugëve tregtare në gjithë botën.
Disa media spekuluan se Putin mund ta takojë Kimin rreth asaj kohe në Vlladivostok, qytet në lindje të Rusisë, në afërsi të kufirit me Korenë e Veriut.
Takimi do të realizohej në kohën kur administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po përpiqet të sigurojë një marrëveshje për t’iu dhënë fund tensioneve bërthamore me Korenë e Veriut.
Dy takimet e mëhershme Trump-Kim nuk kanë arritur të prodhojnë ndonjë marrëveshje për çarmatosjen e Gadishullit Korean.