Dr. Marsela Musabelliu
Në Pekin këto ditë po festohet 10 vjetori i nismës “Një brez, një rrugë” dhe kryeqyteti po mirëpret liderë nga gjithë bota, duke analizuar një histori suksesi që filloi në Kinë, por tani është përqafuar nga më shumë se 150 kombe të tokës. “Një brez, një rrugë” do të thotë ndërlidhje, sinergji dhe sigurisht mundësi. Nisma e shpallur nga Presidenti Xi Jinping në vitin 2013, rigjurmon Rrugën e Mëndafshit e cila ishte një produkt ikonik i Kinës, por ndër shekuj u bë pjesë e historisë tregtare dhe kulturore të Euroazisë e më tej.
Për më shumë se 1600 vjet Rruga e Mëndafshit promovoi shkëmbimin midis qytetërimeve perëndimore dhe lindore, duke bashkuar kinezë, indianë, persë, arabë, grekë dhe romakë. Në kohët moderne, përpiqet të injektojë vitalitet të ri në këto rrugë të lashta tregtare përmes një masterplani të ri ekonomik. Kjo nismë nxjerr në pah thelbin e zhvillimit të ri strategjik të Kinës, i bazuar në progresin ekonomik dhe prosperitetin e përbashkët.
Duke qenë se ndërlidhja është bërë një tipar përcaktues i ekonomisë moderne, është e qartë nga dita në ditë se ajo ka nevojë për shtysa, planifikim dhe zbatim të duhur. “Një brez, një rrugë” është një projekt masiv zhvillimi që lidh Azinë, Evropën dhe Afrikën. Kjo nismë gjatë një dekade ka hedhur një bazë solide për bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella ndërmjet vendeve dhe rajoneve të “Një brez, një rrugë” duke kontribuar në rritjen ekonomike globale dhe përmirësimin e mirëqenies së njerëzve në mbarë botën.
Disa shembuj në numra: nga viti 2013 deri në vitin 2022, vëllimi i përgjithshëm i importeve dhe eksporteve midis Kinës dhe vendeve dhe rajoneve të “Një brez, një rrugë” arriti në 19.1 trilion dollarë, duke u rritur me një normë mesatare vjetore prej 6.4 përqind. Investimet e dyanshme kaluan 380 miliardë dollarë dhe vetëm në vitin 2022, importi dhe eksporti i mallrave të Kinës me vendet dhe rajonet e “Një brez, një rrugë” arriti në 2.07 trilion dollarë, që përfaqëson një rritje të dyfishtë nga viti 2013. Këto shifra tregojnë zhvillimin e tregtisë midis Kinës dhe vendeve të nismës, e cila ka injektuar një shtysë të re në hapjen dhe bashkëpunimin global.
Projekti “Një brez, një rrugë” ka ofruar një kornizë për vendet që të bashkëpunojnë, të forcojnë infrastrukturën dhe të zhvillojnë mundësi të reja biznesi. Në një kohë kur bota po përjeton paqëndrueshmëri, proteksionizëm tregtar dhe sfida të globalizimit, përpjekjet e përbashkëta për të rritur ndërlidhjen në infrastrukturë dhe shkëmbimet mes njerëzve kanë qenë kritike për promovimin e stabilitetit, rritjes dhe bashkëpunimit.
Gjatë dekadës së fundit, Kina ka ndërtuar në mënyrë aktive rregulla, standarde dhe institucione të lidhura me vende të huaja. Gjatë dekadës së fundit, kjo nismë ka qenë një kontribues vendimtar në rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin global, me përpjekjet e saj të përbashkëta për të rritur ndërlidhjen, infrastrukturën dhe shkëmbimet mes njerëzve.
Për të promovuar zhvillimin me cilësi të lartë të “Një brez, një rrugë”, Kina po ndërton një model qarkullimi ndërkombëtar me përfitime të ndërsjella. Si vendi me produktivitetin më të lartë, Kina do të vazhdojë të ofrojë më shumë marka “prodhuar në Kinë” [made in China] por gjithnjë e më shumë po shkohet në “krijuar në Kinë” duke formuar lidhje reciproke ekonomike dhe tregtare me vendet dhe rajonet e “Një brez, një rrugë” dhe më gjerë. Kjo do të ndihmojë në krijimin e një ekonomie globale më të fuqishme dhe të qëndrueshme, duke përfituar të gjithë të përfshirët.
“Një brez, një rrugë” në Evropën Qendrore dhe Lindore – sinergji, komunikim, lidhje dhe mundësi
Ka shumë dëshmi mbi përpjekjet e suksesshme të vendeve që ishin mjaft të mençura për të parë potencialin paraprakisht dhe mjaft pragmatike për të hedhur bazat për një bashkëpunim që do të përfitonin të gjitha palët e përfshira. Në Evropën Qendrore dhe Lindore ka pasur disa rezultate të dukshme, si në hekurudhën e shpejtësisë së lartë Budapest-Beograd, Urën e Peljeshacit në Kroaci, portin e Pireut në Greqi dhe qindra km autostrada në të gjithë Ballkanin të bëra me financim, inxhinieri dhe ekspertizë kineze. Në rajon janë të shumta rastet e historive të suksesit të nismës, edhe pse në vetëm një dekadë është bërë shumë dhe ka ende shumë projekte që do të mbyllen së shpejti.
Planet e “Një brez, një rrugë” janë projekte shumë ambicioze për botën në përgjithësi dhe për vendet e rajonit tonë. Por për Kinën, kjo nuk është asgjë e re. Për shekuj me radhë, Kina ishte e pakrahasueshme në efikasitetin, kompetencën dhe aftësinë e saj për të ndërmarrë projekte në shkallë të gjerë. Në dekadat e fundit, zgjerimi i rrjetit të transportit dhe përmirësimet në hekurudha dhe autostrada kanë qenë të jashtëzakonshme. Nga këndvështrimi i Ballkanit për shembull, ky përmirësim i infrastrukturës është një histori suksesi që frymëzon dhe tërheq jashtëzakonisht shumë, sepse për fuqitë e vogla dhe të mesme, veçanërisht nëse janë në tranzicion, infrastruktura është shumë e rëndësishme veçanërisht kur mund të lidhë arteriet e një vendi në zhvillim. Përveç ndikimit afatshkurtër të investimeve në infrastrukturë, ka edhe efekte afatmesme dhe afatgjata në forcimin e bazës për rritjen ekonomike në të ardhmen, duke përfshirë bërjen e tregjeve të punës më efikase dhe produktive, gjë që për Evropën Jugore dhe Lindore do të nënkuptonte më shumë ngushtim hendeku midis rajonit dhe kombeve më të pasura perëndimore të Evropës.
Bota është një vend krejtësisht i ndryshëm që nga shpallja e “Një brez, një rrugë” dhe ajo ndryshon me nevojat dhe realitetin e kohës, në mënyrë që të gjithë të mund të përfitojmë nga pikat e forta të saj dhe të identifikojmë potencialin e pashfrytëzuar. Jetojmë në një moment të përshtatshëm në histori për të shqyrtuar dinamikën e ndryshimit global. Me rritjen e shpejtë të Kinës, me kushtet kaotike në mbarë botën – ato të sigurisë, paqes dhe zhvillimit njerëzor – është shumë e rëndësishme që roli i Kinës së pari të kuptohet dhe së dyti të vlerësohet. “Një brez, një rrugë” mund të ofrojë një lente të duhur se si qasja e Kinës në arenën ndërkombëtare po i jep formë komunitetit të së ardhmes së përbashkët për njerëzimin.
Së fundmi, angazhimi i Kinës për të vazhduar dhe thelluar globalizimin, në thelb po kontribuon në të mirën më të madhe duke lejuar vendet e tjera të fitojnë dividentët nga “Një brez, një rrugë”. Për Kinën, nisma është një thirrje për një rend botëror të përqëndruar në bashkëpunim, tregti, zhvillim të përbashkët dhe të qëndrueshëm. Projekte të tilla duhet të mirëpriten dhe natyrisht të zhvillohen aty ku nevojiten më shumë. Qëllimi i “Një brez, një rrugë” është ai i integrimit ekonomik dhe potenciali i jashtëzakonshem i një epoke të re të prosperitetit. Le të mendojmë vetëm faktin se në një botë plot, konflikte, sanksione, shtrëngime dhe regres, se kjo nismë e bën Kinën të vetmin vend në botë sot me një plan të qartë afatgjatë për rritjen e ekonomisë globale dhe rëndësia e saj bëhet më evidente.
© 2023 Argumentum