Kina dhe India, kanë votuar në favor rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për marrëdhëniet midis Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës, e cila i referohet në mënyrë eksplicite agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë.
Drita jeshile për rezolutën e miratuar javën e kaluar me 122 vota pro, 5 kundër dhe 18 abstenime, përfaqëson ndryshimin e parë diplomatik lidhur me pozicionin e Delhit dhe Pekinit ndaj luftës së Vladimir Putin në Ukrainë.
Një hap i vlerësuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.
“Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë për bashkëpunimin me Këshillin e Evropës me 122 vota, duke përfshirë partnerët kryesorë të G20 si Kinën, Brazilin, Indinë dhe Indonezinë”, tha Borrell në Twitter.
“Ne e mirëpresim rezolutën, e cila qartazi e cilëson luftën e Federatës Ruse kundër Ukrainës si agresion”, tha ai.
Rusia, Bjellorusia, Siria, Nikaragua dhe Koreja e Veriut votuan kundër rezolutës.