Për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), pjesëmarrësit e Samitit Kinë-Vendet e EQL-së hartuan të martën bashkërisht Listën e Pekinit për Veprimtaritë e Bashkëpunimit 2021 Kinë-Vendet e EQL-së.
Aktivitetet bashkëpunuese për të cilat u ra dakord në samitin virtual mbulojnë fusha të tilla kryesore si tregtia dhe investimet, shëndetësia, teknologjia, energjia, kultura, zhvillimi i gjelbër dhe arsimi, sipas listës.
Para së gjithash, pjesëmarrësit ranë dakord të vijojnë bashkërendimin duke mbajtur më shumë takime pune në nivele të ndryshme për të kryer konsultime mbi procedurat e zgjerimit të bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së dhe çështje të tjera të rëndësishme.
Për tregtinë dhe investimet, ata mbështesin shkëmbime më të rëndësishme në vitin 2021, duke përfshirë mbajtjen e Konferencës së 4-t Ministrore Kinë-Vendet e EQL-së për Nxitjen Ekonomike dhe Tregtinë dhe Expo-n e 2-të Kinë-Vendet e EQL-së, të dyja në Ningbo të Kinës, Ekspozitës së 4-t Ndërkombëtare të Importit të Kinës dhe Ekspozitën e Tekstileve Kinë-Vendet e EQL-së në Rumani.
Për bashkëpunimin shëndetësor, ata ranë dakord të mbajnë takime midis ministrave të shëndetësisë dhe ekspertëve të Kinës dhe vendeve të EQL-së dhe veprimtari të tjera në një mënyrë fleksibël.
Në shkencë dhe teknologji, ata mbështesin Kinën në mbajtjen e Konferencës së 5-të Kinë-Vendet e EQL-së për Bashkëpunimin në Novacion këtë vit. Disa pjesëmarrës gjithashtu do të shqyrtojnë mundësitë për shkëmbime talentesh dhe ndërtimin e përbashkët të qyteteve inteligjente.
Për më tepër, pjesëmarrësit e përcaktuan vitin 2021 si Vitin e Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së për Vitin e Zhvillimit të Gjelbër dhe Mbrojtjen e Mjedisit dhe ranë dakord të bëjnë përpjekje aktive për të përmirësuar zhvillimin e gjelbër.
Bashkëpunimi agro-tregtar dhe pyjor midis Kinës dhe vendeve të EQL-së do të jetë gjithashtu në fokus të shkëmbimeve gjatë këtij viti, sipas listës.
Shkëmbimi midis njerëzve zë një pjesë të madhe në listë pasi pjesëmarrësit mbështesin mbajtjen e një Forumi të Ekspertëve mbi Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Greqi dhe një Forum të Bashkëpunimit Artistik në Serbi.
Për më tepër, palët ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin në sektorin e turizmit si dhe të rrisin shkëmbimet midis bibliotekave, shtëpive botuese, punonjësve në fushën e filmit, gazetarëve dhe think-tanks nga Kina dhe vendet e EQL-së.
Në fund, pjesëmarrësit renditën arsimin, sportin, rininë dhe bashkëpunimin lokal si fusha që do të kenë më shumë shkëmbime dhe bashkëpunim në vitin 2021.
Përveç konsultimeve mbi politikën arsimore dhe krijimin e përbashkët të Mekanizmit të Bashkërendimit Sportiv Kinë-Vendet e EQL-së në vitin 2021, do të mbahen gjithashtu forume mes kryetarëve të bashkive nga Kina dhe vendet e EQL-së. /CRI