Genc Mlloja
Mbrojtja e mjedisit është bërë një politikë bazë shtetërore e Republikës Popullore të Kinës në fillim të viteve 1980, dhe që atëherë janë nxjerrë një numër i madh ligjesh dhe rregulloresh në kuadrin e përpjekjeve të vazhdueshme për zbatimin e iniciativave mbi zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe promovimin e ruajtjes së energjisë. Që atëherë, pjesëmarrja zyrtare e Kinës në negociatat ndërkombëtare për klimën ka ardhur duke evoluar dhe në atë kuadër ajo i është bashkuar pjesës dërmuese të organizatave ndërkombëtare klimatike, të cilat janë pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara, por dhe organizatave të tjera përkatëse ndërkombëtare dhe rajonale. Po kështu Kina ka nënshkruar disa marrëveshje dhe traktate ndërkombëtare për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe vit pas viti ajo u bë ndër aktorët kryesorë lidhur me këtë sfidë duke marrë pjesë aktivisht në projektet e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh me synimin e krijimit të një fronti unik. Ndër të tjera Kina është ndër 200 vendet që miratuan Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike (Marrëveshja e Parisit) në një konferencë të OKB-së në Paris të Francës më 12 dhjetor 2015, që u konsiderua historike. Kësisoj Kina është bërë një partner kyç në shkallë botërore për trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe përballjen me sfidat globale mjedisore, duke u shndërruar ndër vendet më aktive në të tilla procese.
200 vendet miratuan Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike (Marrëveshja e Parisit) në një konferencë të OKB-së në Paris të Francës më 12 dhjetor 2015/Xinhua
Nisur nga parimi se asnjë vend, kërkund në rruzullin tokësor, nuk është ‘ishull’ i parrezikuar nga kjo sfidë globale, Kina e ka konsideruar domosdoshmëri ‘fillimin nga vetja’ të mbrojtjes së ambientit dhe janë impresionuese masat e marra në çdo cep të vendit. Për të ndërgjegjësuar më shumë publikun dhe nxitur veprimet e përbashkëta për mbrojtjen e mjedisit ekologjik 15 gushti është shpallur si Dita Kombëtare e Ekologjisë. Caktimi i kësaj date si ditë kombëtare është vazhdim i një programi afatgjatë të nisur dekada më parë me shumë masa e projekte për të përmirësuar mjedisin ekologjik, me synimin e ndërtimit të një Kine të bukur, realizimin e premtimeve për lëshimin e karbonit në pikën e caktuar ndërkombëtarisht deri më 2030, që do të kulmojë me shpalljen e Kinës të lirë nga emetimi i karbonit në vitin 2060.
“Pesë vitet e ardhshme janë një periudhë vendimtare për ndërtimin e një Kine të Bukur, e cila duhet të vendoset në një pozicion të spikatur në ndërtimin e një vendi të madh modern socialist në të gjitha aspektet dhe avancimin e përtëritjes kombëtare”, tha presidenti kinez Xi Jinping në një konferencë kombëtare mbi ekologjinë dhe mbrojtjen e mjedisit të mbajtur nga 17 deri më 18 korrik 2023.
Si ekonomia e dytë më e madhe në botë, Kina, hap pas hapi, ka bërë pjesën e duhur të përpjekjeve në mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e gjelbër, duke shpresuar që zhvillimi me cilësi të lartë i vendit të përputhet me mjedisin ekologjik me cilësi të lartë.
CFP
Gjatë dekadës së fundit, qeveria kineze ka investuar më shumë se 100 miliardë juanë (13.93 miliardë dollarë) në mbështetjen e ndërtimit të infrastrukturës mjedisore. Ajo caktoi gjithashtu gati 200 miliardë juanë për kompensimin e mbrojtjes ekologjike gjatë periudhës së Planit të 13-të Pesëvjeçar nga 2016 deri në 2019.
Kina ka vënë në plan parësor gjithashtu inovacionin si një forcë shtytëse për zhvillimin ekonomik, duke ndihmuar ekonominë e saj të kalojë drejt rritjes së gjelbër dhe me cilësi të lartë. Vendi është tani prodhuesi më i madh në botë i pajisjeve të energjisë së pastër. Në vitin 2021, vlera e prodhimit të industrisë së ruajtjes së energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit tejkaloi 1.13 trilion dollarë.
Ndërkohë industria e mbrojtjes së mjedisit të Kinës, të ardhurat e së cilës arritën në 2.22 trilion juanë (rreth 311 miliardë dollarë) në vitin 2022, është bërë një forcë e rëndësishme në ekonominë e gjelbër, tha Ministri i Ekologjisë dhe Mjedisit, Huang Runqiu në një konferencë të mbajtur nga Zyra e Informacionit të Këshillit të Shtetit më 27 korrik 2023.
“Zhvillimi me cilësi të lartë dhe mbrojtja në nivel të lartë janë plotësuese dhe reciprokisht ndërvepruese. Një nivel i lartë mbrojtjeje mund të arrihet nëpërmjet mjeteve të tilla si kontrolli i zonimit ekologjik dhe vlerësimi i ndikimit mjedisor për të ruajtur nivelin për zhvillim me cilësi të lartë”, tha Huang. Kështu është fuqizuar inspektimi ekologjik dhe mjedisor dhe zbatimi i ligjit. Sipas tij, rreth 40,000 njësi të kontrollit mjedisor janë caktuar në mbarë vendin për të frenuar me vendosmëri projektet me konsum të lartë energjie. Deri në fund të vitit të kaluar, vendi kishte eliminuar kapacitetin e prapambetur dhe të tepërt për rreth 300 milion ton çelik dhe 400 milion ton çimento. Sipas të dhënave të ministrisë të cituara nga chinanews.com, numri i kaldajave dhe furrave me qymyr në mbarë vendin është ulur nga gati 500,000 në më pak se 100,000, duke pakësuar përdorimin e qymyrit me mbi 400 milion ton. Në rajonin verior, rreth 37 milionë familje rurale kanë ulur konsumin e qymyrit me mbi 70 milionë tonë. Ndërkohë, 1,030 gigavat njësi gjeneruese me energji qymyri kanë përfunduar rinovimin me emetim ultra të ulët dhe 680 milionë tonë kapacitet prodhues hekuri dhe çeliku kanë përfunduar ose janë në proces të përfundimit të rinovimit me emetim ultra të ulët. Nga ana tjetër, më shumë se 30 milionë automjete të vjetra dhe me emetim të lartë janë eliminuar.
Ndërsa ndryshimet klimatike përbëjnë një kërcënim në rritje për ekzistencën njerëzore dhe thirrjet për veprime të bashkërenduara bëhen më urgjente, sfida më e madhe me të cilën përballet bota është përshtatja e qëndrueshme e aktiviteteve ekonomike dhe zhvillimore njerëzore në përgjigje të klimës në ndryshim. Në këtë kuadër, Kina ka përafruar gjithnjë e më shumë projektet e Iniciativës ‘Një Brez, Një Rrugë’ (BRI) jashtë vendit me një fokus më të gjerë dhe më transformues në qëndrueshmërinë mjedisore. ‘Gjelbërimi’ i BRI është shprehje konkrete e angazhimit të vendosur të Kinës për të promovuar një ekonomi globale me karbon të ulët si një palë e përgjegjshme në këtë sfidë ndërkombëtare.
Sipas një hulumtimi të botuar më 1 gusht të këtij viti mbi angazhimin e Kinës për energjinë në vendet e BRI , gjysma e parë e 2023 ishte “më e gjelbra” për sa i përket llojit të projektit që nga fillimi i kësaj iniciative në 2013. Sipas studimit të kryer nga Qendra e Financave dhe Zhvillimit të Gjelbër (GFDC) në Universitetin Fudan në Shangai, Kina investoi 8.61 miliardë dollarë në projekte energjetike në vendet e BRI gjatë gjysmës së parë të këtij viti. 56 për qind e këtij investimi u caktua për projekte të energjisë së rinovueshme si energjia diellore, era dhe hidrocentralet. Pritet që viti 2023 të ketë investimin më të madh në projektet e energjisë së gjelbër.
Gjetjet e detajuara të GFDC pasqyrojnë një hap të jashtëzakonshëm në kërkimin shumëvjeçar dhe përpjekjet pragmatike të Kinës për të siguruar qëndrueshmëri mjedisore në projektet e saj BRI jashtë shtetit dhe një zhvendosje nga angazhimi fillestar dhe modeli i investimeve, veçanërisht investimet e saj në infrastrukturat energjetike. Për shembull, midis 2014 dhe 2017, mbi 95 për qind e këtyre investimeve ndërkufitare në sektorin e energjisë nga ndërmarrjet shtetërore kineze ishin me lëndë djegëse fosile. Kjo nuk përbën asnjë kritikë siç ilustruan ekspertët, duke pasur parasysh se theksi mbi investimin në lëndët djegëse fosile rezultoi kryesisht nga konvergjenca e tre faktorëve bashkëkohorë: kërkesat e zhvillimit në vendet në zhvillim, përballueshmëria e qymyrit si një alternativë ndaj energjisë së rinovueshme dhe kapaciteti i tepërt i Kinës në ndërtimin e infrastrukturës energjetike.
CFP
Por me rritjen e madhe të numrit të projekteve të energjisë së rinovueshme gjatë viteve në vendet e BRI-së, pjesa e përfshirjes së lëndëve djegëse fosile në program, siç tregoi hulumtimi i GDFI-së, ka rënë në mënyrë drastike – më e ulëta këtë vit që nga fillimi i programit në 2013.
Sipas raportit, karburantet fosile tani përbëjnë vetëm 44 për qind të angazhimit energjetik në vendet e BRI – që ishte rreth 61 për qind në vitin 2022, një rënie drastike prej 17 pikë përqindjeje gjatë një periudhe gjashtëmujore. Me vizionin e qartë të Kinës dhe udhëzimet strikte drejt promovimit të zhvillimit të gjelbër dhe të ulët të karbonit të termocentraleve jashtë shtetit me qymyr, që janë ndërtuar tashmë, pjesa e angazhimit të energjisë së gjelbër pritet të shohë një rritje radikale në vitet në vijim.
Përparimet e rëndësishme të Kinës në përpjekjet e saj për të përafruar gjithnjë e më shumë BRI me gjelbërimin janë, në fakt, rezultat në rritje i masave të politikës së saj të kujdesshme të miratuara gjatë disa viteve të fundit. Gjelbërimi i BRI përputhet me pozicionet parimore të Kinës në promovimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe mjedisore si brenda dhe jashtë vendit.
Për të përmbushur angazhimet e saj klimatike me rezultate reale, veçanërisht në lidhje me angazhimin e saj jashtë shtetit nëpërmjet BRI-së, Kina ka miratuar disa masa politikash. Në mars 2022, ajo publikoi një dokument kyç politikash mbi gjelbërimin e mëtejshëm të BRI, të titulluar “Opinionet mbi Zbatimin e Përbashkët të Zhvillimit të Gjelbër në Iniciativën Një Brez, Një Rrugë”. Në një dokument që përshkruan qëllimet e kufizuara në kohë për arritjen e një “BRI të gjelbër deri në vitin 2025”, Kina ka riafirmuar angazhimet e saj për promovimin e projekteve të infrastrukturës miqësore me mjedisin në të gjithë sektorët, veçanërisht duke reduktuar dhe kontrolluar rreziqet mjedisore në nivel projekti.
Suksesi i projekteve të gjelbra të BRI-së mund t’i atribuohet tre shtyllave kryesore të përshkruara në dokumentin e politikave – standardet, financat e gjelbra dhe teknologjia. Për sa i përket standardeve, politika thekson rëndësinë e respektimit të ligjeve për mbrojtjen e mjedisit të vendit pritës. Përpara financimit të çdo projekti, vlerësimet e ndikimit në mjedis janë të nevojshme për secilin dhe duhet të kryhen plotësisht përpara ndërtimit. Firmat e lidhura me BRI udhëhiqen në mënyrë rigoroze për të miratuar Parimet e Investimeve të Gjelbra (GIP), një iniciativë ndërkombëtare për të vendosur objektivat e investimeve të gjelbra.
Nga ana tjetër kur bëhet fjalë për teknologjinë, Kina kryeson botën në prodhimin e paneleve diellore, turbinave me erë, baterive dhe automjeteve elektrike – duke e bërë atë burim potencial për të ofruar teknologji dhe ekspertizë me karbon të ulët për vendet e BRI. Avantazhi i natyrshëm i inovacionit të Kinës dhe investimet në rritje të kërkimit dhe zhvillimit në këta sektorë janë bazë për zgjerimin më tej dhe përhapjen e më shumë teknologjive me karbon të ulët me rritjen e fizibilitetit teknologjik dhe qëndrueshmërisë komerciale në të ardhmen.
CFP
Vendi është tani prodhuesi më i madh në botë i pajisjeve të energjisë së pastër. Në vitin 2021, vlera e prodhimit të industrisë së ruajtjes së energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit tejkaloi 1.13 trilion dollarë.
Sipas Shoqatës Kineze të Prodhuesve të Automjeteve, shitjet e automjeteve të reja me energji të Kinës (NEV) arritën në 6.89 milionë njësi në vitin 2022, një rritje nga viti në vit prej 93.4 për qind, duke u renditur në krye të botës për tetë vjet rresht.
Në kontekstin global, përpjekja e Kinës për zhvillimin e gjelbër dhe me karbon të ulët ka dhënë një kontribut të ndjeshëm në adresimin e ndryshimeve klimatike.
Sikurse u vu në dukje më sipër në vitin 2020, Kina propozoi objektivin e tij strategjik për arritjen e pikut të përdorimit të karbonit deri në vitin 2030 dhe për t’u bërë neutral ndaj karbonit deri në vitin 2060. Por këto synime janë sa ambiziozë aq edhe sfidues për Kinën sepse harku kohor i realizmit të tyre është vetëm 30 vjet krahasuar me hapësirën 70-vjeçare të vendeve evropiane, duke bërë që kjo sfidë të jetë më e madhe dhe e komplikuar.
Përveç trajtimit të ndryshimeve klimatike, Kina ka zhvilluar gjithashtu në mënyrë proaktive bashkëpunim e gjelbër ndërkombëtar. Në vitin 2019, Koalicioni Ndërkombëtar i Zhvillimit të Gjelbër i Nismës ‘Një Brez, Një Rrugë’ u krijua për të promovuar konsensusin ndërkombëtar dhe veprimet e përbashkëta për zhvillimin e gjelbër përmes dialogut dhe shkëmbimit, kërkimit të përbashkët, ndërtimit të kapaciteteve dhe bashkëpunimit industrial me pjesëmarrjen e më shumë se 150 partnerëve kinezë dhe të huaj nga më shumë se 40 vende.
Duke i konsideruar ndryshimet klimatike dhe përmirësimin e mjedisit si një sfidë globale udhëheqja kineze nuk i ka reshtur përpjekjet që kjo çështje si shumë të tjera që kanë të bëjnë me interesat jetike të njerëzimit të mos politizohet aq më shumë në vitet e fundit kur është rritur rreziku i një Lufte të re të Ftohtë e nxitur nga SHBA kundër Kinës. Prandaj ajo inkurajon çdo vend të kontribuojë në këtë drejtim dhe ka rritur aktivizimin në bisedime me çdo vend, përfshi edhe SHBA si një ndër ekonomitë më të mëdha në botë. Në këtë kuadër në Pekin u prit në muajin korrik emisari special presidencial i SHBA për klimën John Kerry.
Lidhur me bisedimet e zhvilluara zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Mao Ning tha se ndryshimi i klimës është një sfidë globale që kërkon një përgjigje globale dhe sipas saj Kina përbën një të katërtën e sipërfaqeve të gjelbra të shtuara në botë që nga viti 2000.
CFP
Mao tha se Kina është vendi i parë që ka arritur zero degradim neto të tokës, ka reduktuar sipërfaqet e tokës së shkretëtiruar dhe rënore dhe ka zgjeruar raportin e mbulimit me pyje dhe vëllimin e stokut pyjor. Kina ka sistemin më të madh të prodhimit të energjisë së pastër në botë. Kapacitetet kineze të instaluara hidrike, tokësore dhe diellore janë të gjitha më të lartat në rang botëror. Me një rritje mesatare prej tre për qind të konsumit të energjisë nga viti në vit, Kina ka nxitur një ekonomi që rritet me një normë mesatare vjetore prej 6.2 për qind, sipas Mao.
Nga ana tjetër, zëdhënësja theksoi rolin energjik të Kinës në qeverisjen mjedisore dhe në këtë kontekst ajo vuri në dukje kontributin e saj për të lehtësuar në mënyrë aktive zbatimin e plotë, të balancuar dhe efektiv të Konventës Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike dhe Marrëveshjen e Parisit, duke ofruar sa më shumë mbështetje dhe ndihmë për vendet e tjera në zhvillim.
Nga ana e tij Kerry tha në një konferencë shtypi në fund të vizitës më 20 korrik se SHBA dhe Kina nuk arritën marrëveshje të reja për klimën, pavarësisht bisedimeve “produktive”. Emisari amerikan njoftoi se më shumë takime do të mbahen midis të dyja vendeve në prag të bisedimeve vendimtare të COP28 në Dubai që do ta mbahet në fund të këtij viti.
Planeti ynë pa ditën e tij më të nxehtë të regjistruar këtë vit në javën e parë të korrikut. Më 7 korrik, temperatura mesatare globale arriti në 17.01 gradë Celsius. Një ditë më pas, ajo u ngjit edhe më tej, duke arritur në 17.18 gradë Celsius dhe temperatura globale mbeti në këtë rekord më 8 korrik. Rekordi i mëparshëm prej 16.92 gradë Celsius u vendos në gusht 2016. Të dhënat e kësaj jave kanë shënuar ndoshta ditën më të ngrohtë në “të paktën 100.000 vjet”.
Por a do të thyhet përsëri ky rekord alarmues? A do të lejojë komunitetit ndërkombëtar që gjendja e njerëzimit të kërcënohet akoma më tepër nga ngrohja globale? Kjo është sfida globale, e cila kërkon zgjidhje urgjente në një front unik botëror!