Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha të hënën se Kina shpreson që Shtetet e Bashkuara do të dëgjojnë zërat objektivë e të arsyeshëm të bashkësisë ndërkombëtare dhe do të mbështetin e jo sabotojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër pandemisë së COVID-19 dhe për gjurmimin e origjinës së koronavirusit.
Zëdhënësi Wang Wenbin i tha këto në një konferencë të përditshme shtypi, kur iu kërkua të komentonte mbi deklaratat e fundit të Jeffrey Sachs, i cili kryeson Komisionin “Lancet” për COVID-19.
Sachs tha se përgjigjja globale ndaj pandemisë ka qenë plotësisht e papërshtatshme dhe një nga problemet kryesore gjeopolitike mund të ketë qenë dështimi i Shteteve të Bashkuara për të punuar me Kinën për një zgjidhje globale. Ai theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë me Kinën dhe jo të përpiqen t’ia imponojnë vullnetin e vet Kinës.
Wang vuri në dukje se edhe epidemiologu zviceran, Christian Althaus, është shprehur se Kina iu përgjigj saktë pandemisë dhe i dha pjesës tjetër të botës një deri në dy muaj kohë për t’u përgatitur.
Zëdhënësi theksoi se përgjigjja ndaj COVID-19 dhe studimi i origjinës së koronavirusit kërkojnë solidaritet, bashkëpunim dhe frymë shkencore. Megjithatë, disa në Shtetet e Bashkuara janë përpjekur herë pas here të politizojnë përpjekjet në të dyja frontet për të hequr prej vetes fajin për reagimin e tyre të gabuar.
“Një sjellje e tillë e papërgjegjshme jo vetëm që i ka kushtuar shtrenjtë popullit amerikan, por gjithashtu është bërë pengesa më e madhe për bashkëpunimin ndërkombëtar në luftimin e virusit dhe gjurmimin e origjinës,” theksoi Wang.
“Shpresojmë që Shtetet e Bashkuara do t’u kushtojnë vëmendje zërave objektivë e të arsyeshëm të bashkësisë ndërkombëtare, të kërkojnë solidaritet e jo përballje, të marrin përsipër përgjegjësitë e jo t’ua hedhin fajin të tjerëve, të udhëhiqen nga shkenca e jo politika dhe të mbështesin bashkëpunimin ndërkombëtar në luftimin e virusit e gjurmimin e origjinës dhe jo të dëmtojnë përpjekjet përkatëse,” tha zëdhënësi Wang Wenbin.