Agjenda politike, ekonomike dhe diplomatike e Kinës për vitin 2024 u shpalos dy javët e para të marsit gjatë punimeve të “Dy sesioneve”. Diskutimet dhe vendimet e këtyre mbledhjeve vjetore me rëndësi për Kinën dhe rezonancë globale janë pasqyruar nga mediat ndërkombëtare përmes komenteve dhe analizave. Marjana Doda, kryeredaktore e medias gjeopolitike online “Argumentum.al” komenton objektivat e Kinës për vitin 2024.
Intervistoi Eda Merepeza
CMG: Media që ju drejtoni “Argumentum.al” ka profilin e saj në trajtimin e temave gjeopolitike. I keni pasqyruar këto dy mbledhje të rëndësishme vjetore të Kinës në portal?
Marjana Doda: Argumentum.al si një media gjeopolitike padyshim që ka pasqyruar dhe zhvillimet e “Dy sesioneve” të mbajtura në Pekin edhe si një risi, sepse për mua ka qenë hera e parë që i kam ndjekur nga afër këto dy sesione me rëndësi jo vetëm sa i përket anës ekonomike, por dhe politike e sociale, jo vetëm të Kinës, por dhe të pjesës tjetër të globit. Ndaj kanë një peshë të rëndësishme dhe ka patur dhe një lloj kurioziteti për t’i ndjekur.
CMG: Gjatë punimeve të “Dy Sesioneve” presidenti Xi përcolli disa mesazhe duke prezantuar trajektoren që do të ndjekë në të ardhmen ekonomia e dytë më e madhe e botës. Ndër to ishin forcat e reja prodhuese cilësore, mbrojta mjedisore, reforma e gjithanshme dhe zhvillimi i bashkërenduar rajonal. Si i komentoni këto objektiva ?
Marjana Doda: Le të ndalemi te forcat e reja prodhuese cilësore, që duket si një togfjalësh me në fokus ekonominë, por jo vetëm kaq. Ky është një togfjalësh që në leksikun ekonomik të Kinës kohët e fundit ka zënë vendin kryesor, por kryesisht gjatë dy sesioneve. Kjo tregon rëndësinë thelbësore që ka ky togfjalësh në zhvillimin ekonomik cilësor të Kinës. Nëse do të doja që ta përkufizoja me një fjalë këtë togfjalësh, që e drejton ekonominë e Kinës drejt zhvillimit teknologjik dhe inovacionit, do të thoja se ky është një “momentum” i ri për zhvillimin socio-ekonomik të Kinës.
E them këtë për vetë faktin se jemi përballë një revolucioni teknologjik dhe të inteligjencës artificiale për të cilën dhe Kina duket se e ka drejtuar ekonominë e saj si një ekonomi digjitale.
Ky është një revolucion teknologjik, që sipas mendimit tim duket se Kina po e drejton botën sa i përket këtij peizazhi të ri ekonomik.
Sa i përket zhvillimit të gjelbër do të thoja që inovacioni dhe zhvillimi i gjelbër ecin paralel si dy binarë në ekonominë digjitale. Kjo do të thotë se Kina po mundohet të tregojë një lloj simbioze dhe një formë harmonike të njeriut me natyrën, por njëkohësisht dhe me aspektin digjital të gjithë kësaj sfere ekonomike në Kinë dhe në botë.
Një fabrikë e prodhimit të pjesës së këmbimit të makinave në qytetin Yangzhou, provincë Jiangsu(Foto:VCG)
Përsa i përket zhvillimit ekonomik digjital në një kohë kur ka avancuar aspekti teknologjik shohim se është e mundur që njeriu të ketë një lloj harmonie me natyrën dhe teknologjinë. Këtë e shohim në risinë e riciklimit. Kjo fushë është elaboruar edhe më pare, por sot më shumë se kurrë edhe kur shikojmë këtë aspekt në ekonominë europiane, të cilët i mëshojnë ekonomisë së gjelbër, në Kinë duket se ka prevaluar si fokus.
Togfjalëshi “forcat e reja prodhuese cilësore” merr një hov edhe më të rëndësishëm duke patur parasysh se Kina ka patur disa përplasje teknologjike në marrëdhëniet e saj me SHBA-të, ndaj ka shumë rëndësi ky zhvillim ekonomik në drejtim të teknologjisë vetjake për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme dhe të forte, jo vetëm për vetë Kinën, por dhe për ekonominë globale. Sepse, Kina mban një peshë të rëndësishme gati 30 për qind të ekonomisë globale dhe padiskutim që ky rrugëtim drejt zhvillimit teknologjik ka një rëndësi të veçantë
CMG: Termat që përmendët duken si të reja, por nuk janë të tilla, ndonëse kanë marrë një prevalence për Kinën në vitin 2024. Me inovacionin që do të luajë rolin kryesor, forca të reja prodhuese cilësore, rrugët tradicionale të zhvillimit të produktivitetit, që mbështetet në teknologjinë, rendimentin dhe cilësinë e lartë, a po ecën Kina drejt një filozofie dhe modeli të ri të zhvillimit?
Marjana Doda: Absolutisht po. Ashtu siç tha presidenti kinez Xi Jinping forcat e reja prodhuese cilësore i referohen produktivitetit të realizuar me efikasitet të lartë dhe me cilësi të lartë, por njëkohësisht dhe me një force punëtore, e cila i përgjigjet këtyre zhvillimeve. Filozofia e re e zhvillimit ka të bëjë me parimin e një rrugëtimi paralel që të ndërtojmë të renë përpara se të flakim të vjetrën.
Doja të merrja një shembull këtu me Shqipërinë para 15 vjetësh kur filloi revolucioni i internetit ishim të papërgatitur nga ana mësimore, por kjo faze nuk ishte parapërgatitore, por pasi ne u gjendëm në këtë lëmin e madh të teknologjisë së internetit.
Filozofia e re e zhvillimit të ekonomisë kineze ka të bëjë me përmirësimin e industrisë tradicionale krahas asaj moderne duke vënë në fokus inovacionin, shkencën dhe teknologjinë. Kjo është filozofia e re e ekonomisë kineze. Sigurisht që zhvillimi i forcave prodhuese cilësore ka të bëjë dhe me integrimin e ngushtë të tradicionales me modernen, por dhe me inteligjencën artificiale. Të gjithë po flasim për inteligjencën artificiale.
Vizitorë në pavijonin e prodhuesit kinez të automjeteve BYD, Mynih, 2023(Foto:VCG)
CMG: Kjo po bëhet konkrete në Kinë në sajë të zhvillimit. Kështu gjatë periudhës së pandemisë Covid 19 kishte robotë në qendrat shëndetësore, ku njerëzit ishin lehtësisht të orientuar falë inteligjencës artificiale dhe robotikës. Tashmë duket si kohë e kaluar, por të gjitha këto eksperienca vlejnë dhe kanë hyrë në institucionet shëndetësore dhe po përdoren gjerësisht.
Marjana Doda: Është shumë e rëndësishme që të jemi të përgatitur që ne ta udhëheqim teknologjinë dhe jo teknologjia ne. Është një risk, një thikë me dy presa që do ta shohim si do ta ketë ecurinë e saj. Besoj që dy shtyllat kryesore të ekonomisë së dytë më të madhe në botë do të jenë të fokusuara te inovacioni, kërkimi shkencor dhe teknologjia vetjake.
Kina nëpërmjet kësaj filozofie të re të zhvillimit po bëhet gjithashtu edhe një motor për të nxitur zhvillimin global dhe për ta promovuar zhvillimin dhe ndryshimet teknologjike që ndodhin në vend dhe në botë.
CMG: Sesioni i dytë i legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore, organi më i lartë ligjvënës në Kinë u zhvillua në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin. Në të morën pjesë presidenti Xi Jinping dhe liderë të tjerë të Partisë e të shtetit si dhe mbi 2800 deputetë. Cila ishte risia e 2 sesioneve të sivjetme të Kinës dhe sa pritet të ndikojnë objektivat e Kinës në ekonominë globale dhe situatën ndërkombëtare në tërësi?
Marjana Doda: I kam quajtur këto sesione si leksione demokracie që vijnë nga Kina për vetë faktin e gjithëpërfshirjes për të gjitha fushat e integruara në to. Gjatë këtyre dy sesioneve u elaboruan mendime dhe objektiva të reja për vetë faktin se dhe ekonomia kineze po përballet me sfida të kapërcyeshme. E rëndësishme është që në fund të këtyre sfidave të nxirren rezultate konkrete.
Diskutimet i referoheshin kryesisht forcave të reja prodhuese cilësore, për të thënë që shtytja e Kinës po shkon drejt një peizazhi të ri ekonomik global, të fokusuar në zhvillimin e teknologjisë dhe kërkimin shkencor dhe inovacionin.
Vizitorë në pavijonin e prodhuesit kinez të aparateve fotovoltaike, 2023, Sao Paulo(Foto:VCG)
Sa i përket produktit final të këtyre dy sesioneve është ajo që ka rëndësi jo vetëm për ekonominë kombëtare të Kinës, por edhe globale, që ka të bëjë me vendimin për rritjen e GDP-së në 5 përqind. Kjo ndoshta në nivel ndërkombëtar ngjall shumë diskutime, por mendoj që një Kinë e forte, me një ekonomi të qëndrueshme ka një rëndësi specifike jo vetëm për Kinën, por dhe për ekonominë globale.
Kjo nuk ishte një risi, por një shtyllë kryesore e dy sesioneve për të treguar përgjegjshmërinë e Kinës ndaj vetes dhe ekonomisë globale, duke marrë parasysh se jemi përballë disa sfidave të rrezikshme, jo vetëm pas periudhës pandemike, plagët e së cilës i kemi ende të hapura, por dhe dy luftërat, njëra në Europë dhe tjetra në Lindjen e Mesme. Kina ka një ecuri konsistence në qëndrueshmërinë e saj përballë eventeve globale, sidomos përballë atyre gjeoekonomike. Këto dy sesione dhe togfjalëshit ekonomia e gjelbër, forcat e reja prodhuese cilësore, inovacioni dhe zhvillimi teknologjik tregojnë që Kina ka ndezur motorët për këtë peizazh të ri të ekonomisë, duke iu përgjigjur nevojave dhe ecurisë ekonomike globale sot./CRI–Argumentum.al