Kina do të sigurojë një transferim parash prej 1 milion dollarë në Palestinë si një ndihmë urgjente humanitare, tha të premten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian.
“Kina do të sigurojë 1 milion dollarë për Palestinën si ndihmë urgjente humanitare, 1 milion dollarë Agjencisë së OKB-së për ndihmë dhe punë për refugjatët palestinezë në Lindjen e Afërt dhe 200 mijë doza të vaksinave kundër COVID-19”, tha Zhao Lijian, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës gjatë konferencës për media, raporton media kineze CGTN
“Si kryesuese e radhës e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina i ka dhënë prioritet kryesore adresimit të konfliktit aktual Palestinë-Izrael”, tha Zhao një ditë më parë.
“Kina ka bërë çdo përpjekje për të nxitur KS-OKB-në të flasë me një zë dhe të ndërmarrë veprime konkrete. Megjithatë, për shkak të pengesave të SHBA-së, Këshilli i Sigurimit ende nuk ka arritur një konsensus deri më tani”, tha ai.
“Kina vlerësoi përpjekjet e ndërmjetësimit për një armëpushim nga Egjipti dhe palët e tjera të rëndësishme. Ne jemi të gatshëm të forcojmë komunikimin dhe koordinimin me të gjitha palët dhe të bëjmë përpjekje të bashkërenduara për paqen dhe të bëjmë më të mirën nga ne për të siguruar ndihmë humanitare dhe ndihma të tjera për Palestinën”, shtoi ai.
Vendimi i Kinës erdhi pasi Egjipti ndërmjetësoi një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit pas 11 ditësh sulmesh ajrore izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës. Armëpushimi hyri në fuqi në orën 02:00 të mëngjesit të sotëm (ora 23:00 sipas kohës së Evropës Qendrore të enjten).
Avionët luftarakë izraelitë vazhduan të sulmonin Rripin e Gazës madje deri në vetëm një orë para armëpushimit. Krahu i armatosur i Lëvizjes të Xhihadit Islam gjuajti me raketa rajone përreth Gazës si hakmarrje për sulmet.
Gjithsej 232 palestinezë, përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra u vranë gjatë sulmeve izraelite në Gaza që nga 10 maji.
/argumentum.al