Amerika nuk e mbështet PD-në. Amerika po thotë hyni në zgjedhje
Pak a shumë kështu po lexohet vizita e zv.ndihmës Sekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit në Tiranë. Gëzimi për qëndrimet e tij po përcillen nga mediat e oborrit si konfirmim i drejtësisë së qëndrimeve të qeverisë dhe marrëzisë së opozitës. Mirëpo nga sa u bë publike, nga takimi i Palmer me gazetarët e preferuar të ambasadës amerikane, doli se SHBA nuk negocion krizën në Shqipëri, edhe pse Palmer e ka përgënjeshtruar një gjë të tillë kur ka takuar edhe Monika Kryemadhin që përfaqëson një parti të dytë të opozitës.
Ai ka shprehur mendimin e vet se është mirë që opozita të hyjë në zgjedhje, se qeveria shqiptare është legjitime për SHBA-në. Këto dihen. Edhe aktet e qeverisë së viteve 1941-1943 prodhonin efekte juridike. Edhe ato ishin legjitime për pjesën më të madhe të asaj që njihej si bota demokratike. Por çfarë do të thotë kjo?
Edhe qeveria libiane në Tripoli njihet nga ndërkombëtarët, por ja që qeveria e Çirenaikës i nxori amerikanët jashtë Libisë dhe po imponon rishikimin e qëndrimeve.
Edhe Maduro në Venezuela u zgjodh me votë, por sot dikush e njeh, e dikush tjetër jo.
Shembujt nuk mbarojnë dhe ata na thonë se SHBA po ripërkufizon rolin e vet. Ajo nuk e sheh më veten si eksportuese të demokracisë, as burim morali. Ajo është një shtet ndër kryesorët e botës që mbron interesat e veta. Kaq.
Zoti Palmer ishte shumë i qartë kur deklaroi edhe se marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës nuk ka si palë SHBA-në, as se SHBA mbështet ndonjë opsion. Thjesht ajo mbështet rezultatet që do të arrihen nga të dyja palët. Edhe këtu SHBA po vendos neutralitetin e vet – Publik kuptohet – po tërhiqet nga roli mediator për të qartësuar një gjë: interesat tona janë këto. Për të tjerat bëni si dini vetë.
Nga kjo pikëpamje, vizita e z. Palmer është instruktive sepse zbuloi një fytyrë të re të SHBA-së, emri i të cilës është instrumentalizuar shumë.
E mbani mend ish-ambasadorin Donald Lu kur fliste se populli shqiptar kështu, e populli shqiptar ashtu? Palmer e ka shmangur këtë lloj retorike. Ai ka thënë: SHBA është këtu, Ju zgjidhni problemet tuaja. Ndaj opozita nëse e lë veten peng të interpretimeve që bëhen lart e poshtë atëherë dënon veten. Kjo është qartazi Luftë dhe atë nuk ta fitojnë të tjerët. Atë e fiton vetë.