Organet drejtuese të drejtësisë reaguan njëzëri të mërkurën pasi Kryeministri Edi Rama inicioi sulme publike ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) duke kundërshtuar arrestimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj me akuza për korrupsion.
Në dy deklarata të veçanta Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkuan nga aktorët politikë që të mos ushtrojnë trysni dhe presion që cënon pavarësinë e këtyre organeve.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me deklaratat e bëra nga persona të veshur me pushtet, ekzekutiv apo politik si edhe media të caktuara, të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar”- thuhet në deklaratën e këtij institucioni.
Më tej KLGJ mban qëndrimin se “çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit”.
Duke theksuar se pavarësia e gjyqësorit është shtylla themelore në garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjes së lirive, Këshilli u bën thirrje të gjithë aktorëve që; “të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cenojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit”.
Të njëjtën thirrje e përsërit Këshilli i Lartë i Prokurorisë duke kërkuar që të respektohet pavarësia dhe integriteti profesional i prokurorëve në mënyrë që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme.
“Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent”- theksohet në deklaratën e KLP-së.
Kryebashkiaku Veliaj u arrestua të hënën, pasi Gjykata e Posaçme firmosi masën e arrestit me burg të kërkuar më parë nga SPAK për vepra penale të korrupsionit i kryer në bashkëpunim. Ai akuzohet se së bashku me bashkëshorten, Ajola Xoxa, kanë krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm të ngjashëm me atë të dosjes 5D, me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve publike që rridhnin nga Bashkia e Tiranës, një skemë kjo e vërtetuar sipas SPAK në nëntë raste.
Por Kryeministri Rama doli publikisht kundër vendimeve të drejtësisë duke e cilësuar arrestimin e tij të padrejtë dhe ‘pa gjyq’ dhe nisi një sërë sulmesh publike ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të çështjes duke hedhur aludime për pavarësinë e tyre politike.
Rama përdori termin “kamikazë” politikë duke folur për gjyqtarët e GJKKO-së duke folur para grupit parlamentar socialist të mërkurën.
“Pra, bëhet fjalë për dy kamikazë të PD-së, në GJKKO, që s’e kanë asnjë problem ta shprehin në mjedisin tonë, kënaqësinë e të marrit në dorë të këtij dhe të atij, duke thënë që ne do t’i shkrijmë”- tha Rama duke iu referuar sipas tij një mesazhi anonym të ardhur në telefonin e tij.
Rama devijoi në një kthesë 360 gradë nga qëndrimet e mëparshme të heshtjes ndaj punës së drejtësisë edhe kur në pranga binin ministrat e kabinetit të tij.
Ai po ashtu pretendoi se prokurorët e SPAK nuk kishte ndjekur standardet ligjore gjatë hetimeve dhe marrjes në pyetje të personave të përfshirë në dosjen “Veliaj”.
Një mbrojtës i mëparshëm i reformës në drejtësi e përshkroi këtë reformë me frazat “i kemi hyrë detit në këmbë” dhe se “i kemi lënë brinjët në dispozicion drejtësisë’ ndërsa u kërkoi prokurorëve që të rrinë larg tij. “Edhe mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, se boll i kanë. Kanë mbledhur gjithë telefonat e Shqipërisë atje. Të shkojnë të merren me faktet”- tha kryeministri.
Nga ana tjetër kreu i opozitës Sali Berisha paralajmëroi të mërkurën se nëse do të vinte në pushtet do të prekte reformën në drejtësi, duke e cilësuar SPAK një organizatë kriminale.
“Ne kemi filluar njëfarë pune me ekspertë shumë të shquar europianë, që të bëjnë një lloj vëzhgimi të kësaj dhe të gjejmë rrugë sepse populli do zgjidhje, një shtet do zgjidhje. Nuk mund të rrijë Shqipëria pa proces civil, pa proces penal”- tha ai.
Ish-kryeministri Berisha është marrë i pandehur me akuzën “korrupsion pasiv” në tetor nga SPAK dhe çështja ka shkuar në gjykatë për shqyrtim./reporter.al